Ndërlidhjet

Imazhi i Kosovës jashtë mund të përmirësohet apo dëmtohet nga vetë njerëzit dhe qeveria e saj. Ndërkohë, tri realitete të ndryshme bëjnë që vendi të stagnojë, kurse kriza ekonomike duket sa nuk ka shpërthyer. Kështu u tha gjatë një debati në Prishtinë.


Gjashtëmbëdhjetë muaj pas pavarësisë së Kosovës, gjërat duket se nuk kanë shkuar në drejtimin e duhur.

Mosnjohja nga të gjitha vendet e BE-së, ekzistimi i Rezolutës 1244, prania e strukturave paralele serbe, moszhvillimi ekonomik - janë disa nga faktorët, për të cilët analistë ndërkombëtarë e vendës mendojnë se dëmtojnë funksionimin e Kosovës si shtet.

Analisti Tim Xhuda mendon se vetë Kosova mund të përmirësojë apo dëmtojë imazhin e saj.

“Unë mendoj se gota është gjysmë e mbushur. Por, ka njerëz jashtë, që gotën e shohin si gjysmë të zbrazët, prandaj është e dëmshme që shumë mesazhe pozitive nuk po dalin jashtë vendit. Mendoj se ka shumë probleme që duhet zgjidhur”.

“Për shembull, rasti i Jeta Xharrës i ka kushtuar shumë dëm këtij vendi. Ndoshta ai nuk ka qenë në lajme, por në mesin e njerëzve që merren me Kosovën, në mesin e diplomatëve, politikë-bërësve, ka shkaktuar shumë dëm”,
tha Xhuda, në një konferencë të organizuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS).

Përveç, kësaj, një problem që është ngritur në debat, e që kërkon zgjidhje, është mosqartësimi i plotë i statusit të Kosovës. Ambasadori italian në Kosovë, Mikele Xhifoni, flet për tri nivele të realiteteve në Kosovë.

“Niveli i parë i realitetit është pavarësia e vërtetë e Kosovës, që mbështetet nga konsolidimi i mirë i institucioneve shtetërore. Niveli i dytë është i ashtuquajturi realitet virtual, që mund të duket si paradoks, që mund të shihet si paradoks, por që është paradoks i ekzistencës virtuale të Rezolutës 1244. E pamë si virtuale ose jo, ajo është këtu dhe lë konsekuenca”.

“Pastaj, kemi nivelin tjetër kundërthënës, një nivel tjetër paralel të realitetit - kemi komunitetin serb që nuk e njeh nivelin e parë të realitetit”,
u shpreh Xhifoni, duke shtuar se duhet që nga këto tri të mbetet vetëm një realitet.

Serbët kosovarë me pakon e Ahtisarit, e cila përbën bazën e Deklaratës së Pavarësisë, kanë të drejta të avancuara. Por, sipas Verena Knausit, vetëm përmendja e Ahtisarit bën që ata të mos pranojnë asgjë, megjithëse mund të përfitojnë.

Analistja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet mendon se duhet gjetur një lloj kompromisi për të kënaqur të dyja komunitetet në jug dhe veri të vendit.
“Në mënyrë që të arrijmë qëllimin e njëjtë që parasheh Ahtisari, duhet ta ribëjmë të njëjtën ide. E njëjta vlen për universitetin, për shëndetësinë, për të gjitha. Pra, mos ta përmendim Ahtisarin në Mitrovicë, por të marrim atë që është në pako si zgjidhje”, deklaroi Verena Knaus.

Në anën tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk sheh integrim të serbëve pa shuarjen e strukturave paralele, të financuara nga Qeveria e Serbisë.

“Sa i përket veriut, mendoj se problemi kryesor është asimetria për Kosovën, ku edhe na sundojnë, por edhe ndërmjetësojnë mes Prishtinës e Beogradit. E kemi parë këtë me UNMIK-un dhe ka qenë e dëmshme. Mendoj se për Serbinë, BE nuk ka më shkopinj, por vetëm karota. Dhe, shkopi simbolik është tërheqja e karotës”.

“Përderisa kemi strukturat paralele në Kosovë, ne nuk mund t’i integrojmë serbët. Strukturat paralele të Serbisë edhe i paguajnë, edhe i kërcënojnë serbët dhe ne nuk mund të konkurrojmë me Serbinë, kundrejt së cilës BE-ja ka vetëm karota”,
tha Kurti.

Moszhvillimi ekonomik ka qenë një çështje tjetër, për të cilën është thënë se dëmton imazhin e Kosovës, ndërsa rrit frustrimin brenda popullatës. Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, ka tërhequr vërejtjen se kriza është në prag.

“Jemi në prag të krizës dhe pyetja ime është nëse na duhet kriza që të bëhemi më mirë? A na duhen njerëzit në rrugë? Kam folur me 3 mijë prodhues qumështi që janë në prag të kolapsit”.

“Në Kosovë nuk shohim reagime në rrugë, por pyetja ime është se kur të shpërthejë, a do të shpërthejë fort? Por, po bëhem cinik dhe ironik duke thënë se në fakt neve na duhet kriza”,
u shpreh Shpend Ahmeti, duke shtuar se mbase pas një krize, qeveria apo donatorët do t’i kthenin sytë kah zhvillimi ekonomik dhe jo kah projektet vështirë të realizueshme, siç është decentralizimi.
XS
SM
MD
LG