Ndërlidhjet


Të gjitha substancat psiko-aktive përdoren nga të rinjtë e të gjitha etniteteve në Kosovë. Përderisa substancat narkotike përdoren në një përqindje më të ulët, afër 45 për qind e të rinjve kosovarë janë konsumues të duhanit.

Kështu thuhet në një raport, i cili pritet të publikohet nesër nga tri agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, më konkretisht nga Organizata Botërore e Shëndetit, Fondi i Fëmijëve dhe Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara.

Dren Rexha, nga UNICEF-i, pohon se raporti analizon nivelin e përdorimit të substancave psiko-aktive në mesin e të rinjve, përdoruesve të drogave injektuese dhe të të burgosurve.

“Nga mostra e të anketuarve, 3.8 për qind e të rinjve kanë raportuar se kanë provuar kanabisin, marihuanën apo hashashin; 0.4 për qind kanë raportuar se kanë përdorur heroinën. Sa i përket substancave psiko-aktive në përgjithësi, del se 43.5 për qind e të rinjve të moshës 15-24 vjeç, janë përdorues të duhanit në Kosovë. Po ashtu, edhe rreth 38 për qind janë përdorues të alkoolit”, thotë Rexha.

Të dhënat në raport do të përdoren për të krahasuar përdorimin e drogave psiko-aktive tek të rinjtë kosovarë me shkallën e përdorimit tek të rinjtë në tërë botën, thotë Rexha. Sipas tij, brengosës në këtë raport është fakti se krahasuar me vitet e mëparshme, drogën për herë të parë fillojnë ta përdorin në moshë shumë të re.

“Ajo që është më brengosëse, është zvogëlimi i fillimit të moshës së përdorimit të substancave narkotike, konkretisht drogës. Sepse, vërehet një trend krahasuar edhe me studimet e mëparshme që janë bërë, përderisa para dhjetë vjetësh fillimi i përdorimit të drogave ka qenë në fundin e moshës 30 vjeç, ndërkaq tashmë ka kaluar në fillim të moshës 20 vjeç”, deklaroi Rexha.

Problem tjetër në këtë drejtim, sipas Rexhës, paraqet dhe fakti se përdorimi i drogës dhe i substancave tjera psiko-aktive po ndodh në një mjedis me mundësi shumë të kufizuara të parandalimit dhe të trajtimit.

Rexha thotë se qeveria dhe institucionet tjera kompetente duhet të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje ndaj përdorimit dhe abuzimit me substanca psiko-aktive në Kosovë.

“Duke pasur parasysh të dhënat e hulumtimit dhe faktin që në Kosovë mungojnë institucionet adekuate dhe të mjaftueshme që duhet të merren me personat përdorues të substancave psiko-aktive, u rekomandohet institucioneve që fillimisht të bëhet krijimi i një komuniteti ndërministror dhe shumëdimensional, i cili do të përfshinte aktorë të ndryshëm si qeveritarë dhe joqeveritarë”, thotë Rexha.

Ndryshe, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organizata joqeveritare, po punon në parandalimin e kësaj dukurie. Arbër Beka, zëdhënës në Policinë e Kosovës, pohon se vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2009, Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve ka arrestuar 17 persona të dyshuar për përdorim të substancave narkotike, ndërkaq ka konfiskuar 17 kg heroinë.

“Policia e Kosovës punon edhe në aspektin e parandalimit. Në këtë drejtim kemi njësitet e policisë në komunitete, të cilët, në bashkëpunim me organizata joqeveritare, kanë mbajtur ligjërata në shkollat e mesme, për të edukuar të rinjtë kosovarë, sidomos brezin e shkollave të mesme, për dukuritë negative që sjellin substancat narkotike, natyrisht edhe përdorimi i tyre”, pohon Beka.

Në raport gjithashtu thuhet se programet gjithëpërfshirëse të trajtimit dhe rehabilitimit duhet të jenë në dispozicion për ata që kanë nevojë për to. Programet aktuale nuk kanë kapacitet t’i trajtojnë të gjithë ata, të cilët mund të kërkojnë trajtim. Këto programe duhet të ofrojnë një varg shërbimesh efektive.

Qasja tek drogat psiko-trope pa recetë nëpër barnatore, thuhet se është një problem tjetër kritik në Kosovë, që duhet të adresohet.

Ndryshe, hulumtimi është zhvilluar në tërë territorin e Kosovës, në të cilin janë përfshirë mbi 1300 persona nga mosha 15 deri 24 vjeç.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG