Ndërlidhjet

Edhe pse zyrtarisht Kosova nuk është e përfshirë në procesin e lehtësimit dhe të liberalizimit të vizave, diplomatë evropianë thonë se Kosova është pjesë e këtij procesi. Megjithatë, kosovarët ndihen të izoluar.


Nëse Komisioni Evropian vendos regjim të lirë të vizave me Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi deri në fund të këtij viti, për ç’gjë gjasat duket të jenë shumë të mëdha, mbesin vetëm edhe tri shtete në Ballkan, të privuara nga lëvizja e lirë në BE.

Por, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja tashmë kanë të qartë se çfarë kriteresh duhet të plotësojnë për të mundësuar lëvizjen e lirë, Kosova mbetet e izoluar tërësisht.

Ajo nuk u përmend fare në konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, ku vendeve tjera fqinje iu dhanë rekomandime se çfarë duhet bërë.

Por, ambasadorja çeke në Prishtinë, Janina Hrebickova, që njëherësh përfaqëson edhe presidencën e radhës së BE-së, flet me tone optimizmi.

Janina Hrebickova
“Kosova nuk ka mundur t’u bashkohet ende të gjitha këtyre proceseve me potencial të plotë. Megjithatë, është bërë e qartë dhe kemi të dhëna se Kosova është pjesë e procesit dhe se të gjithë po punojmë shumë që ta gjejmë mënyrën se si ta ndihmojmë Kosovën”.

“Ky është fakt. BE dhe presidenca çeke e kanë bërë të qartë se Kosova nuk duhet të lihet anash, derisa fqinjët e saj ecin përpara”,
u shpreh ambasadorja çeke, Janina Hrebickova, në konferencën e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, të quajtur “Getoizimi i Kosovës në lidhje me vizat”.

Një qytetari kosovar, marrja e një vize Shengen i merr kohë dhe shumë para. Dhe, rezultati jo gjithherë është pozitiv. Nga frika e migrimit dhe arsyeve tjera, shtetet e BE-së jo rrallë refuzojnë dhënien e vizave, derisa shpenzimet nuk i kthehen aplikuesit.

Kjo bën që të duket mosbesues deklarimi se Kosova është në agjendë të perspektivës evropiane. Engjëllushe Morina, drejtoreshë e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, thotë se me liberalizimin e vizave, kosovarët mbase do ta kenë të vështirë të lëvizin edhe në rajon.

“Përveç pamundësive për të udhëtuar në Evropë, kosovarëve u bëhet gjithnjë e më vështirë të udhëtojnë edhe në vendet e Ballkanit”, thotë Morina.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se nuk kanë qëndruar duarkryq, ndërsa fqinjët ecnin përpara në këto procese. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, beson se plani i veprimit, i miratuar njëanshëm nga qeveria, do të jetësohet në tremujorin e fundit të këtij viti.

Zenun Pajaziti
“Ministria e Punëve të Brendshme ka vendosur të bëjë plan të vetin, udhërrëfyes, për çështjen e liberalizimit të vizave, duke u bazuar në praktikat e vendeve fqinje dhe duke i konsultuar partnerët tanë ndërkombëtarë. Kemi arritur një fazë të aprovimit të këtij udhërrëfyesi nga Qeveria e Kosovës. Presim që plani i veprimit për zbatimin e kritereve të miratohet në çerekun e tretë të këtij viti”,
thotë Pajaziti.

Ndërkohë, nëse Serbisë i hiqen vizat në fund të këtij viti, serbët e Kosovës, në emër të parimit të dyshtetësisë, mund të udhëtojnë me pasaporta serbe lirshëm në vendet e BE-së.

Verena Knaus, analiste e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, thotë se fakti që është kërkuar nga Serbia që të mos u lëshojnë pasaporta shqiptarëve të Kosovës, përbën diskriminim.

“Janë dy fusha që e mbajnë Serbinë jashtë e që lidhen me Kosovën. E para ka të bëjë me sigurinë e dokumenteve; ekziston një frikë e madhe mes vendeve të BE-së, se do të jetë shumë e lehtë që të falsifikohen dokumentet. Nuk do ketë mbikëqyrje të mjaftueshme në dhënien e pasaportave për qytetarët e Kosovës - shqiptarë apo serbë. Por, kjo është një çështje hileqare, për shkak se Komisioni Evropian s’ka pozicion unik”.
"Disa nga anëtarët e BE-së konsiderojnë se qytetarët e Kosovës janë qytetarë të Serbisë. Kështu që mohimi i së drejtës së shqiptarëve për të pasur pasaportë të Serbisë, do të ishte mohim i çdo parimi kundër diskriminimit".

“Disa nga anëtarët e BE-së konsiderojnë se qytetarët e Kosovës janë qytetarë të Serbisë. Kështu që mohimi i së drejtës së shqiptarëve për të pasur pasaportë të Serbisë, do të ishte mohim i çdo parimi kundër diskriminimit”,
thotë Knaus, e cila, ndër të tjera, propozon dy zgjidhje.

“Nëse Komisioni Evropian nuk ka politikë unike mbi Serbinë dhe Kosovën dhe nëse disa shtete të BE-së pranojnë qytetarët si të Serbisë, atëherë duhet lejuar Serbinë që të lëshojë pasaporta për shqiptarët. Por, nëse nuk e bëni këtë, duhet t’i ofroni Kosovës një udhërrëfyes të qartë për viza”, tha Knaus.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se teknikisht nuk janë larg vendeve të rajonit, ndërsa tashmë kanë bërë të ditur se pasaportat biometrike do të lëshohen kah mesi i vitit të ardhshëm. Sfidë mbetet sundimi i plotë i ligjit.

Një shpresë e madhe mbetet presidenca suedeze e radhës, nga e cila pritet një propozim konkret në lidhje më përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.
XS
SM
MD
LG