Ndërlidhjet

Komunitetet kritikojnë sistemin arsimor


Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit

Komunitetet në Kosovë kërkojnë përmirësimin e kushteve të mësimit dhe studimit për nxënësit dhe studentët e pakicave. Të gjitha kërkesat, filluar nga përdorimi i gjuhës e deri te regjistrimet e nxënësve dhe studentëve, do t’i parashtrohen Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Arsimit, në formë rekomandimesh.


Përfaqësuesit e komuniteteve në Kosovë i kërkojnë Ministrisë së Arsimit përmirësimin e kushteve të arsimit të nxënësve dhe studentëve nga radhët e pakicave.

Kërkesat e përfaqësuesve të pakicave janë bërë publike gjatë një debati në Këshillin Konsultativ për Komunitete dhe në formë rekomandimesh i janë proceduar qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Arsimit.

Xhevdet Neziraj, nga komuniteti egjiptian, tha se te përdorimi i gjuhës nuk kishte vërejtje, pasi që nxënësit e këtij komuniteti mësojnë në gjuhën shqipe. Por, ai kërkoi që ministria t’i ndajë vendet e lira për egjiptianë, romë e ashkalinj dhe të mos i fusë në kuadër të regjistrimeve për vitin vijues në një listë të vetme.

“Ka mundësi që të caktohet një numër më i madh i kandidatëve për regjistrim të këtij komuniteti. Unë kam vërejtje për Fakultetin e Mjekësisë, ku gjithmonë qitet një kuotë për romë, egjiptianë dhe ashkalinj. Unë do ta jap një vërejtje që këtë formë mos ta përdorë më Ministria e Arsimit, por t’i përdorë qartë komunitetet dhe ta zbatojë Kushtetutën”, tha Neziraj.

Ndërkohë, Mustafa Baljo, nga komuniteti boshnjak, tha se studentët boshnjakë aktualisht po ndjekin dy rrugë të vetme që të arsimohen në gjuhën amtare. E këto mundësi, sipas tij, janë regjistrimi në Universitetin e Mitrovicës, sado që funksion si institucion paralel me sistemin arsimor të Kosovës, apo që të vijojnë studimet në Sarajevë.

“Kemi zgjidhje që në praktikë mund të quhen jozgjidhje apo gjysëmzgjidhje”, tha Mustafa Baljo, sipas të cilit, studentëve boshnjakë u mbetet si zgjidhje ose të studiojnë në Universitetin e Prishtinës në gjuhën shqipe, ose të largohen për në Sarajevë apo Mitrovicë që të studiojnë në serbisht.

Ai tha se kjo gjendje i ka sjellë në pozitë tejet të palakmueshme studentët boshnjakë në Kosovë.

Ndërkohë, kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete, Bojan Stojanoviq, nga Partia e Pavarur Liberale Serbe, tha se ky trup nuk mund të gjejë zgjidhje për problemet e pakicave dhe kërkoi që në formë rekomandimesh të gjitha shqetësimet t’i adresohen Ministrisë së Arsimit.

Ndërkaq, lidhur me gjendjen e arsimit në gjuhën serbe në Kosovë, Stojanoviq tha se nuk sheh ndonjë mundësi që tash për tash të ketë ndonjë përmirësim, qoftë në harmonizimin e teksteve dhe literaturës, apo edhe për përfshirjen e nxënësve dhe studentëve serbë në kuadër të sistemit legal arsimor.

“Se kur do t’i zgjidhim çështjet që kanë të bëjnë me arsimin në gjuhën serbe, mendoj se përveç matematikës e fizikës, edhe pse ndoshta as këtu nuk do të kemi qëndrime të njëjta, të tjerat janë larg harmonizimit”, tha Stojanoviq, duke mos parë ndonjë mundësi që tash për tash të ketë përmirësime në lidhje me përfshirjen e nxënësve dhe studentëve serbë në kuadër të sistemit arsimor të Kosovës.

Shqetësimeve të përfaqësuesve të komuniteteve u është përgjigjur Enesa Kadiq, nga Ministria e Arsimit në Qeverinë e Kosovës, e cila tha se të gjitha kërkesat do të shqyrtohen me kujdes dhe secila kërkesë e arsyeshme do të mund të ketë edhe zgjidhje për vitin e ardhshëm shkollor.

Ndryshe, Këshilli Konsultativ për Komunitete është një trup i formuar nga presidenti i Kosovës dhe komunitetet aty i debatojnë shqetësimet e tyre, të cilat më pas u transmetohen institucioneve për shqyrtim.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG