Ndërlidhjet

Musavi bën thirrje për më shumë protesta


Në kryeqytetin e Iranit janë shtrënguar masat e sigurisë pas protestave të së dielës. Gjatë natës, helikopterët fluturonin mbi qytet dhe disa të shtëna u dëgjuan në pjesën veriore të Teheranit, e cila është fortesë e liderit të opozitës, Mir Hosein Musavi.

Musavi u ka bërë thirrje përkrahësve të tij që t’i vazhdojnë protestat kundër rizgjedhjes së presidentit radikal, Mahmud Ahmadinexhad.

Televizioni shtetëror njoftoi se 10 njerëz u vranë dhe mbi 100 u plagosën në protestat e së shtunës.

Muhamed Katami, aleat i Musavit dhe ish-president reformator, paralajmëroi për “pasoja të rrezikshme” nëse njerëzit pengohen t’i shprehin kërkesat e tyre në mënyrë paqësore.

Mediat shtetërore njoftuan se vajza dhe katër familjarë të ish-presidentit Hashemi Rafsanxhani ishin arrestuar, për shkak të pjesëmarrjes në protesta, por më pas ishin liruar.

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka shprehur shqetësim për dhunën dhe “veprimet e padrejta” ndaj protestuesve në takimin me këshilltarët e tij, të cilët e informojnë për zhvillimet në Republikën Islamike.

Ahmadinexhad i akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe për ndërhyrje në punët e Iranit, por sekretari i Jashtëm britanik, Dejvid Milliband, i hodhi poshtë akuzat, ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, i bëri thirrje Iranit që të lejojë protesta paqësore dhe t’i rinumërojë rezultatet e votimeve.
XS
SM
MD
LG