Ndërlidhjet

“Izraeli përgatitet ta njohë Kosovën në gusht”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Në vazhdën e manipulimeve të Serbisë në arenën politike ndërkombëtare, nëpërmjet “zëdhënësit” të saj, Vuk Jeremiq, në mes të Këshillit të Sigurimit, lëshohet deklarata e turpshme se nga Kosova pas vitit 1999 janë larguar 200 mijë serbë. Një shifër kjo që ka çuditur mbarë institucionet, por edhe opinionin në Kosovë. E para që reagoi ndaj kësaj shpifjeje ishte Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, e cila ka akuzuar autoritetet serbe për keqpërdorim të të dhënave demografike, duke deklaruar se kundërshton çfarëdo keqpërdorimi të këtyre të dhënave. Akademia vë në pah se sipas regjistrimit nga viti 1991 (i bojkotuar nga shqiptarët) në Kosovë kishte 194,190 serbë ose 9.9 për qind, me tendencë të rritjes së madhe të natalitetit...

EPOKA E RE
Ministri Sadri Ferati ka thënë se mosdalja e serbëve në zgjedhjet e nëntorit nënkupton vonesë të mëtutjeshme në përfitimin e kushteve më të mira që institucionet e Kosovës po i ofrojnë këtij komuniteti. Sipas Feratit, serbët gjenden në vështirësi dhe presione nga më të ndryshmet. “Situata konkrete sot është se serbët ndodhen në gjendje të vështirë. Ata u nënshtrohen presioneve, kanë dilema. Kanë dilema se nëse integrohen në shoqërinë kosovare, a do të vazhdojnë t’i marrin ndihmat që i kanë nga Beogradi?! Pra, ndihma që u ka dhënë Beogradi, i ka shndërruar në fuqi politike brenda Kosovës dhe i ka përdorur për nevoja të politikës ditore të veta”, ka thënë ai. Megjithëkëtë, pa fajin e institucioneve, ministri Ferati ka thënë se nga një bojkot i mundshëm i serbëve në zgjedhje, edhe shteti i Kosovës humb...

LAJM
Qytetarët e Kosovës, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë, do t’u afrohen edhe një herë kutive të votimit më 15 nëntor. Krahasuar me zgjedhjet e fundit (nëntor 2007), kur vendi ishte me status të padefinuar, e në votime dolën vetëm 40 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, entuziazmi për të votuar më 15 nëntor mund të bjerë edhe më shumë. Pjesëmarrja e vogël e qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e fundit duhet t’i shqetësojë përfaqësuesit e partive politike, andaj e vetmja alternativë është oferta serioze që i bëhet qytetarit. Lulëzim Peci, analist politik, mendon se pasi bëhet fjalë për zgjedhjet komunale, atëherë dalja e popullatës do të varet shumë nga ofertat e partive politike për qeverisje lokale. “Në këtë rast nuk kanë rol të madh liderët sa kanë rol ofertat e kryetarëve të komunave. Këta nuk duhet ta harrojnë që me Ligjin për Qeverisje Lokale, komunat kanë kompetenca shumë më të mëdha, jo vetëm kryetari, por edhe kuvendet komunale”, tha Peci për “Lajm”...

KOHA DITORE
Shteti izraelit është duke u përgatitur dhe është i gatshëm për ta njohur Republikën e Kosovës në muajin gusht. Lajmi është bërë i ditur, të shtunën, nga kreu i kabinetit të Qeverisë izraelite, kryeministri i këtij shteti, Benjamin Netanjahu, ndërsa vendimi për njohjen e Kosovës ka ardhur si rezultat i negociatave të fundit me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barak Obama. “Izraeli ka marrëdhënie shumë të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ndjekë rekomandimet e administratës së Obamës për ta njohur Kosovën”, ka thënë Netanjahu, duke shpjeguar se zgjidhja e negociuar për Kosovën ishte e pamundur dhe Izraeli nuk mund të rrijë anash. Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka konfirmuar, të dielën, për “Kohën Ditore”, se ka marrë sinjale pozitive nga shteti i Izraelit se do ta njohë Republikën e Kosovës shumë shpejt...

