Ndërlidhjet

logo-print

Serbët pezullojnë bllokadat në veri


Pika kufitare Jarinë

Pika kufitare Jarinë

Serbët e veriut kanë vendosur që t’i suspendojnë përkohësisht bllokimet e rrugëve që shpien kah dy pikat kufitare mes Kosovës e Serbisë. Ata vendosën që një herë në javë të vihen bllokada 24 orëshe të këtyre rrugëve, si kundërshtim i masave të EULEX-it.


Përfaqësuesit serbë të katër komunave në veri të Kosovës kanë marrë vendim që t’i suspendojnë përkohësisht bllokadat e rrugëve, që shpien kah pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dy pika kufitare në veri.
Ky vendim pasoi një takim të përfaqësuesve të komunave me shumicë serbe në veri, atyre të Mitrovicës, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, të cilat nuk i binden sistemit legal të Kosovës.

Sidoqoftë, aty është vendosur po ashtu që të vihen bllokada selektive të rrugëve një herë në javë, si kundërshtim i masave të EULEX-it për kontrollin e kalimeve kufitare të njerëzve dhe mallrave.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Stevan Bozhoviq, thotë se tash e tutje nuk do të vihen bllokada ditore, por javore, për ta paralajmëruar, siç thotë ai, EULEX-in në lidhje me masat doganore që ka vënë në pikat kufitare Kosovë – Serbi në pjesën veriore.

“Me qëllim të uljes së tensioneve të shkaktuara nga veprimet e njëanshme të EULEX-it, kemi vendosur që t’i suspendojmë përkohësisht bllokimet e rrugëve që shpien kah kalimet kufitare. Por, bllokadat do të vazhdojnë një herë në javë dhe do të zgjasin nga 24 orë, deri në heqjen e masave të vëna nga EULEX-i”, thotë Bozhoviq.

Sipas tij, kuvendet komunale të komunave në veri të Kosovës kanë formuar një trup të përbashkët, i cili do të bisedojë me Qeverinë e Serbisë dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë për, siç thuhet, zgjidhjen e problemit.

“Kuvendet komunale kërkojnë nga misioni i EULEX-it që ditëve në vijim t’i ndalin të gjitha veprimet doganore në kalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinë”, thotë Bozhoviq.

Në të kundërtën, ai paralajmëron kthimin e bllokimeve të rrugëve ngjashëm me ditët e kaluara.

Masat e EULEX-it në pikat kufitare Kosovë – Serbi në pjesën veriore kanë të bëjnë vetëm me kontrollin e hyrjeve nga Serbia, ku përfshihen fotokopjet e kartave të njoftimit të njerëzve dhe regjistrimi dhe vlerësimi i mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Këto masa nuk nënkuptojnë edhe pagesat doganore, siç aplikohen në pikat tjera kufitare.

Në një komunikatë të EULEX-it thuhet se ky mision, përveç regjistrimit të kalimeve të njerëzve dhe mallrave, në asnjë rast nuk ka mbledhur të hyra doganore. Regjistrimi i kalimeve kufitare, sipas komunikatës së EULEX-it, ka të bëjë me masa për luftimin e kontrabandës në këtë pjesë të Kosovës dhe jo me mbledhjen e të hyrave doganore.

Javën e kaluar, edhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, kishte kërkuar nga serbët t’i suspendojnë bllokimet e rrugëve, mirëpo ai ishte kundërshtuar ashpër nga serbët lokalë dhe strukturat paralele serbe.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG