Ndërlidhjet

Kod shtetëror apo kod gjeografik (?)


Në mungesë të kodit të telefonisë shtetërore, autoritetet kosovare janë duke bërë përpjekje për të marrë fillimisht një kod, të quajtur kod gjeografik, që më pas ky i fundit të shndërrohet në kod shtetëror. Këtë e deklaroi ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj. Ndërkaq, ekspertët e telekomunikacionit thonë se në mungesë të këtij kodi, Kosova ka humbje të mëdha ekonomike.


Kosova, edhe pas një vit të funksionimit si shtet i pavarur, nuk ka arritur të pajiset me kod shtetëror të telefonisë. Sipas ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Famir Limaj, përkundër shumë përpjekjeve njëvjeçare, mundësitë e marrjes së këtij kodi kanë qenë shumë të vogla.

“Ne kemi lobuar tek miqtë tanë, konkretisht tek shtetet e fuqishme, të cilat kanë njohur Kosovën, për të na ndihmuar tek shtetet tjera për ta pranuar Kosovën në Organizatën e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit. Ky është një drejtim në të cilin ne kemi punuar".

"Në anën tjetër, kemi kërkuar rrugë alternative se si ka mundësi që Kosova të fitojë kodin edhe pa qenë anëtare e kësaj organizate”,
deklaroi ministri Limaj.

Kushti i parë për të pasur kodin shtetëror të telefonisë është të jesh anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit; ndërsa, për të qenë anëtar i kësaj organizate, janë dy forma - ose të shkojë në votim të drejtpërdrejtë në këtë organizatë, e cila funksionon nën ombrellën e OKB-së, ose të jesh anëtar i OKB-së.

Por, pasi që Kosova nuk është anëtare e OKB-së, do t’i duheshin dy të tretat e votave për të qenë pjesë e kësaj organizate, e cila mundëson marrjen e këtij kodi.

Ministri Limaj thotë se mungesa e kodit ndërkombëtar është mungesë e zhvillimit ekonomik.

“Shpresojmë që me ndihmën e Unionit Evropian të marrim një kod të ashtuquajtur kod gjeografik, që më pas ky kod të shndërrohet në kod shtetëror. Tani jemi në këtë fazë. Nuk mund të përcaktojmë afate se kur mund të kryhet; mund të them që jemi duke punuar në këtë drejtim".

"Ajo çka është më pozitive është se shumë vende e kanë kuptuar që është domosdoshmëri që Kosova ta ketë kodin, duke ikur nga ato barrierat politike dhe juridike. Besoj që jemi shumë më afër se që kemi menduar”,
theksoi ministri Limaj.

Mungesa e kodit shtetëror nga ekspertët për çështje të telekomunikacionit, deri më tani, është arsyetuar me statusin e pazgjidhur të Kosovës.

Mirëpo, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, njohjet ndërkombëtare të saj, hyrjen në fuqi të Kushtetutës, këto çështje, sipas tyre, kërkojnë zgjidhje të shpejtë, në mënyrë që Republikës së Kosovës t’i jepet mundësia për të qenë partnere e barabartë në shoqërinë e telekomunikacionit dhe teknologjisë informative.

Eksperti i Telekomunikacionit, Rexhep Hasani, thotë se për shkak të mungesës së prefiksit të telefonisë fikse dhe mobile, që nga paslufta, Kosova ka pësuar humbje të mëdha. Moszgjidhja e kësaj çështjeje deri më tani, sipas tij, është e paarsyeshme.

“Që para shpalljes së pavarësisë, me insistim më të madh dhe me një angazhim shtesë, kemi pasur mundësi të bëjmë zgjidhje, e cila do të na siguronte këtë kod, pasi që janë duke shkuar mjete të mëdha në mungesë të këtij kodi”, shprehet zoti Hasani.

Se sa të rëndësishme janë telekomunikimet për shkallën e zhvillimit ekonomik të një vendi, zoti Hasani thotë se tregon edhe fakti se niveli i zhvillimit të telekomunikimeve shpesh shfrytëzohet si një tregues alternativ për shkallën e zhvillimit të atij vendi, krahas produktivitetit të brendshëm bruto.

Eksperti i telekomunikacionit, zoti Hasani, mendon se ka hapësirë që organet e Kosovës të insistojnë dhe të gjejnë forma dhe modalitete që të gjendet një zgjidhje.

“Me ndryshimin e rrethanave pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duhet të jemi shumë të vëmendshëm, në mënyrë që të propozojmë zgjidhje sa më të shpejtë të kësaj çështjeje, në këtë degë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të vendit”, vlerëson zoti Hasani.

Ndryshe, në Kosovë, telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos, ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë, kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin 381 të Serbisë.
XS
SM
MD
LG