Ndërlidhjet

Stabiliteti politik varet nga ekonomia



Pa një zhvillim të mirëfilltë ekonomik, nuk mund të ketë stabilitet politik, pohojnë zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, gjendja politike në Kosovë vazhdon të jetë e brishtë, pikërisht për shkak të zhvillimit të dobët ekonomik.

Zylfije Hundozi, kryetare e Komisionit parlamentar për integrime evropiane, thotë se gjendja sociale në Kosovë është shqetësuese, për shkak të nivelit të lartë të papunësisë dhe varfërisë. Ajo shpreh drojën se lëkundjet aktuale mund të eskalojnë në kahje negative.

“Ky është një faktor shumë me rëndësi, nëse e marrim parasysh që papunësia në Kosovë është shumë e madhe, afër 60 për qind; varfëria është më e larta në Evropë. Kështu që kur personi është i papunë, kur personi është i uritur, do të krijojë më lehtë trazira psikike tek ai kjo situatë. Gjithashtu kur ka trazira psikike, kur ka pakënaqësi në popullatë, atëherë edhe situata politike nuk do të jetë stabile”,
thotë zonja Hundozi.

Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka pasur përmirësime në disa fusha të caktuara në sektorin ekonomik, por, megjithatë, sipas tyre, nuk ka hapësirë për t’u kënaqur me situatën aktuale.

Për këtë çështje, Petrit Gashi thotë se në Kosovë ekziston një numër i madh i popullsisë si faktor potencial, që, sipas tij, mund të destabilizojë situatën politike.

“Normalisht që është një potencial i madh. Një numër i madh i të papunëve kanë potencial për të shkaktuar telashe, se njerëzit kanë nevoja dhe ato duhet t’i plotësojnë. Është çështje shumë e vërtetë se potenciali ekziston, është shumë e vërtetë se avancime ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen, por kërkon shumë kohë”, u shpreh ai.

Por, zonja Hundozi, nga Komisioni parlamentar për integrime evropiane, komision ky që monitoron programet donatore të Bashkësisë Evropiane, të dedikuara për Kosovë, thotë se zhvillimi ekonomik varet shumë nga investimet e huaja. Sipas saj, gjatë periudhës 2008-2009 nuk ka pasur asnjë investim ndërkombëtar në Kosovë.

“Ka ngecje në zhvillim ekonomik. Edhe pse qeveria po e paraqet një rritje në bruto-produktin vendor, prapëseprapë ngecja në zhvillimin ekonomik është evidente, nuk ka rritje të rrogave për një kohë shumë të gjatë, nuk ka krijim të vendeve të reja të punës, investime të huaja nuk ka pasur gjatë krejt vitit 2008-2009”.

“Kështu që kemi ngecje në zhvillimin ekonomik. Edhe në progresin e Komisionit Evropian i janë dhënë vërejtje shumë të mëdha qeverisë, sa i përket zhvillimit ekonomik. Aty është konstatuar një ngecje”,
thotë Hundozi.

Ndërkaq, Igballe Rexha, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, i pohon përpjekjet e vazhdueshme që po bëhen nga ana e institucioneve për përmirësimin e gjendjes ekonomike.

“Institucionet janë të thirrura që të krijojnë legjislacion në këtë drejtim, që të krijojnë kritere dhe mundësi që ata të fillojnë kryesisht me bizneset e tyre, si me biznese të vogla, ashtu edhe me biznese të mesme, që të dalin nga kjo situatë”, thotë zonja Rexha.

Ndryshe, edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë tashmë kanë vlerësuar se situata e qetë politike varet nga zhvillimi ekonomik.
XS
SM
MD
LG