Ndërlidhjet

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës besojnë se më së largu të enjten pritet lirimi i ish-kryeministrit Agim Çeku, që po mbahet në paraburgim 72 orësh në Bullgari. Ai u arrestua të martën, në kufirin mes Bullgarisë e Maqedonisë, në bazë të fletarrestimit ndërkombëtar, të lëshuar nga Serbia.


Gjykata e Drejtësisë në rajonin Kustendil të Bullgarisë do të vendosë brenda 72 orësh nëse do ta lirojë ose ekstradojë ish-kryeministrin Agim Çeku.

Kreu i Partisë Social-Demokrate u arrestua të martën, në kufirin maqedono-bullgar, nga policia kufitare e Bullgarisë, në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet serbe. Ai ngarkohet me akuza për krime lufte.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Dragovest Goranev, i tha Radios Evropa e Lirë se do të ndiqen procedurat e rregullta dhe se Gjykata e Drejtësisë do të vendosë.
Tash, rasti i tij është në duar të Gjykatës së Drejtësisë në Kustendil...

“Tash, rasti i tij është në duar të Gjykatës së Drejtësisë në Kustendil, sepse postblloku në të cilin ka hyrë Çeku në Bullgari, është nën juridiksionin e kësaj gjykate. Vendimi mund të merret deri brenda 72 orësh, ose edhe më herët”, tha Goranev.

Vendimi, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila po mban kontakte në lidhje me këtë rast me autoritetet bullgare, do të merret më herët. Zëdhënësja e kësaj ministrie, Albana Beqiri, thotë se më së largu nesër (të enjten), zoti Çeku do të jetë në Kosovë.

“Nga informatat e fundit që ka Ministria e Punëve të Jashtme, shpresojmë se deri nesër zoti Çeku do të kthehet në Kosovë”, tha ajo.

Ministria serbe e Drejtësisë thuhet se u ka nisur kërkesë zyrtare autoriteteve bullgare për ekstradimin e zotit Çeku. Por, Albana Beqiri përjashton mundësinë e ekstradimit.

“Jo, nuk ekziston, absolutisht. Absolutisht, jo. Më së largu nesër, ai është në Kosovë”, tha Beqiri.

Interpoli serb ka lëshuar disa fletarrestime për liderët kosovarë, nën akuzat për krime lufte gjatë konfliktit 1998/99. Ato cilësohen të pavlefshme për institucionet e Kosovës, por jo edhe për policitë ndërkombëtare.

“Fatkeqësisht, ky fletarrestim është valid për autoritetet policore në tërë botën. Kjo është arsyeja pse u arrestua zoti Çeku”, thotë zëdhënësi i MPJ-së bullgare, Dragovest Goranev.

Është hera e katërt që zoti Çeku arrestohet në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Interpoli serb. Së fundi, i ai u ndalua në Kolumbi, në të cilin vend pas dëbimit, nuk ka të drejtë të kthehet për dhjetë vjet me radhë.

Ka qenë ky rast ai që pati nxitur ministrin e Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, të kërkojë nga Interpoli që t’i shpërfillë fletarrestimet e lëshuara nga Serbia. Ministri Pajaziti thotë ta ketë marrë këtë përgjigje nga Interpoli.

Zenun Pajaziti
“Më ka ardhur një përgjigje nga Interpoli. Ata kanë thënë se kanë në konsideratë shqetësimet tona për rastet. Por, letra kryesisht ka qenë për rastin e zotit Çeku. Ata kanë sugjeruar që zoti Çeku personalisht duhet të interesohet në këtë drejtim, d.m.th. t’i drejtohet kësaj organizate”.


“Unë përgjigjen ia kam përcjellë zotit Çeku dhe i kam ofruar mbështetjen tonë për sa i përket udhëtimit të tij, duke i kërkuar që para udhëtimeve të kërkojë mbështetjen tonë, në mënyrë që ne të komunikojmë me shtetet ku ai do të udhëtojë”, tha Pajaziti.

Ndërkohë, vetë Interpoli, në faqen e tij të internetit, shkruan se nuk mund t’i anulojë fletarrestimet e lëshuara nga interpolet e caktuara shtetërore, sepse këtë duhet ta bëjnë vetë shtetet që i lëshojnë ato.

Serbia nuk ka anuluar ende as fletarrestimin ndaj kryeministrit Hashim Thaçi, i cili po ashtu ishte arrestuar, vite më parë, në Hungari, derisa ishte vetëm kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Por, ajo që mund ta mbrojë aktualisht kreun e Qeverisë, është imuniteti, që, sipas ligjit ndërkombëtar, u jepet krerëve shtetërorë. Të njëjtin imunitet e ka pasur edhe Agim Çeku sa ka qenë kryeministër, por pas kthimit në jetën civile, është aktivizuar sërish fletarrestimi ndaj tij.

Ministri Pajaziti mendon se ky problem do të evitohet vetëm atëherë kur Kosova të anëtarësohet në Interpol. Aktualisht, mekanizmi i vetëm që bashkëpunon me Interpolin, është UNMIK-u, e jo institucionet e Kosovës. Kjo për shkak se jo të gjithë anëtarët e kësaj organizate policore e njohin shtetin e pavarur të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG