Ndërlidhjet

logo-print
Presidenti dhe kryeministri i Kosovës ende nuk kanë vendosur se kush do të jetë zëvendësdrejtori dhe kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Përfaqësuesit e lartë të Qeverisë së Kosovës thonë se shpejt pritet të emërohen zyrtarët e tjerë në këtë institucion të sigurisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se presidenca dhe qeveria janë në konsultimet e fundit për të vendosur për emrat e rinj në këtë institucion.

“Mendoj se është çështje e kryeministrit dhe presidentit. Janë duke i bërë konsultat e domosdoshme për emërimin e inspektorit të përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorit. Besoj që një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpjet dhe më pastaj kompletimi dhe organizimi është i paraparë me ligj dhe është plotësisht i ndarë nga puna që e bën Qeveria e Kosovës”,
tha Kuçi.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës vazhdon të jetë ende jofunksionale tërësisht, pasi që ende nuk është kompletuar stafi punues i këtij institucioni. Përveç emërimit të drejtorit, në këtë institucion nuk janë emëruar zyrtarë të tjerë përgjegjës, me të cilët do të kompletohej struktura udhëheqëse e këtij mekanizmi.

Por, përkundër kësaj, vetë drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smaka, thotë se AKI-ja është duke funksionuar. Ai, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se mosemërimi i zëvendësdrejtorit dhe kryeinspektorit nuk ka bërë që të ketë ngecje në funksionimin e këtij institucioni.
Ndjeshmëria e institucionit e ka atë peshën e vet, e ka ndikimin e vet dhe ne nuk mund të rrezikojmë procesin e ndërtimit të institucionit stabil, për shkak të presionit kohor.

“Deri më tani, nuk them se është paraqitur ndonjë vështirësi në funksionimin e agjencisë, por tash është momenti që të fillojmë edhe me procedurat e tjera, të cilat varen nga kryeinspektori dhe zëvendësdrejtori. Ndjeshmëria e institucionit e ka atë peshën e vet, e ka ndikimin e vet dhe ne nuk mund të rrezikojmë procesin e ndërtimit të institucionit stabil, për shkak të presionit kohor”.

“Ne e dimë që në bazë të ligjit janë afatet e kufizuara kohore, por, megjithatë, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe kjo është arsyeja që ka ndikuar në vonesa. Tani është një rreth i ngushtë i kandidatëve dhe është në fazën finale. Në konsultime, kryeministri me presidentin pritet t’i bëjnë publikë (emrat)”,
tha zoti Smaka.

Zëvendëskryeministri Kuçi i pohon konsultimet e vazhdueshme që po bëhen me të gjithë faktorët relevantë, vendorë dhe ndërkombëtarë, që emërimi i këtyre zyrtarëve të lartë të jetë, siç thotë ai, sa më i mirë i mundshëm.

“Gjithmonë aty ka nevojë për një konsultë të përbashkët në kuptimin profesional, në kuptimin etik, moral, por edhe kombëtar. Por, njëkohësisht, një konsultë edhe me faktorët relevantë ndërkombëtarë. Mendoj që çështja e konsultimeve dhe koordinimeve nuk është çështje e mungesës së kuadrit, por është çështje e përzgjedhjes së kuadrove më të pranueshëm, më të mirë dhe më profesionalë që mund ta bëjnë punën e tyre”, u shpreh Kuçi.

Nga ana tjetër, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se gjendja në të cilën gjendet Kosova, kërkon që AKI-ja të jetë sa ma parë funksionale. Sipas tij, këto vonesa nuk mund të justifikohen me asgjë.

“Arsyetimi që nuk është caktuar zëvendësdrejtori dhe shefi i inspektoratit të kësaj agjencie, do të thotë se fjala është për atë që po tentohet të zgjidhen njerëzit partiakë, njerëzit e dikujt që janë në pozitë, presidentit apo kryeministrit. Prandaj, siç duket, ata nuk po mund të merren vesh mes vete dhe kjo punë lihet anash dhe ashtu kalon koha. Ne nuk e kemi shërbimin e as që ka filluar të formohet”, deklaroi Qehaja.

Sido që të jetë, ka zëra që flasin për një listë të ngushtë prej 4 emrash, që tashmë është në fazën finale të shqyrtimit nga presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG