Ndërlidhjet

logo-print

Pasojat e fjalorit të ashpërsuar politik


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kritikat, akuzat dhe ashpërsimi i fjalorit politik ndërmjet zyrtarëve të Partisë Demokratike, në pushtet, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në opozitë, nuk i kontribuojnë zhvillimit të përgjithshëm të vendit, aq më pak dhe vetë partive politike.

Kështu vlerësojnë analistët politikë dhe disa nga përfaqësuesit e partive opozitare.

Politikologu Ramush Tahiri thotë se pas përcaktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, shkëmbimi i akuzave të ndërsjella në mes të PDK-së dhe AAK-së ka qenë i pritur.

“Ashpërsimi në mes të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës është i kuptueshëm, sepse këto dy forca konsiderohen forca rivale, sepse PDK-ja bëri një koalicion me LDK-në dhe ashpërsimi tradicional i fjalorit ose i garës ndërmjet tyre më nuk do të jetë në të ardhmen, përderisa është kjo garniturë në të dy partitë politike”.

“Ndërsa, AAK-ja synon të bëhet forca e dytë apo e parë në disa rajone dhe në këtë bazë asaj i konvenon ta kritikojë qeverinë, ta kritikojë sa më ashpër”,
thotë Tahiri.

Ai thotë se në prag të fillimit të fushatës së zgjedhjeve lokale, raportet mes këtyre dy subjekteve politike mund të përshkallëzohen edhe më tutje.

“Sidomos ndërmjet këtyre dy partive pritet, sepse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dëshiron të fitojë njerëz dhe gjithashtu dëshiron të fitojë argumente para popullit se është kritikuese e mirë e qeverisë, por gjithashtu edhe se ka argumente dhe se do ta respektojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Dhe, këto akuza do të vazhdojnë”, tha Tahiri.

Anëtarë të të dyja partive politike, PDK-së dhe AAK-së, kanë shkëmbyer akuza reciproke, ndërkohë që thuhet të ketë pasur edhe kërcënime.

Edhe pse akuzat e tilla i konsideron të dëmshme për politikën kosovare, analisti Driton Lajçi nuk e përjashton mundësinë që ato të vazhdojnë dhe në ditët në vijim.

“Është punë e prokurorisë po qe se ka akuza dhe kundër-akuza në rrafshe personale dhe Prokuroria e Kosovës është ajo që duhet të merret, sipas detyrës zyrtare, pra të fillojë procedurat për inicimin e rasteve”.

“E dyta, në rrafshin e zhvillimit të demokracisë në Kosovë, kjo e dëmton procesin demokratik në Kosovë, sidomos momentet në të cilat ne jemi duke shkuar. Tashmë veç e dimë datën e zgjedhjeve lokale dhe gjasat janë që në Kosovë të ketë acarim të procesit të demokracisë, acarim të raporteve sidomos ndërmjet PDK-së dhe AAK-së”,
tha Lajçi.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, e konsideron të paarsyeshëm ashpërsimin e fjalorit politik ndërmjet PDK-së dhe AAK-së.

“Kjo që po dëgjojmë ditëve të fundit, këto akuza të ndërsjella të individëve dhe të liderëve të dy partive politike, mendoj që nuk janë gjuha politike që duhet të përdoret në Kosovë”.

“Kosovës kjo tash më së paku i duhet. Kosova ka ende shumë rrugë për të bërë në funksionalizimin e shtetit, në konsolidimin e institucioneve dhe në legjitimimin e statusit të saj të ri politik tek bashkësia ndërkombëtare”,
u shpreh Gashi.

Ky përshkallëzim i raporteve vjen menjëherë pas përcaktimit të datës së zgjedhjeve nga ana e presidentit Fatmir Sejdiu. Vendimi i presidentit që zgjedhjet e ardhshme lokale të mbahen më 15 nëntor, nga partitë opozitare ishte konsideruar si shpërfillje e kërkesave të tyre. Ata kishin kërkuar që zgjedhjet të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor.

Në lidhje me këtë, zoti Gashi nga AKR-ja, thotë:

“Në opinion doli goxha si koinçidencialisht kjo çështja e akuzave të ndërsjella dhe nuk do të doja ta ndërlidhja me atë, por nëse vazhdon kjo, definitivisht kuptohet se është një formë, ta quajmë kushtimisht, e re e fushatës parazgjedhore, e cila nuk më pëlqen edhe personalisht, por edhe si subjekt politik të cilit i takoj”.

Analistët politikë konsiderojnë se partitë politike do të duhej të veprojnë në rrafshin e bashkëpunimit dhe konkurrencës së vlerave dhe, siç thonë ata, në drejtim të konsolidimit demokratik të shtetit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG