Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Kompromisi i domosdoshëm


Shkup

Shkup

Ekspertët dhe partitë politike kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me fillimin e raundit të ri të negociatave për çështjen e emrit, që filloi në Gjenevë e që do të vazhdojë në Shkup dhe më pas në Athinë.


Negociatori Mejtu Nimic nuk ka ofruar as edhe një kompromis, por vetëm se ka konfirmuar gatishmërinë e palëve për të arritur një kompromis të pranueshëm.

Detaje tjera nuk janë dhënë, por paralelisht me negociatat, drejtues të institucioneve, e në veçanti Ministria e Jashtme riafirmoi qëndrimin se kompromis për të do të nënkuptonte gjetjen e një emri për përdorim në relacionet ndërkombëtare dhe përdorim të emrit kushtetues brenda vendit.

Por, ish-ministri i Jashtëm, Denko Malevski, duke marrë parasysh këto qëndrime e në veçanti ato për prejardhjen maqedonase, nuk beson në arritjen e kompromisit për emrin.

“Mendoj se fillimisht duhet të kemi qëndrim të përbashkët për nevojën e arritjes së kompromisit. Ne nuk duhet të gënjehemi se nëse themi se nevojitet kompromis, do të humbin pozicionet në negociata. Pra, shoqëria jonë ende nuk është e përgatitur për kompromis, pasi ne kemi ende shumë punë për të bërë. Nuk është e mundur të kalojnë nga njëri ekstrem në ekstremin tjetër në kërkim të orientimeve historike, të përkeqësohen raportet me Greqinë dhe më pas të kërkohet kompromis”, tha Malevski.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase është ankuar se pushteti nuk po e njofton për asgjë që ka të bëjë me negociatat për emrin dhe se nuk ishte në dijeni se me çfarë qëndrimi ishte përfaqësuar vendi në Gjenevë.

“Kryeministri nuk po e sheh të udhës ta njoftojë opinionin se për çfarë po diskutohet e lëre më ta kontaktojë opozitën. Ne në Maqedoni po veprojmë në një terr informativ lidhur me emrin, pasi askush nuk e di se për çfarë po bisedohet dhe është absurde që në situata të këtilla, kryeministri të bëjë thirrje për unitet”, tha nënkryetari i LSDM-së, Gordan Georgiev.

Ndërkohë, edhe partitë shqiptare janë të ndara për çështjen e emrit, por ato kërkojnë rezultate dhe mbylljen e shpejtë të kontestit me Greqinë.

“Do të ishte mirë që të kemi ofertë konkrete nga Nimici, e cila ofertë do t’u ofrohet dy palëve. Deri më tani nuk kemi pasur diçka të tillë. Interes i të dyja vendeve është që të afrohen qëndrimet dhe të gjendet zgjidhje”, deklaroi nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Rafis Haliti.

Ndërkohë, Partia Demokracia e Re ka paralajmëruar se në rast të dështimit të negociatave, do të kërkojë pjesëmarrjen edhe të shqiptarëve në ekipin negociues të Maqedonisë.

“Shpresojmë që bisedimet do të intensifikohen, por në qoftë se këto bisedime dështojnë, atëherë kërkesa jonë, kërkesa e DR-së dhe propozimi real do të ishte që në negociata patjetër të jetë prezent një përfaqësues shqiptar, i cili nuk do të ishte vetëm dekor në bisedime, por i cili do të angazhohet maksimalisht për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij kontesti”, deklaroi deputetja e Demokracisë së Re, Flora Kadriu.

Partitë politike shqiptare thonë se do të mbështesin çdo propozim për zgjidhjen e kontestit rreth emrit, por me kusht që ai të mos përmbajë prapashtesë sllave.
XS
SM
MD
LG