Ndërlidhjet

PD në epërsi, sipas sondazheve


Kryeministri Sali Berisha në konferencë për shtyp, pas exit poll-eve të para, 28 qershor '09.
Kryeministri Sali Berisha në konferencë për shtyp, pas exit poll-eve të para, 28 qershor '09.

Exit poll-et e hershme paralajmërojnë se në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha ka fituar më shumë vota se Partia Socialiste opozitare e Edi Ramës.


Exit poll-et e kryera nga Qendra Gani Bobi me seli në Kosovë, Zogbi Interneshënel me seli në Shtetet e Bashkuara dhe nga agjencia italiane IPR Marketing, i japin partisë së zotit Berisha një epërsi.

Megjithatë, procesi i numërimit të votave zyrtarisht vazhdon në komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve.

Thuhet që ky ka qenë një proces mjaft i gjatë, derisa të gjitha kutitë e votimit kanë mbërritur pranë komisioneve të administrimit të zgjedhjeve dhe ka nisur vetëm në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Siç konfirmon edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, do të jetë e vështirë që të kapet edhe ora 17:00 e pasdites së sotme, që KQZ-ja e shënon dhe si afat zyrtar për të publikuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Por, gjithsesi, raportohet që deri në orën 17:00, komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve do ta japin një konfigurim paraprak të tendencës zyrtare tanimë të elektoratit shqiptar dhe do të fillojë gradualisht që të formësohet edhe qartësia e votës së elektoratit shqiptar lidhur me forcën fituese të këtyre zgjedhjeve, që, sikurse i kanë konsideruar ndërkombëtarët, janë shumë të rëndësishme, janë një test për Shqipërinë drejt Evropës.

Pas zgjedhjeve, qindra mbështetës të Partisë Demokratike kishin dalë në rrugët e qyteteve, duke festuar rezultatet jozyrtare, të cilat i jepnin kësaj partie epërsi. Por, lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar që të priten rezultatet zyrtare, pasi, sipas tij, “procesi po zhvillohet”.

Sidoqoftë, vlerësimet nga pikëpamja e ecurisë së procesit kanë qenë mjaft të mira. Thuhet të ketë qenë një proces i qetë, i zhvilluar qetësisht, sipas të gjitha standardeve të një vendi ndërkombëtar.

Nuk janë raportuar incidente që mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG