Ndërlidhjet

Beogradi s'ka kompetenca për decentralizimin


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Asnjë kërkesë e Serbisë me të cilën synohet ndryshimi i kompetencave të Qeverisë së Kosovës dhe ICO-së në procesin e decentralizimit, nuk mund të pranohet, thonë zyrtarë qeveritarë kosovarë dhe ata të pranisë ndërkombëtare.


Beogradi mund të bashkëpunojë, por jo edhe të marrë kompetenca në zbatimin e decentralizimit në Kosovë, thonë përfaqësues të qeverisë dhe ata të ICO-së në Prishtinë.

Duke iu përgjigjur një kërkese të Qeverisë së Serbisë, sipas së cilës kërkohet caktimi i një përfaqësuesi neutral ndërkombëtar që të marrë rolin e një ndërmjetësi mes Serbisë dhe Kosovës, në lidhje me zbatimin e decentralizimit, ministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Sadri Ferati, thotë se asnjë kërkesë që ka të bëjë me ndryshimin e kompetencave të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e decentralizimit, nuk mund të diskutohet fare.

Kurse, roli i Beogradit, sipas tij, mund të jetë i pranueshëm vetëm në cilësinë e bashkëpunimit dhe marrjes së informacioneve, por jo edhe të ndryshimeve në dispozitat e Pakos së Ahtisarit, ku flitet për decentralizimin.
Sadri Ferati
“Nëse Beogradi, sikurse bashkësia ndërkombëtare dhe të tjerët dëshirojnë që të jenë brenda në proces për të marrë informacione se si po rrjedh procesi, por njëkohësisht edhe t'i inkurajojnë serbët që ta pranojnë procesin, që të dalin në zgjedhje, në mënyrë që ne sa më shpejt ta fitojmë një shoqëri më funksionale, ne do ta shqyrtonin një kërkesë të tillë dhe nuk shoh diçka të keqe që ata të kenë informacione në kontakte direkte që mund t'i kenë me ne".

"Por, Pakoja e Ahtisarit është e pandryshueshme dhe duhet të implementohet e tëra në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”,
tha Ferati.

Procesi i decentralizimit zbatohet në Kosovë nga qeveria si dhe autoritetet lokale nën mbikëqyrjen e ICO-së. Shefi i Zyrës për informim në ICO, Endi Mekgafi, thotë se decentralizimi është një proces që i përket Qeverisë së Kosovës dhe mbështetet nga ICO-ja.

“Ky proces është një mundësi e mirë për reforma gjithëpërfshirëse, nga të cilat do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës”, thotë Mekgafi.
Decentralizimi është duke u zhvilluar nën dhe nga autoritetet e Qeverisë së Kosovës dhe e ka mbështetjen e ICO-së...

Lidhur me kërkesat e Beogradit për një përfaqësues neutral ndërkombëtar që do të përfshihej eventualisht në këtë proces, Mekgafi thotë se ICO nuk ka biseduar asnjëherë në lidhje me këtë proces me autoritetet e Beogradit.

“Decentralizimi është duke u zhvilluar nën dhe nga autoritetet e Qeverisë së Kosovës dhe e ka mbështetjen e ICO-së”, thotë Mekgafi.

Ndryshe, Beogradi njeh dhe bashkëpunim me misionin e EULEX-it dhe atë të UNMIK-ut, por nuk e njeh ICO-në, për shkak se ICO ka në mandat mbikëqyrjen e zbatimit të Pakos së Ahtisarit, dokument ky që nuk pranohet nga autoritetet serbe.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka deklaruar se Beogradi nuk e pranon decentralizimin sipas Planit të Ahtisarit, por do të pranonte të përfshihej në këtë proces, marrë parasysh rëndësinë që ka për serbët e Kosovës, nëse do të caktohej një ndërmjetës neutral ndërkombëtar.

Sidoqoftë, një kërkesë e tillë duket si fillim i ri i këtij procesi nga ana e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë dhe si e tillë hidhet poshtë.

Qeveria e Kosovës dhe ICO mbajnë qëndrime të ngurta sa i përket Pakos së Ahtisarit, pasi që edhe vetë presidenti Ahtisari, gjatë vizitës që i bëri javën e kaluar Kosovës, deklaroi se ky dokument nuk mund të ndryshojë, pavarësisht nëse pranohet apo nuk pranohet nga komuniteti serb.
XS
SM
MD
LG