Ndërlidhjet

“Vlorë: ‘Shkrihet’ akulli ballkanik”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, të mërkurën i është shqiptuar masa 72-orëshe e paraburgimit nga ana e autoriteteve prokuroriale të Bullgarisë. Kryetari aktual i Partisë Social-demokrate është kapur të martën në mbrëmje nga policia kufitare bullgare në vendin Gyueshevo, që ndan kufirin me Maqedoninë. Arrestimi i Çekut është bërë mbi bazën e një urdhër-arrestimi të lëshuar nga Serbia në vitin 2002, përmes të cilit, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohet për krime lufte. Përfaqësuesit e sistemit prokurorial në Sofje nuk e kanë përjashtuar mundësinë e ekstradimit të Çekut në Serbi, ndërsa autoritetet politike në Prishtinë kanë paralajmëruar lirimin e shpejtë të tij...

INFOPRESS
Samiti joformal i ftuar nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në Vlorë dhe me pjesëmarrje të presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, presidentit malazez, Filip Vujanoviq, dhe atij maqedonas, Gjorgje Ivanov, është vlerësuar si i rëndësishëm për të ardhmen e rajonit dhe posaçërisht për Kosovën. Në këtë samit, presidenti Sejdiu ka pasur mundësinë që të sqarohet me homologët e tij nga Maqedonia dhe Mali i Zi, sikurse të marrë edhe premtimet e tyre për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunuese. Presidentët e katër vendeve të rajonit, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi u zotuan në takimin e Vlorës për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe angazhimit të përbashkët në rrugën e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian...

KOSOVA SOT
Paralajmërimi i javës së kaluar nga kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Kushtetutë se për shkak të moshës së shtyrë të kandidatëve të propozuar, mund të kundërshtohet lista për anëtarë të Këshillit Drejtues të Institucionit Gjyqësor të Kosovës, është bërë realitet. E gjithë pakoja me emrat e kandidatëve të propozuar për Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës është refuzuar nga ana e Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi në mbledhjen e tij të parë të kësaj jave. Këtë vendim të komisionit e ka bërë të ditur për gazetën zëvendëskryetari i parë i komisionit, z.Adem Salihaj. Sipas Salihajt, vendimi është marrë me unanimitet të plotë të anëtarëve të komisionit...

EXPRESS
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherazi kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Rrustem Mustafa, i njohur si Komandant Remi, më 7 korrik do të ulet në bankën e të akuzuarve. Në këtë ditë, ndaj tij dhe dy ish-bashkëluftëtarëve të tij, Latif Gashit e Nazif Mehmetit, do të fillojë rigjykimi, ku të tre personat janë të akuzuar për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës ndaj popullatës civile. Për të njëjtën vepër penale, katër personat, duke përfshirë edhe Naim Kadriun, i cili ka vdekur nga një aksident trafiku, janë dënuar më 16 korrik të vitit 2003. Me aktgjykimin e gjyqtarëve të UNMIK-ut me numër 425/2002, Rrustem Mustafa qe dënuar me shtatëmbëdhjetë vjet heqje lirie, Nazif Mehmeti me trembëdhjetë, Latif Gashi me dhjetë, ndërsa tashmë i ndjeri Naim Kadriu, me pesë vjet burgim. Personat në fjalë u patën mbajtur në burg dy deri në tri vjet, ndërsa qenë liruar deri në plotfuqishmërinë e dënimit...

ZËRI
Derisa rrethi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, siç është shpallur prej kryetarit Sejdiu, do të mbahet më 15 nëntor, ka mbetur e hapur, siç dihet, çështja se kur do të mbahet rrethi i dytë, në garën për kryetarët e komunave. Tashmë është kuptuar që Ligji për zgjedhjet lokale, i cili përndryshe është miratuar me një procedurë të shpejtuar në Kuvendin e Kosovës, ka paraparë që dy kandidatët për kryetarë të komunave që marrin më së shumti vota në raundin e parë, të përballen në balotazh, katër javë pas të parit, që në rastin konkret ka domethënien e votimit në mes të muajit dhjetor, më konkretisht më 13 dhjetor. Duket që në skenën politike të Kosovës është krijuar një konsensus që të provohet që ky afat të shkurtohet, sepse dihet që në mesin e dhjetorit moti mund të jetë një kundërshtar i fortë i zgjedhjeve dhe po ashtu mund të ketë probleme dhe pengesa edhe kur flitet për praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë...

BOTA SOT
Të gjitha institucionet e Kosovës kanë reaguar të mërkurën për arrestimin e ish-kryeministri të Kosovës, Agim Çeku, të martën në mbrëmje, nga autoritetet e Bullgarisë në vendkalimin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë, i cili është lëshuar në vitin 2002... Sipas presidentit të vendit, Fatmir Sejdiut, fletarrestimet e Serbisë nuk mund të vlejnë për shtetasit e Kosovës. Ai tha se Kosova nuk është nën juridiksionin e Serbisë. “Të gjitha vendet e botës duhet ta kuptojnë se Kosova më nuk është nën juridiksionin e Serbisë dhe ata nuk mund të bëjnë ndalime të tilla me kërkesë të Serbisë”, tha presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu...

EPOKA E RE
Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, ka deklaruar se të gjitha pakicat që jetojnë në Kosovë duhet të ndihmojnë në krijimin e decentralizimit dhe të dalin të gjithë në zgjedhje, pasi këto dy çështje do t’u ndihmojnë në krijimin dhe ndërtimin e jetës më të mirë të tyre. Këto komente Feith i ka bërë të mërkurën, gjatë një tryeze me temën “Integrimi i bashkësive etnike”, të organizuar nga Projekti për Marrëdhënie Etnike... “Kemi arritur në pikën ku edhe po shihen hapat që kemi marrë. Të gjitha komunitetet duhet të jenë pjesëmarrëse dhe ta japin kontributin në këtë proces. Decentralizimi është për të mirën e të gjithëve, sepse pushteti afrohet tek qytetarët”, ka theksuar shefi i ICO-së, Piter Feith...

LAJM
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vendosur që të mos jetë më pjesë e replikave me zyrtarët e Qeverisë, që vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Gjatë një aktiviteti partiak, të mërkurën, Haradinaj tha se nuk do t’u përgjigjet pyetjeve të shtruara në një letër të hapur nga zëvendësministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Adem Grabovci. Ai i është referuar një thënieje që e kishte dëgjuar nga një politikan, për të kërkuar nga zyrtarët e PDK-së që t’i ndalin akuzat ndaj tij. “E kam dëgjuar më herët një thënie të një politikani që kishte thënë ‘ndalni rrenat se po i ndalim edhe faktet, veç ndalni rrenat”, tha Haradinaj, gjatë një pritjeje që u ka bërë anëtarëve të Kryesisë së degës së AAK-së në Suharekë...
XS
SM
MD
LG