Ndërlidhjet

Thaçi: Gruevski ka për qëllim të shkatërrojë Maqedoninë


Menduh Thaçi
Menduh Thaçi

“Maqedonasit e shkatërruan Marrëveshjen e Ohrit. Gruevski e ka qëllimin final që të shkatërrojë Maqedoninë, të shkatërrojë kombin maqedonas”, thotë Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, keni dalë me një ofertë konkrete për një marrëveshje të re shqiptaro – maqedonase, hartuar nga një grup i ekspertëve të profileve të ndryshme. Pse? Mendoni se janë shterur të gjithë mekanizmat për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke e bërë atë jofunksionale?

MENDUH THAÇI
Marrëveshjen e Ohrit, me plot vetëdije, në mënyrë shumë të saktë, e shkatërruan vetë maqedonasit.

Ju kujtohet, që në fillim ata nuk kishin dëshirë që ta nënshkruajnë atë marrëveshje, më pastaj ju kujtohen lëvizjet e ndryshme politike, organizimet e referendumeve kundër kësaj marrëveshjeje dhe mendoj që vitin e kaluar definitivisht arritën që ta shkatërrojnë dhe ta bëjnë të papërdorur.

Kjo politikë e re shumë arrogante nacionaliste, për të mos thënë naciste, e Qeverisë së Maqedonisë, do të nxjerrë në shesh atë që ata nuk heqin dorë prej tendencës për krijimin e shtetit etnik të popullit maqedonas dhe me këtë nuk mund të pajtohemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është qëllimi kryesor i marrëveshjes 15 pikëshe shqiptaro-maqedonase dhe ky dokument a parasheh dhe ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë?

MENDUH THAÇI
Njëherë është konstatimi se Marrëveshja e Ohrit është shkatërruar.

Mandej është argumentimi i pozicioneve të shqiptarëve tejet të degraduara në sistemin e institucioneve dhe më pastaj oferta për secilin sektor – aspektin ekonomik, aspektin e supremacionit ekonomik që bëhet ndaj shqiptarëve, moszhvillimi i njëjtë aty ku jetojnë shqiptarët, organizimi territorial i pushtetit lokal në mënyrë fatale për shqiptarët, çështja e gjuhës, çështja e identitetit për shqiptarët, pasi që maqedonasit, kohët e fundit, e bënë pjesë të politikës shtetërore identitetin e tyre maqedonas, neutraliteti i shtetit, sekuraliteti në aspektin religjioz, por neutraliteti i shtetit edhe në aspektin e mbështetjes së kulturave të këtyre popujve.

Domethënë, shteti duhet të funksionojë në aspekt ligjor dhe kushtetutar, të mos jetë stimulues për njërin etnitet apo komunitet e kështu me radhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga kush pritni të mbështetet kjo marrëveshje e re mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe a shpie ky dokument drejt federalizimit apo edhe më tej do të insistoni në multietnicitetin e Maqedonisë? Çka nëse ky dokument injorohet nga strukturat relevante politike të vendit?

MENDUH THAÇI

Mund të na injorojnë, flas për forcat politike maqedonase dhe për Qeverinë.

Nuk do të përdorim metoda që të shkelim normat demokratike, por do t’iu lëmë një testament se ky ishte tentimi i fundit i shqiptarëve, i një force politike shqiptare për ta marrë mbi atë, ndoshta tentimi ynë i fundit për ta shpëtuar insistimin e Maqedonisë në këtë variant, edhe pse jam i vetëdijshëm se në start ka kompromis.

Shqiptarët nuk kërkojnë përcaktim territorial të territorit të tyre, por e respektojnë paradigmën e Unionit Evropian të shtetit multietnik.

Do t’u themi që kjo është e fundit; pas kësaj mund të ballafaqohen me atë energji dhe kapacitete të shqiptarëve për të krijuar shtetin shqiptar në këto territore.

Nuk hezitojmë t’ua themi këtë, sepse nga aspekti edhe i përvojës, por edhe i pakënaqësisë që është tek shqiptarët këtu, e shohim se do të vijë deri te ajo.

RADIO EVROPA E LIRË
Është theksuar dhe nga vetë kreu shtetëror se është shtuar presioni si ndaj Shkupit, ashtu dhe Athinës zyrtare, nga ana e komunitetit ndërkombëtar që sa më parë të zgjidhet kontesti rreth emrit. A mund të thuhet se ky proces shkon kah finalizimi?

MENDUH THAÇI
Greqia nuk ka kurrfarë presioni, Greqia nuk humb asgjë. Greqisë nuk i kushton kjo betejë, Maqedonisë i kushton, Greqisë i kushton vetëm një deklaratë.

Problemi është se formulimi është gabim. Nuk është ky problem bilateral, nuk është ky problem i Maqedonisë me Greqinë. Ky është problem i Maqedonisë me NATO-n, problem i Maqedonisë me Unionin Evropian.

Tentimi i qeverisë për ta zbritur në nivel bilateral tregon paaftësi të kuptimit të problemit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e shqiptarëve në zgjidhjen e këtij kontesti?

MENDUH THAÇI
Aspekti parimor i qasjes që kanë pasur shqiptarët drejt problemit të emrit, mendoj se tashmë nuk do të jetë.

Ne i lamë një kohë të gjatë maqedonasit që të vendosin ata vetë, nuk duket se ne jemi të njëanshëm.

Por, më duket se ajo përfundoi me një përçarje të fuqishme brenda shoqërisë maqedonase dhe besoj se Gruevski është ai që e stimuloi këtë përçarje.

Ai e ka qëllimin final që të shkatërrojë Maqedoninë, ai ka qëllimin final që të shkatërrojë kombin maqedonas.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, sipas jush, pse zvarritet procesi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën?

MENDUH THAÇI
Gruevski, në momentet më të rënda, më të vështira historike të maqedonasve, i nxit shqiptarët për t’i armiqësuar me shqiptarët. Ky është fatalitet për Gruevskin.

Nxitja permanente që u bën shqiptarëve që të armiqësohen, është një politikë fatale, shumë e dëmshme.

Flas për acarimin Gruevskit që e bën me të gjithë shqiptarët, me shqiptarët e Maqedonisë, me shqiptarët në Kosovë, me shqiptarët në Shqipëri; është një politikë shumë e gabuar.
XS
SM
MD
LG