Ndërlidhjet

IHT: “Shpresat evropiane të Shqipërisë”


“International Herald Tribune”


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kandidati i Partisë Demokratike, duket se ka fituar në zgjedhjet parlamentare të së dielës, të cilësuara si një test thelbësor për vlerat demokratike të Shqipërisë dhe gatishmërinë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.

Zgjedhjet ishin garë midis zotit Berisha, kirurg i dikurshëm i kardiologjisë, qeveria e qendrës së djathtë e të cilit futi Shqipërinë në NATO, kundër zotit Edi Rama, nga Partia Socialiste, ish-piktor, i cili ka ringjallur kryeqytetin nga hija e keqe staliniste.

Shqipëria, një vend i varfër në Ballkanin jugor me 3.6 milionë banorë, është ende në betejë për të tejkaluar traditën e korrupsionit dhe mungesës së sundimit të ligjit, pas më shumë se katër dekadash diktature brutale. Gjatë zgjedhjeve, të dy kandidatët u zotuan se do ta sjellin Shqipërinë më afër Bashkimit Evropian dhe do të përmirësojnë prospektet ekonomike.

Pothuajse të gjitha zgjedhjet, që prej rënies së komunizmit, kanë qenë të kontestueshme. Zgjedhjet e së dielës janë përshkuar me një atmosferë të një mosbesimi të thellë dhe të ndërsjellë midis partive politike dhe madje edhe para se të përfundonin votimet, dy partitë kryesore akuzuan njëra-tjetrën për manipulim zgjedhor.

Votimet, të parat që prej hyrjes së këtij vendi në NATO dhe që prej aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, janë parë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara si barometër kritik për pjekurinë politike të Shqipërisë.

Bashkimi Evropian, i cili tashmë ndjen se është zgjeruar më tepër seç duhet, ka hamendje për ta pranuar këtë vend të varfër, nga frika se mund ta bartë me vete mungesën e sundimit të ligjit brenda bllokut.

Vëzhguesit zgjedhorë thanë se është ende herët për të dhënë vlerësime nëse akuzat për manipulime zgjedhore ishin diçka më shumë se pompozitet politik, megjithëse Robert Bosh, nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, ka thënë se votimet duket se janë zhvilluar qetësisht, me më pak parregullsi zgjedhore se në të kaluarën.

Sidoqoftë, vëzhguesit e pavarur thanë se kishte pasur disa probleme sporadike në disa vendvotime, përfshirë këtu edhe keqtrajtimin e votuesve nga partitë politike, mungesën e ngjyrës që pamundëson votimin e dyfishtë dhe votimin e burrave në emër të grave të tyre dhe anëtarëve tjerë të familjes.

Vëzhguesit gjithashtu thanë se janë duke shqyrtuar akuzat se zyrtarë të Partisë Socialiste kishin shfrytëzuar stilolapsa me kamera të fshehta për të spiunuar homologët e tyre nga Partia Demokratike.
XS
SM
MD
LG