Ndërlidhjet


Forcat paqeruajtëse të KFOR-it, së fundmi, kanë lansuar një reklamë që thuhet se ka për synim të vetëdijesojë opinionin në Kosovë për dukurinë e korrupsionit si dhe një virus të ri, që, siç thuhet në të, ka kapluar vendin - Kosovo Corruptus. Madje, edhe në rrafshin e marketingut, çështja e korrupsionit ka filluar të zëvendësohet nga mesazhet që kryesisht kanë pasur për synim tolerancën dhe sigurinë.

Zyrtarë nga Agjencia Anti-Korrupsion bëjnë të ditur se vetëm brenda katër muajve të fundit, në institucionin e tyre kanë arritur mbi 70 informata për korrupsion. Drejtori i kësaj agjencie, Hasan Preteni, thotë se korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm në të gjitha institucionet publike.

Hasan Preteni
“Brenda këtyre katër muajve kanë arritur më shumë se 70 informata për veprime të mundshme korruptive. Aty ku ka para publike, ka edhe veprime të mundshme korruptive. Po vazhdon ai trendi që gati asnjë institucion nuk ka mbetur anash, që nuk kemi informata, duke filluar nga pushteti lokal, ndërmarrjet publike, institucionet qendrore, gjyqësori. Domethënë, janë të ndryshme”,
thotë Preteni.

Në Kuvendin e Kosovës aktualisht pritet të amandamentohet Ligji kundër korrupsionit, të miratohet Ligji për deklarim dhe prejardhje të pasurisë, ai për parandalimin e konfliktit të interesit, si dhe strategjia anti-korrupsion 2009/2011, e mbështetur në planin e veprimit.

Zoti Preteni shpreh bindjen që në muajin shtator do të behët amandamentimi dhe miratimi i të gjitha ligjeve – gjë që, siç thotë ai, do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit.

“Shpresojmë që shtatori të jetë afati i fundit, që Kosova ose nomenklatura ligjore, e cila në ekzekutiv e ngarkon agjencinë, do të jetë e plotësuar”, tha Preteni.

Së fundi, sipas raporteve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, të cilat masin nivelin e korrupsionit në vende të ndryshme të botës, Kosova radhitet në grupin e tretë të vendeve të ndikuara nga korrupsioni. Ndërkohë që përfaqësues të institucioneve të Kosovës vazhdimisht deklarojnë tolerancë zero ndaj të korruptuarve në vend.

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të luftojë korrupsionin si dukuri negative.

Lutfi Haziri
“Ka një angazhim të qeverisë në përputhje me kërkesat ligjore. Realisht, strategjia duhet të operacionalizohet në kuptimin e zero tolerancës së deklaruar nga ana e qeverisë. Natyrisht, përderisa është një prej problemeve shqetësuese për qytetaret dhe të gjithë ne, kërkesat për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe angazhimeve konkrete të qeverisë dhe institucioneve të tjera, duhet të shtohen”,
deklaroi Haziri.

Drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion, Hasan Preteni, thotë se në Kosovë është parë se nuk po bëhet një punë e duhur nga ana e prokurorive për të ndjekur rastet e dyshuara të korrupsionit. Ai pohon se një punë më e madhe nga gjykatat edhe prokuroritë, pritet të bëhet pas sistemit të reformimit.

“Është një pjesë shumë e ndjeshme nëpër të cilën po kalojnë prokuroritë dhe gjykatat. Është pjesa e reformimit të gjyqësorit, riemërimit të prokurorëve dhe gjykatësve dhe shpresoj që kjo procedurë do të kryhet sa më shpejt dhe prokuroria definitivisht të dërgojë sinjale më pozitive në luftën kundër korrupsionit”, u shpreh Preteni.

Sipas përfaqësuesve të qeverisë, lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e ekzekutivit, por edhe një sfidë permanente me të cilën po ballafaqohen ata.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG