Ndërlidhjet

logo-print

Tadiq: Ballkani duhet të integrohet në BE

  • Gordana Knezheviq, Radio Evropa e Lirë

Boris Tadiq

Boris Tadiq

”Jam i bindur se i tërë Ballkani duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht e di se secila fuqi e madhe ka interesa në Ballkan”, thotë presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në intervistën për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e Rusisë në Ballkan? Disa thonë se ky rol është konstruktiv dhe i motivuar nga interesat ekonomike, ndërsa tjerët thonë se Rusia dëshiron që përmes sektorit energjetik, të krijojë forma të kontrollit dhe dominimit në rajon...

BORIS TADIQ
Secila nga fuqitë e mëdha ka interesa strategjike në Ballkan. Në planin strategjik, Ballkani është shumë i rëndësishëm kur bëhet fjalë për tregti, ekonomi dhe energji.

Ballkani është rruga me e shkurtër ndërmjet Evropës dhe Azisë, ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë, që gjithashtu, në planin strategjik, është një vend shumë i rëndësishëm.

Së dyti, në Ballkan kryqëzohen jo vetëm rrugët e naftës dhe gazsjellësve (të tashëm dhe të ardhshëm) dhe për këtë shkak Ballkani ka peshë të madhe strategjike.

Jam i bindur se i tërë Ballkani duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht e di se secila fuqi e madhe ka interesa në Ballkan. Nëse Shtetet e Bashkuara kanë interesa legjitime në Ballkan, kjo do të thotë se interesa ka edhe Bashkimi Evropian, por edhe Rusia dhe Kina.

RADIO EVROPA E LIRË
Nënkryetari i Shteteve të Bashkuara, Xhozef Bajden, para do kohe ishte në Beograd. A ka sjellë kjo vizitë ndryshim në raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë?

BORIS TADIQ
Gjatë vizitës sime të fundit në Shtetet e Bashkuara kam thënë se Serbia ka interesim për vendosje të marrëdhënieve sa më të mira me Amerikën dhe kjo është ajo që jemi duke e bërë tash, pavarësisht që nuk kemi qëndrime të njëjta për të gjitha çështjet politike.

Nuk kemi qëndrim të përbashkët rreth çështjes së Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë njohur pavarësinë e Kosovës, madje nxisin vendet tjera që të bëjnë një gjë të tillë.

Serbia është krejtësisht kundër pavarësisë së Kosovës, jo vetëm për shkak të qëndrimit të vendit tim, por edhe për faktin që kjo çështje është para Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë.

Duhet pritur për të parë nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare. Ne jemi duke pritur vendimin përfundimtar të Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë.

Pavarësisht nga këto, ne duhet të vazhdojmë të kultivojmë marrëdhënie sa më të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi interes për raporte strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe kësaj i ka ndihmuar shumë vizita e nënpresidentit Bajden në Serbi.

Kemi biseduar për të gjitha aspektet e bashkëpunimit tonë, jo vetëm për çështje të sigurisë, por edhe për ato ekonomike dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë prisni, por nuk jeni duke e marrë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian?

BORIS TADIQ
Dëshiroj të shohim partneritet të vërtetë në të gjitha fushat, jo vetëm në fushën e sigurisë, por edhe të ekonomisë.

Serbia duhet të bëhet vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe kjo vlen edhe për vendet tjera të Ballkanit. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe jam i sigurt se e gjithë Evropa do të jetë më e qetë dhe më stabile, nëse Ballkani perëndimor integrohet në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Ata që ju rrethojnë ose që ju kritikojnë thonë: ”Presidenti Tadiq pak është pro amerikan, pak pro rus, pak nacionalist, pjesërisht pro evropian, por edhe euro-skeptik”. Si do ta përshkruanit ju veten?

BORIS TADIQ
Presidenti Tadiq është pro serb. Bëj krejt çfarë është në interesin e vendit tim dhe jam i bindur se interesat tona janë interesa edhe të Bashkimit Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG