Ndërlidhjet

Ligji i Punës do të miratohet këtë vit?


Ligji i Punës, i cili që nga viti 2004 nuk ka arritur të miratohet në Kuvendin e Kosovës, ka lënë punëtorët pa mbrojtje institucionale, thonë udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Haxhi Arifaj, nga kjo sindikatë, thotë se është absurde që institucionet e vendit ende nuk kanë arritur të miratojnë Ligjin e Punës. Ai thotë se për shkak të ligjit, i cili duhet t’i rregullojë marrëdhëniet në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit, të drejtat e punëtorëve në Kosovë po shkelen në mënyrë drastike, posaçërisht në sektorin privat, ku, sipas Haxhi Arifajt, janë të punësuar mbi 250 mijë punëtorë.

“Në atë sektor, punëtori nuk ka kontratë pune, nuk ka orar pune, nuk ka mbrojtje në punë, nuk ka mbrojtje shëndetësore dhe mos të them për stërzgjatjen e orarit të punës; pastaj, mospagesa e punës jashtë orarit, puna e natës dhe shumë e shumë probleme që ka në këtë sektor. Çka është më e keqja - nga mosmiratimi i këtij ligji, dëmtohet edhe qeveria në mosmbledhjen e tatimit”, thotë Arifaj.

Në anën tjetër, zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale pohojnë shkeljen e të drejtave të punëtorëve. Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës, thotë se mosmiratimi i këtij ligji ka ndodhur për shkak të mungesës së mjeteve financiare, por, sipas tij, ligji tashmë është në fazën përfundimtare. Dedaj shpreson se Kuvendi gjatë këtij viti do ta miratojë Ligjin e Punës.

“Ky ligj ka një kosto tepër të lartë, diku 14 milionë euro. Dhe, është e rëndësishme sepse krahas kompletimit të këtij ligji, duhet të mendojmë edhe për mbështetjen e tij financiare, koston e tij, sepse ne nuk kemi dëshirë që të bëjmë ligje vetëm sa për sirtarë, por të bëjmë ligje, të cilat janë të zbatueshme, për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Kjo është arsyeja e zvarritjes së miratimit të këtij ligji”,
pohon Dedaj.

Por, Haxhi Arifaj nuk beson se zvarritja e miratimit të ligjit ka ndodhur për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Arsye, sipas tij, është mungesa e vullnetit politik që të miratohet ky ligj.

“Jo, ajo nuk është kurrsesi dhe nuk mund të ketë arsyetim rreth mjeteve, sepse ky ligj për një vit kushton rreh 6 milionë euro dhe 6 milionë nuk janë asgjë që të kemi një ligj për punëtorinë kosovare. Si duket, është diku tjetër problemi dhe Kosova nuk mund të funksionojë me urdhëresa administrative, por me ligje dhe ligje bazike. Dikujt nuk po i konvenon që të mos nxirret ky ligj dhe të vazhdohet me udhëzime administrative”, thotë Arifaj.

Kritikat e BSPK-së nuk janë reale, thotë Gjergj Dedaj, duke theksuar se vullneti politik ekziston, por mundësitë buxhetore nuk lejojnë një gjë të tillë.

“Ne jemi të interesuar që të jemi tepër të përgjegjshëm, tepër seriozë dhe gjërat i marrim në kuadër të mundësive, të kapaciteteve, por edhe të respektimit të procedurave ligjore dhe demokratike, sepse një ligj, për t’u aprovuar, ai duhet të kalojë disa procedura, disa rrjedha, të cilat mendoj se janë normale për një vend demokratik”, shprehet Dedaj.

Ligji i Punës, që nga viti 2004, është kthyer 7 herë nga Kuvendi për rihartim dhe plotësim të disa amendamenteve, për shkak të, siç është thënë, implikimeve buxhetore. Ndërsa, nga korriku i vitit 2008, projektligji është hequr nga agjenda e Kuvendit me të njëjtin arsyetim.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG