Ndërlidhjet

“Topi i bën bashkë Sejdiun me Vujanoviqin e Ivanovin”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

LAJM
Përderisa Qeveria e Kosovës nuk ka mekanizma parandalues, Komisioni Evropian (KE) nuk është në pozitë që ta ndalojë lëshimin e pasaportave biometrike të Serbisë për qytetarët e Kosovës. Të dy institucionet mbështeten në të drejtën e kosovarëve për dyshtetësi apo mundësinë e pajisjes me dy pasaporta, e drejtë kjo e garantuar me Planin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. “Çdo shtet e ka të drejtën të përcaktojë se kë e konsideron qytetar. Komisioni Evropian nuk është në pozitë që ta ndalojë lëshimin e pasaportave të Serbisë për qytetarët e Kosovës. KE po e shqyrton çështjen e lëshimit të pasaportave të Serbisë për qytetarët e Kosovës, brenda kornizës së dialogut për viza me Serbinë”, tha për “Lajm” Fjolla Çeku, zyrtare për informim në Zyrën ndërlidhëse të Këshillit të Evropës në Prishtinë...

KOHA DITORE
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, është nisur të martën për një vizitë zyrtare në republikën e Shqipërisë, me ftesë të presidentit Bamir Topi, në një takim të përbashkët edhe me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, dhe presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Ky takim vjen pas injorimit që dy presidentët e rajonit, Vujanoviq dhe Ivanov, i patën bërë presidentit të Kosovës, duke mos e ftuar në takimet e presidentëve të rajonit në vendet e tyre. Iniciativa ka qenë e presidentit Topi që t’i bëjë bashkë tre homologët e rajonit. Për këtë qëllim, ai ka ftuar që të tre në Vlorë, ku pritet që të bashkëbisedojnë për marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën e zhvillimit të tij në kuadër të vizionit të përbashkët euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimore...

INFOPRESS
Një listë e ngushtë emrash për zëvendësdrejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë është duke u diskutuar mes presidentit dhe kryeministrit të vendit. Burime të “Infopress”-it kanë bërë të ditur se lista prej 7 apo 8 emrash tashmë është në fazën finale të shqyrtimit nga Sejdiu e Thaçi, ndërkohë që në ditët në vijim pritet publikimi i emrave për postin e zëvendësdrejtorit dhe kryeinspektorit të AKI-së. Ndërkaq që edhe përgatitjet teknike për funksionalizimin e kësaj agjencie inteligjente tashmë janë bërë nga institucionet e Kosovës. sidoqoftë, për sa i përket listës së emrave për zëvendësdrejtor dhe kryeinspektor të AKI-së, zyrtarët e institucioneve të Kosovës nuk kanë pranuar të konfirmojnë ndonjë emër të mundshëm apo edhe kohën se kur pritet emërimi e tyre...

KOSOVA SOT
Projektligji për Qeverinë e Kosovës, i cili ka kohë që ishte futur në procedurën e miratimit në Kuvend, në lexim të parë, ishte tërhequr mbrapa nga ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami, me arsyetimin e disa plotësimeve dhe sqarimeve për koston financiare. Ky draft nuk është kthyer ende për shqyrtim në Kuvend. Ky projektligj, gjatë shqyrtimit të hollësishëm analitik në zyrën për standardizim në Kuvendin e Kosovës, ka marrë vërejtje aq të mëdha, saqë shqyrtimi i tij në Kuvend dhe miratimi do të shtyhet edhe për një kohë relativisht të gjatë. Në raportin preliminar të zyrës për standardizim, të cilin e ka në dispozicion gazeta, thuhet se fillimisht në memorandumin shpjegues të projektligjit mungojnë emrat e ekspertëve, të cilët e kanë hartuar atë, si dhe organizatat me të cilat kanë bashkëpunuar ata në hartimin e dokumentit bazik...

