Ndërlidhjet

Beogradi fton serbët t’i ndalin protestat (!)


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë

Qeveria e Serbisë fton serbët e veriut që t’i ndalin protestat dhe bllokimin e rrugëve. Këto protesta pasojnë masat e EULEX-it, sipas të cilave, në dy pika kufitare me Serbinë, që nga 20 maji, regjistrohen të gjitha kalimet e njerëzve dhe mallrave.

Qeveria e Serbisë si dhe disa nga përfaqësuesit lokalë serbë u bëjnë thirrje qytetarëve të këtij komuniteti që të heqin dorë nga bllokimi i rrugëve në kalimet kufitare në pjesën veriore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, thotë se nuk sheh arsye pse të protestohet dhe të bllokohen rrugët, marrë parasysh se EULEX-i nuk i obligon serbët që të paguajnë doganën për kalimin e mallrave nga Serbia në Kosovë.

Përderisa ka vetëm evidentim të mallrave, Bogdanoviq thotë se bllokadat e tilla vetëm krijojnë tensione dhe asgjë më tepër.

Në atë moment kur do të vendosen pagesat doganore pa marrëveshje me Beogradin dhe serbët lokalë, atëherë unë i pari do të reagoja dhe protestoja në këto vendkalime kufitare”, thotë Bogdanoviq.

Pika kufitare Jarinë
Ai u bën thirrje serbëve që t’i ndalin këto protesta. Mirëpo, protestuesit serbë kanë dilema nëse duhet t’u binden thirrjeve të Bogdanoviqit.

Me qytetarët serbë solidarizohet edhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Stevan Bozhoviq. Ai thotë se do të ketë bllokime selektive në rrugën magjistrale që lidh lokalitetet Zubin Potok – Ribariq dhe Novi Pazarin.

Duke iu përgjigjur ministrit serb, Bozhoviq thotë se Bogdanoviqi nuk u ka sqaruar atyre se në çfarë forme serbët duhet të protestojnë.

“Ai pati deklaruar se nëse do të vendosen doganat, ai i pari do të dalë në protesta. Por, kur të vendosen doganat, atëherë do të jetë shumë vonë që të dalë ai apo kushdo qoftë”, thotë Bozhoviq, në mbështetje të protestuesve.

Në anën tjetër, edhe Rada Trajkoviq, nënkryetare e Këshillit Kombëtar Serb, nga pjesa qendrore e Kosovës, kritikon mënyrën e sjelljes së serbëve në pjesën veriore. Trajkoviq përkrah angazhimin e EULEX-it që në pikat kufitare me Serbinë të regjistrohen kalimet e njerëzve dhe mallrave.

Këto regjistrime, nënvizon Trajkoviq, janë në të mirën e zvogëlimit dhe parandalimit të kontrabandës, që zhvillohet përmes këtyre portave kufitare.

Rada Trajkoviq
“EULEX-i po punon në diçka që në asnjë mënyrë nuk e pengon qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, por vetëm bën regjistrimet e nevojshme në funksion të luftimit të kontrabandës dhe kjo nuk duhet ta pengojë askënd”,
thekson Trajkoviq.

Misioni i Bashkimit Evropian - EULEX, në bazë të mandatit që ka në Kosovë si mision për sundim të ligjit, ka autorizime në dogana, ngjashëm me autorizimet në polici e gjykata.

Që nga 20 maji, ky mision ka filluar t’i bëjë regjistrimet e kalimeve kufitare nga Serbia në Kosovë, në Jarinë dhe Bërnjak. Aty regjistrohen kalimet dhe evidentohet vlera e mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë përmes këtyre dy pikave kufitare, por nuk paguhet dogana.

Këto masa thuhet se kanë për qëllim vetëm evidentimet e nevojshme që shkojnë në funksion të parandalimit të kontrabandës.

Sidoqoftë, portat kufitare në pjesën veriore bëjnë përjashtim, ngase në pikat tjera që lidhin Kosovën me vendet fqinje paguhet dogana e paraparë për kalimin e mallrave nga vendet tjera për në Kosovë.
XS
SM
MD
LG