INFOPRESS
Bisedimet në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë ka kohë që nuk kanë qenë subjekt politik, nuk janë përmendur as nga politikanët e të dy taborëve. E tëra pasi që liderët institucionalë të Kosovës e kanë thënë prerazi dhe qartë se me Serbinë do të ulen në tryezën e bisedimeve vetëm si dy shtete të pavarura. Një gjë e tillë i është bërë me dije edhe shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanier, i cili, kohëve të fundit, ka pushuar së kërkuari liderëve të vendit që të ulen rreth një tryeze me liderët serbë. A mund të ketë bisedime me Serbinë dhe për çfarë mund të bisedohet? “Nuk do të bisedojmë asnjëherë për çështjen e statusit me Serbinë”, kështu ka thënë presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Duke folur për marrëdhëniet me fqinjët, presidenti Sejdiu ka potencuar nevojën e bisedimeve me të gjithë dhe për të gjitha problemet...

KOSOVA SOT
Tensionimi i skenës politike, pak muaj para zgjedhjeve të para në Republikën e Kosovës, mund ta dëmtojë imazhin e shtetit tonë, ndërsa e rrezikon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Bartësit kryesorë të vendimmarrjes në parti apo institucione kanë përgjegjësinë morale dhe ligjore shtensionimin e gjendjes. Komunikimi politik kosovar po shoqërohet me banalitete dhe frymë urrejtjeje, duke e vënë në dyshim aftësinë e politikanëve aktualë për garantimin e sistemit demokratik. Deklaratat e ditëve të fundit nga personalitete të subjekteve kundërshtare në pushtet apo në opozitë janë dëshmia më e mirë e nivelit të ulët që po shfaqet në spektrin politik të Kosovës. Lideri më i zëshëm i opozitës, Ramush Haradinaj, dhe kryeministri Hashim Thaçi vazhdojnë edhe më tutje “luftën e ftohtë” që i ka fillet që prej koalicionit LDK-AAK në kohën e Rugovës, kur Partia Demokratike e Kosovës mbeti në opozitë...

EXPRESS
Prishtina është në pozitë shumë më të mirë se Beogradi në procesin e deritashëm të nxjerrjes së opinionit rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), thotë shefi i diplomacisë kosovare Skënder Hyseni. Përveç Kosovës dhe Serbisë, deklarata me argumente për dhe kundër pavarësisë kanë deponuar edhe 34 shtete tjera. Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, thotë se i ka lexuar të gjitha këto deklarata. Sipas tij, në favor të pavarësisë së Kosovës argumentet janë më të shumta dhe më të fuqishme. “Nëse flasim për shumësinë e argumenteve pro dhe kontra, shumësia e argumenteve pro është diametralisht më e madhe dhe më e fuqishme sesa ato kontra. Për më tepër, ato kontra janë kryesisht deklarime të skajshme politike, por nuk kanë ndonjë përmbajtje vërtet argumentuese ndaj vetë çështjes”, ka thënë ministri Hyseni, të dielën për “Express”...

ZËRI
Viti 2009, tani kur jemi gati në përfundim të gjysmës së parë të tij, dhe kur mund të bëhen analizat e besueshme për rezultatet që mund t’i sjellë ai për Kosovën, sipas të gjitha gjasave, nuk do të shënojë fare kthesë për të mirë, se paku në çështjet madhore të stabilizimit të brendshëm të vendit dhe të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Stabilizimi i brendshëm, para së gjithash, lidhet me krijimin e raporteve të reja me komunitetin serb të Kosovës, apo me pranimin, nga ana e tij, të realitetit të pavarësisë së vendit. Ndërsa pozicioni ndërkombëtar i Kosovës, me gjithë përparimet kur kihet parasysh anëtarësimi në FMN dhe në BB, matet në radhë të parë me inkuadrimin e shtetit të Kosovës në OKB, aty ku certifikohet përfundimisht ekzistenca e një shteti. Aktualisht, pa një përpjekje të madhe, mund të përshkruhen pozicionet dhe qëndrimet e Kosovës, të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian për problemet kryesore në Kosovë dhe rreth saj...
XS
SM
MD
LG