EXPRESS
Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se aktualisht nuk është në kombinim për të qenë kandidat i Lidhjes Demokratike për kryetar të Komunës së Mitrovicës. Vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deri më tash ka publikuar kandidaturën për kryetar të kësaj komune, duke e vendosur Hysni Ahmetin në krye të kësaj gare. Beteja për Mitrovicën deri më tash është cilësuar si një ndër më të rëndësishmet në politikën kosovare, për shkak të situatës në të cilën jeton ky qytet prej pasluftës. Sadri Ferati ka qenë kandidat i LDK-së për kryetar të Mitrovicës edhe në zgjedhjet komunale të vitit 2007, kur qe mundur në balotazh nga Bajram Rexhepi i PDK-së... “Nuk jam, as nuk kam qenë pjesë e bisedimeve për ndonjë kandidaturë për kryetar të Mitrovicës, as për mua as për dikë tjetër”, i ka thënë ministri Ferati gazetës “Express” të martën...

ZËRI
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar dje, në një seancë të veçantë plenare, për vjedhjen që ka ndodhur natën midis 24 dhe 25 prillit në Dhomën e dëshmive në Policinë e Kosovës, ndërkaq disa prej tyre i kanë rekomanduar Qeverisë që të shkarkojë nga detyra shefin e policisë, Sheremet Ahmetin, për shkak të përgjegjësisë menaxhuese lidhur me këtë skandal. Ndërsa debati nuk i ka përmbushur pritjet dhe në momente të caktuara është huqur krejtësisht edhe me dalje nga tema e vetme që ishte shtruar në Kuvend, shumë prej ligjvënësve kanë theksuar se skandali që ka ndodhur në Dhomën e dëshmive të Policisë së Kosovës, e ka dëmtuar së tepërmi imazhin e policisë, por edhe të institucioneve të Kosovës...

BOTA SOT
Institucionet relevante të shtetit vlerësojnë se që nga fillimi i këtij viti, e sidomos tre muajt e parë, ka rënie të dukshme të eksportit. Eksporti i Kosovës mbulon vetëm rreth 6 për qind të importit me vendet e CEFTA-s, kurse më pak se 6 për qind me vendet e tjera. Për tre muajt e parë të këtij viti, eksporti i përgjithshëm kap shumën rreth 24.5 milionë euro, prej tyre rreth gjysma vetëm në vendet anëtare të CEFTA-s. Vendet ku më së shumti realizohen eksportet janë: Maqedonia, Shqipëria, Greqia, Belgjika, Italia e Sllovenia. Produktet që vazhdojnë të eksportohen më së shumti janë: mbeturinat e hekurit rreth 49 për qind, produktet minerale 10 për qind dhe ushqime e pije 9 për qind. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, ka thënë se një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në rënien e eksportit të produkteve kosovare, është edhe kriza ekonomike botërore. Megjithatë, ai pohon se Qeveria e Kosovës po synon që përmes politikave të reja tregtare të ndikojë në zvogëlimin e deficitit tregtar, nxitjen e eksportit dhe zëvendësimin e importit me prodhime vendore...

EPOKA E RE
Së shpejti pritet të miratohet çmimorja e përkohshme e shërbimeve shëndetësore, ka njoftuar të martën për “Epokën e re”, Skënder Berisha, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Alush Gashit. Ai ka treguar se kjo çmimore nuk o të ketë ndikim te pacientët, të cilët nuk kanë sigurim shëndetësor. Berisha ka thënë se çmimorja e shërbimeve shëndetësore është përpiluar nga punëtorët shëndetësorë dhe ekspertë të ndryshëm nga të gjitha nivelet, dhe se janë bërë harmonizime të gjithanshme me të gjitha propozimet, në pajtim me kontributin e palëve të përfshira. “Kjo çmimore e përkohshme do të ketë efekt për kontraktimin e shërbimeve shëndetësore për kompanitë e sigurimeve apo të siguruarit e tjerë që pranojnë shërbimet shëndetësore në institucionet publike shëndetësore të Republikës së Kosovës...”, ka thënë Berisha...
XS
SM
MD
LG