Ndërlidhjet

Nazarbaev - 20 vjet në fuqi


Nursultan Nazarbaev, 1992.
Nursultan Nazarbaev, 1992.

Kanë kaluar 20 vjet që kur Nursultan Nazarbaev ka ardhur në fuqi në Kazakistan – në vendin më të madh dhe më të pasur të Azisë qendrore. Për disa, Nazarbaevi është një autokrat, i cili ka shtypur lirinë dhe demokracinë, ndërkohë që për të tjerët ai simbolizon një garantues të prosperitetit dhe të stabilitetit në vend.


Më 22 qershor, Nazarbaevi shënoi plot dy dekada si president. Të shumtë janë ata që thonë se ai fare pak veçohet nga autokratët e tjerë sovjetikë, që kanë sunduar në Azinë qendrore.

Por, janë kryesisht të rinjtë ata që mendojnë ndryshe dhe që nuk shohin ndonjë problem nga qëndrimi i zgjatur i Nazarbaevit në fuqi. Për ta, ai është njeriu që ka arritur nivelin e stabilitetit dhe të mirëqenies, të paparë gjëkundi tjetër në Azinë qendrore.

“Sa i përket ekonomisë dhe zhvillimit, vendi ynë ka përparuar në krahasim me vendet tjera në rajon. Standardet e jetës janë ngritur mjaft, standardet e shkollimit janë përmirësuar. Ne kemi një situatë të mirë ekonomike si dhe mundësi për punë”, thotë një qytetar kazak.

* * * * * * * * * *

I lindur në vitin 1940, Nazarbaev, djalë i një bariu, filloi të ngrihet në radhët e Partisë Komuniste, ndërsa vazhdonte të bënte punën e çelikshkrirësit në veri të Kazakistanit.

Më 1989-ën, ai erdhi në fuqi si sekretar i parë i Partisë Komuniste të Kazakistanit, për t’u zgjedhur president një vit më pas. Së bashku me Eduard Shevardnadzen nga Gjeorgjia, Nazarbaevi ishte anëtar i privilegjuar i rrethit të brendshëm të liderit sovjetik, Mikhail Gorbaçev.

Para se të vinte në fuqi, Nazarbaevi ishte një kritik i zëshëm i zgjatjes së mandateve politike, duke thënë se asnjë lider nuk do të duhej të lejohej që të qëndrojë në detyrë për një periudhë të gjatë kohore.

Por, me kalimin e viteve, ishte vetë Nazarbaevi ai që do të kërkonte zgjatjen e mandatit të tij. Më 1995, ai shpërndau parlamentin, para organizimit të shpejtë të referendumit kombëtar, i cili do të zgjaste mandatin e tij për disa vjet.

Më 1999, Nazarbaevi kandidoi për rizgjedhje, duke fituar 89 për qind të votave, pasi që rivali i tij kryesor, Akezhan Kazhegeldin, ishte diskualifikuar. Atëbotë, parlamenti kishte zgjatur mandatin presidencial nga pesë në shtatë vjet.

Më 2005-ën, Nazarbaevi shënoi një tjetër fitore masive, me 91 për qind të votave. Opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kishin shprehur kritika për votimet, duke thënë se kanë dështuar të mbahen sipas standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

* * * * * * * * * * *

Kritikët e Nazarbaevit thonë se përjetësia e tij politike ka shkaktuar krizën e korrupsionit të gjerë, nepotizmin, si dhe shtypjen e kundërshtarëve në media dhe në sferat politike.

Pjoter Svoik, një politikan nga radhët e opozitës në Kazakistan, shprehet:

“Kazakistani nuk ka institucione të pavarura, ndërsa parlamenti, gjykatat, prokuroria dhe qeveria i shërbejnë vetëm një personi të posaçëm. E ardhmja e sistemit politik në Kazakistan është shumë e errët dhe shumë shqetësuese”.


Grupet për të drejtat e medieve vazhdimisht kritikojnë Qeverinë e Kazakistanit për shtypjen e lirisë së të shprehurit, për tendenca të kontrollit të internetit si dhe për tolerancë të vogël ndaj mediave të pavarura.

Sergei Duvanov, një gazetar i pavarur kazak, thotë:

“Mënyra se si drejtohen zgjedhjet këtu dhe mënyra e propagandës dhe manipulimit të opinionit, bëjnë që Nazarbaevi automatikisht të fitojë 60-70 për qind të votave”.

Opinionet e tilla thuhet se kanë ndikuar sado pak që t’i zbehet reputacioni Nazarbaevit si në vend, ashtu dhe jashtë tij.

Ndryshe, Kazakistani vlerësohet të jetë vendi më i begattë dhe më i qëndrueshëm në Azinë qendrore. Përderisa, në njërën anë, thuhet të jetë bërë i tillë nën sundimin e Nazarbaevit, kritikët thonë se lulëzimi ekonomik nuk ka ndodhur për shkak të strategjive dhe zotësive presidenciale, por nga pasuritë e mëdha natyrore, përfshirë naftën, gazin, mineralet, si dhe tokat e shumta bujqësore.

Sido që të jetë, Kazakistani vlerësohet të jetë destinacioni i qindra-mijëra njerëzve nga vendet e rajonit, që vijnë në kërkim të një jete më të mirë.
XS
SM
MD
LG