Ndërlidhjet

“Kosova anëtare e institucioneve të rëndësishme financiare”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri asnjë prej subjekteve politike nuk ka shënuar ndonjë epërsi të bindshme. Pjesëmarrja në votime është rreth 52 për qind, ndërsa gjatë tërë ditës ka vazhduar numërimi i votave. Sipas rezultateve të deritanishme, ekziston një rezultat i ngushtë mes dy palëve, PD dhe PS, dhe koalicioneve përkatëse. Qarqet diplomatike i kanë quajtur këto zgjedhje si një test demokracie për Shqipërinë, ndërsa Berisha dhe Rama deklaruan se zgjedhjet ishin dinjitoze dhe sipas standardeve evropiane. Zgjedhjet kaluan pa incidente serioze, ndonëse në shumë vendvotime ka pasur parregullsi të vogla. Procesi i numërimit po monitorohet nga rreth 5 mijë vëzhgues vendorë e të huaj...

EXPRESS
Sikurse ndodhë në shumë praktika botërore, në Shqipëri prapë formula zgjedhore duket se do të përcaktojë qeverinë e re më shumë sesa votat e popullit. Pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën, tri exit poll-et e shpallura nga televizionet shqiptare i dhanë përparësi të dukshme koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha. Kështu, instituti “Gani Bobi” parashikoi se PD do të merrte 76 deputetë. Ndërkohë, numërimi i votave nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rreth 45 për qind të vendvotimeve, ka sinjalizuar një gjendje të barabartë mes dy koalicioneve të mëdha. Si parti politike, PD dhe PS kanë pasur numër të njëjtë të mandateve - nga 67 deputetë. Si koalicione, të djathtët e udhëhequr nga PD-ja, Aleanca për Ndryshim, kanë një mandat më tepër se sa koalicioni i majtë Bashkimi për Ndryshim: 69 - 68...

ZËRI
Ndonëse partitë politike përmendin burime të ndryshme të financimit të fushatës së tyre elektorale, shumica prej tyre nuk japin financuesit e vërtetë të fushatës elektorale dhe nuk japin shifrat që partitë do t’i përdorin në këto zgjedhje. Edhe pse Ligji për Zgjedhjet në Kosovë i kufizon shpenzimet për fushatë elektorale, ku, sipas ligjit dhe rregulloreve të KQZ-së, kufizimi i shpenzimeve të fushatës do të jetë 50 cent për çdo votues të regjistruar, shumë nga partitë politike në zgjedhjet e kaluara kanë shpenzuar shumë më shumë para (PDK nuk i ka dorëzuar raportet financiare të fushatës), e që, sipas të gjitha gjasave, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në këto zgjedhje, ku disa parti tashmë kanë filluar fushatën. Përfaqësues të partive opozitare kanë shprehur drojën që partitë në pozitë do t’i keqpërdorin fondet publike për të bërë fushatë...

BOTA SOT
Kosova, nga e hëna, edhe zyrtarisht i është bashkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, duke u bërë anëtari i 186-të i këtyre dy institucioneve financiare ndërkombëtare. Nënshkrimi u bë në ndërtesën e Departamentit Amerikan të Shtetit, në Dhomën e ashtuquajtur të Traktateve, në prani të zëvendëssekretarit të Shtetit, James Steinberg. Me rastin e nënshkrimit, zëvendëssekretari i Shtetit, Steinberg, theksoi se akti i nënshkrimit dhe i pranimit të Kosovës në FMN dhe Bankën Botërore është një rast për të shqyrtuar dhe përballur me sfidat ekonomike që ka Kosova. Vetë aktin ai e quajti një integrim të mëtejmë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Zëvendëssekretari Steinberg theksoi se Kosovës do t’i falen 150 milionë dollarë borxh që ka ndaj Bankës Botërore, një borxh i trashëguar i Kosovës nga periudha e ish-Jugosllavisë...

EPOKA E RE
Ministria e Shëndetësisë, të hënën, ka urdhëruar të gjitha spitalet e Republikës së Kosovës dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që ta reduktojnë numrin e vizitorëve dhe ta ngrenë nivelin e higjienës, pas paraqitjes së rasteve të virusit H1N1 në disa vende në fqinjësi të Kosovës, në Serbi, Mal të Zi dhe në Maqedoni. Ministri Alush Gashi gjatë takimit me përfaqësuesit e OBSH-së, të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe të Policisë Kufitare, ka thënë se aktualisht në Kosovë nuk janë evidentuar raste të këtij virusi, ndërkohë që Kosova disponon sasi të mjaftueshme të ilaçit Tamiflu, i cili përdoret tek të prekurit nga ky virus. Gashi ka thënë se MSH-ja dhe të gjitha institucionet tjera shëndetësore janë të obliguara që t’i zbatojnë të gjitha rekomandimet e OBSH-së lidhur me pandeminë e influencës H1N1....

LAJM
Serbia në forma të ndryshme e ka “invaduar” Kosovën ditëve të fundit. Të premten, një patrullë e xhandarmërisë serbe për disa orë ka qëndruar në fshatin Karaçevë të Kamenicës; të shtunën, një delegacion i Qeverisë së Serbisë, në krye me ministrin Goran Bogdanoviq, mori pjesë në një liturgji në Manastirin e Graçanicës; në Leposaviq, ndërkaq, serbët lokalë gjuajtën me gurë, ndërsa të dielën, qytetarë serbë, Bogdanoviq dhe disa ministra tjerë të Qeverisë së Serbisë e festuan në Gazimestan Betejën e humbur të Kosovës – Vidovdanin. Të gjitha këto aktivitete të Serbisë në Kosovë u zhvilluan përderisa përfaqësuesit e shtetit nuk u ndodhën në vend dhe përderisa ata nuk ndërmarrin masa për kontrollimin e territorit dhe ndalimin e hyrjes së udhëheqësve serbë në Kosovë. Rastet e fundit, sipas “Vetëvendosjes”, dëshmojnë për një nënshtrim total të politikës kosovare përballë hegjemonizmit serb...

KOHA DITORE
Qeveria e Kosovës e ka shkelur ligjin me rastin e përzgjedhjes së Bordit të ri të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), kanë thënë të hënën zyrtarë të këtij institucioni dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Shkelja e ligjit, sipas tyre, ka ndodhur me rastin e vazhdimit të mandatit për Bordin e ri vetëm njërit prej anëtarëve të Bordit të kaluar, ndërsa është “kamufluar” me vendin e anëtarit të dytë nga Bordi i vjetër, i cili është dashur të jetë edhe në Bordin e ri. Drejtues të Qeverisë kanë pohuar se edhe me bazë ligjore, në çdo Bord të ri të institucioneve rregullative, siç është edhe ART-ja, duhet të jenë tre anëtarë të rinj dhe dy anëtarë të Bordit të vjetër, për shkak të ruajtjes së vazhdimësisë së punës së bërë në të kaluarën...

INFOPRESS
Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka deklaruar të hënën se brenda Qeverisë serbe ekziston vullneti t’u bëjë thirrje serbëve që të kthehen në Policinë e Kosovës, duke thënë se Beogradi po negocion për kushtet nën të cilat kjo do të realizohej që në këtë javë. “Po zhvillojmë bisedime intensive me EULEX-in dhe jemi afër zgjidhjes. Presim ndoshta që këtë javë të kemi një zgjidhje dhe të thërrasim serbët që të kthehen në Policinë e Kosovës”... Bogdanoviq ka vënë në dukje se është e palejueshme që serbët në veri të lumit Ibër të punojnë në Policinë e Kosovës, ndërsa serbët në jug të Mitrovicës të mos punojnë në polici. Sipas tij, “është e domosdoshme që serbët në jug nga Ibri të kenë bashkëkombësit e tyre në polici, sepse kanë probleme më të mëdha me sigurinë, me lirinë e lëvizjes”...
XS
SM
MD
LG