Ndërlidhjet

Berisha/Rama: Nuk ka të humbur, ka fituar Shqipëria evropiane


Tiranë

Tiranë

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë përmbyllur të qeta dhe pa incidente. Dalja në vendvotime ishte dukshëm më e lartë së në vitin 2005. Rezultatet e Exit Poll-eve thonë se fituese e zgjedhjeve është Partia Demokratike.


Në Shqipëri kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare, që janë parë si test madhor i demokracisë. Raportohet se nuk ka pasur probleme të mëdha.

Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, tha se kishte “parregullsi të vogla”, por ato ishin më pak dhe me më pak peshë se në zgjedhjet e mëparshme.

Gjatë ditës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka paraqitur të dhëna për dalje në votime.

Menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp, ka thënë se dalja në vendvotime ishte së paku 15 për qind më e lartë se në zgjedhjet e vitit 2005.

Berisha ka thënë se në këto zgjedhje nuk ka të humbur, ka vetëm të fituar, sepse Shqipëria evropiane është Shqipëria e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

I pyetur të vlerësojë ecurinë e zgjedhjeve, kryeministri Sali Berisha ka thënë se vlerësimin përfundimtar do ta japin vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë.

Para gazetarëve ka dalë edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrje masive në votime.

Rama ka thënë se është realizuar objektivi i garantimit të procesit dhe qetësisë për votimin e lirë dhe të qetë.

Ai ka vënë në pah se e rëndësishme është edhe faza e dytë e procesit, që ka të bëjë me transportin e kutive të votimit.

Rama gjithashtu i është bashkuar Sali Berishës, duke vlerësuar se në këto zgjedhje nuk ka të humbur, pasi ka fituar Shqipëria evropiane.

Në një sondazh që ka bërë “Gani Bobi” nga Prishtina, këto zgjedhje janë fituar nga Partia Demokratike, e cila, sipas këtij vlerësimi, ka siguruar 76 mandate, Partia Socialiste 60 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 4 mandate.

Zgjedhjet janë vëzhguar nga afro 500 monitorues ndërkombëtarë. Pritet që rezultatet e para zyrtare të shpallen diku pas mesnate.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG