Ndërlidhjet

PD 68, PS 64 mandate


Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha

Pas numërimit të tre të katërtave të votave, e djathta në Shqipëri, e kryesuar nga Partia Demokratike, disponon 71 mandate, të mjaftueshme për të formuar qeverinë.



Në bazë të rezultateve të fundit që i ka kumtuar ECA dhe KRIK në bashkëpunim me USAID, Partia Socialiste ka fituar 41 për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike 39.96 për qind.

Nga partitë tjera, Lëvizja Socialiste për Integrim ka 4.78 për qind, ndërsa Partia Republikane 2.13 për qind të votave.

Mësohet se ky rezultat ka dalë pas numërimit të tre të katërtave të votave.

Por, kjo epërsi e lehtë e PS-së, e përkthyer në mandate, shndërrohet në epërsi të Partisë Demokratike, e cila deri më tash ka siguruar 68 mandate në Kuvend, ndërsa Partia Socialiste 64 mandate.

Dy partitë tjera, PR dhe PDI, që janë të afërta me Partinë Demokratike të Sali Berishës, e para ka fituar një mandat dhe e dyta dy mandate, dhe me këtë e djathta e Shqipërisë në këtë çast ka 71 mandate, përkatësisht numrin e nevojshëm për të formuar qeverinë.

Sidoqoftë, mbetet në pritje epilogu i numërimit përfundimtar.

Në vlerësimet e para nga Brukseli, Bashkimi Evropian tha dje se liderët e Shqipërisë duhet t’i përmirësojnë standardet e zgjedhjeve.

Komisionari për Zgjerim, Olli Ren, i ka inkurajuar liderët shqiptarë që t’i rrisin standardet e zgjedhjeve me normat ndërkombëtare, pasi që vëzhguesit kishin raportuar për ca shkelje.

“Nga konkludimet preliminare të vëzhguesve të OSBE-së, kam vënë re se është arritur një progres i prekshëm në disa fusha. Por, këto përmirësime mbeten në hije nga politizimi i aspekteve teknike të procesit zgjedhor, si dhe nga dhuna gjatë fushatës parazgjedhore”, tha Ren.

Ai tha se “votimet e theksojnë qartë nevojën për lidershipin politik shqiptar që në të ardhmen të punojë për zgjedhje, të cilat do t’i plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare dhe të kenë besimin e lartë të votuesve shqiptarë”.
XS
SM
MD
LG