Ndërlidhjet

Irani nuk anulon zgjedhjet


Teheran
Teheran

Trupi më i lartë legjislativ i Iranit, Këshilli i Rojeve, ka hedhur poshtë çdo anulim të zgjedhjeve të kontestuara të 12 qershorit, në të cilat, sipas autoriteteve, fitues doli Mahmud Ahmadinexhad.




Televizioni shtetëror citoi zëdhënësin e Këshillit të ketë thënë se organizata “nuk ka gjetur shkelje apo mashtrime të mëdha në zgjedhjet”.

Për pasojë, tha Abas Ali Kadohadei, rezultatet nuk mund të anulohen.

Sfiduesi i presidentit Mahmud Ahmadinexhad, Mir Hosein Musavi ka akuzuar se zgjedhjet ishin të manipuluara, dhe këmbëngul se ai është fituesi i vërtetë, kurse përkrahësit e tij kanë organizuar protesta të mëdha.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, ka bërë thirrje që t’u jepet fund arrestimeve, kërcënimeve dhe përdorimit të forcës kundër civilëve në Iran, pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale.

Deklarata e tij u bë pasi forcat e sigurisë në Teheran përsëri i shtypën rreth 200 protestues, të cilët i bënin homazhe një gruaje, vrasja e së cilës u xhirua dhe pamjet u shfaqën në tërë botën.

Garda Revolucionare është kërcënuar se do të shtypë çdo protestë të ardhshme kundër zgjedhjeve.

Ndërkohë, në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Barak Obama është “prekur” nga pamjet televizive të njerëzve në Iran, të cilët po marrin pjesë në protestat.

“Mendoj se ai është prekur nga ajo që kemi parë në televizion, sidomos nga pamjet e grave në Iran, të cilat kërkojnë të drejtën e tyre që të demonstrojnë, të flasin dhe të dëgjohen”,
tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs.

Rusia tha sot se i mbështet rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Iran, të cilat e mbajtën presidentin Mahmud Ahmadinexhad në pushtet.

Ministria e Jashtme tha se mosmarrëveshjet rreth zgjedhjeve të 12 qershorit “duhet të zgjidhen në pajtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Iranit”, dhe se ato janë “çështje e brendshme ekskluzive”.

Deklarata u postua në faqen e internetit të ministirë së jashtme të Rusisë.
XS
SM
MD
LG