Ndërlidhjet

Favoritët e zgjedhjeve komunale


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Partitë politike garuese për zgjedhjet komunale në Kosovë thonë se po i intensifikojnë përgatitjet e tyre që në këtë proces zgjedhor të hyjnë më të përgatitura. Secila nga to thotë se është favorite e këtyre zgjedhjeve.



Partitë politike në Kosovë thonë se po hyjnë më të përgatitura në procesin e ardhshëm zgjedhor. Secila nga pesë partitë parlamentare thotë se e sheh veten favorite në zgjedhjet komunale të 15 nëntorit, duke i bazuar këto pritje në programin dhe ofertën e tyre për votuesin.

Partia Demokratike e Kosovës thotë se puna e bërë në nivelin qendror dhe atë lokal, do të jetë bazë e mirë për këtë subjekt politik për zgjedhjet e ardhshme komunale.

Blerand Stavileci, zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se udhëheqja me Qeverinë e Kosovës e ka forcuar edhe më shumë PDK-në për zgjedhjet e 15 nëntorit.

“Unë besoj se me potencialin që ka PDK-ja, ky është vetëm minimumi. PDK-ja mund të arrijë shumë më tepër dhe besoj se para këtyre të arriturave janë dëshmitarë edhe vetë qytetarët".

"Ne e dimë se ka akoma probleme, vështirësi dhe sfida, me të cilat do të ballafaqohemi ne dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Por, megjithatë, nuk mund të rrimë symbyllur para asaj që është arritur”,
thotë Stavileci.

Ndryshe nga PDK-ja, partia partnere në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se koalicioni e ka dëmtuar si subjekt politik.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se LDK synon që të kalojë testin e zgjedhjeve të ardhshme për t’u rikthyer në skenë si subjekt më i fuqishëm, sesa që është tash.

“Nëse nuk mund të thuhet testi përfundimtar, një test jashtëzakonisht i rëndësishëm është. Po. Ne duhet ta pranojmë se pak jemi të hendikepuar nga fakti se na u desh, ka qenë imponim i rrethanave, i situatës, që të jemi në koalicion".

"Po të mos ishim në koalicion, do të kishim mundur të fokusohemi më shumë në punën e partisë. Besoj se është e rëndësishme që të dalim, në mos asgjë, të mos biem më poshtë sesa që jemi, e normalisht synimi ynë është që ta shtojmë përqindjen e komunave”,
deklaron Beqiri.

Me ambicie për fitore niset në këto zgjedhje edhe opozita. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas nënkryetarit Ahmet Isufi, me këto zgjedhje do të dëshmohet se është parti që shtrihet në gjithë Kosovën dhe jo vetëm në rrafshin e Dukagjinit, ku në të kaluarën ka shënuar rezultate më të mira në zgjedhjet komunale.

AAK tashmë ka bërë publikë emrat e 15 kandidatëve të saj për kryetarë të komunave dhe, sipas Ahmet Isufit, këto ditë do të vazhdohet edhe me kandidimet tjera.

“Sipas parashikimeve tona dhe lëvizjeve që janë duke u bërë në elektoratin e Kosovës, do të jemi në shumicën e komunave në Kosovë dhe jo vetëm në rajon".

"AAK do të jetë në tërë Kosovën e shtrirë dhe jo siç ka ndodhur më herët të kemi dominim në një rajon, por, përkundrazi, tani në të gjitha rajonet jemi prezentë”,
thekson Ahmeti.

Ligjvënësit kosovarë
Mbështetur në ofertën dhe programin e saj, edhe Aleanca Kosova e Re beson në një sukses më të madh në zgjedhjet komunale të 15 nëntorit.

Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së, thotë se ka ardhur tashmë koha, kur votuesi do të përcaktohet se kujt do t’ia japë votën vetëm në bazë të ofertës së partisë dhe kandidatit që garon për kryetar komune.

Kështu që ai beson se AKR-ja ka se çka t’u ofrojë votuesve krahasuar me punën që është bërë deri më tash.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën gjenden qytetarët tanë dhe pothuajse nuk ka pasur as lëvizje më të vogël në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve".

"Dhe, ky përmirësim i jetës së qytetarëve nuk vjen përmes deklarimeve, nuk vjen përmes programeve në letër, por vjen duke iu përveshur punës së drejtpërdrejtë në terren. Komunat tona kanë resurse të mjaftueshme njerëzore e natyrore për të mundësuar një zhvillim efikas të tyre”,
thotë Makolli.

Ndërsa e sheh veten si subjekti më i organizuar opozitar, Lidhja Demokratike e Dardanisë beson se ka krijuar një subjektivitet që njihet dhe respektohet nga opinioni.

Anëtari i Kryesisë së LDD-së, Naser Rogova, beson se LDD do të dalë me një rezultat shumë të mirë, ku ai përmend me emra edhe komunat në të cilat pret fitoren.

“Lidhja Demokratike e Dardanisë synon të fitojë një numër të komunave, sidomos në disa komuna të rajonit të Anamoravës, me theks të veçantë në Ferizaj, në Viti, në Gjilan dhe në Dardanë, dhe në disa komuna të Dukagjinit".

"Ndërsa, për Prishtinën do të jetë një kandidat befasi për qytetarët e kryeqytetit tonë dhe për Kosovën”,
tha Rugova.

Zgjedhjet e ardhshme lokale, të parat në Kosovën e pavarur, do të jenë të rëndësishme edhe për faktin se zgjatet mandati i pushtetit lokal nga dy në katër vjet. Po ashtu, këto zgjedhje do të ndërlidhen edhe me decentralizimin dhe krijimin e komunave të reja.

Ndërkaq, sfidë më vete për institucionet mbetet përfshirja e pakicës serbe, sidomos në pjesën veriore.
XS
SM
MD
LG