Ndërlidhjet

Kthehen policët e suspenduar serbë?


Policët e suspenduar serbë

Policët e suspenduar serbë

Afati për kthimin e rreth 300 policëve serbë të suspenduar nga Policia e Kosovës përfundon sot dhe deri në mesditë në këtë shërbim është paraqitur rreth një e treta e këtij numri. Kështu thonë zyrtarët e Qeverisë dhe ata të Policisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se në vazhdimësi është duke u përcjellë gjendja e kthimit të policëve serbë në Policinë e Kosovës dhe se situata është duke ndryshuar për të mirë nga çasti në çast.

“Kam informata se një numër i madh i tyre janë kthyer në regjionin e Gjilanit dhe po ashtu edhe disa prej tyre në policinë kufitare. Ne po presim deri në fund të ditës. Unë jam optimist dhe mendoj se shumica prej tyre do të kthehen në vendet e tyre të punës dhe kjo do të jetë kryesorja. Ky edhe ishte qëllimi ynë, që ata t’i kthejmë. Ky është synim i institucioneve, që ta kemi një polici gjithëpërfshirëse”, tha ministri Pajaziti.

Ndërkaq, Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thekson se procesi i kthimit të policëve serbë në policinë kosovare është në vazhdim e sipër dhe, sipas tij, gjatë ditës së sotme është shënuar numër i konsiderueshëm i atyre që janë kthyer.

“Deri tani, ne kemi një numër të caktuar të zyrtarëve serbë, të cilët janë kthyer në vendet e tyre të punës, përderisa kthimi është duke vazhduar akoma. Policia e Kosovës u ka bërë ftesë disa herë të njëjtëve që të kthehen dhe të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

“Afërsisht kemi rreth 80 zyrtarë që janë kthyer para dhe pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mirëpo, kjo shifër mund të ndryshojë nga ora në orë, duke marrë parasysh procesin e kthimit, i cili ka filluar tashmë qysh nga orët e hershme të mëngjesit”,
theksoi zëdhënësi Beka.

Ai shtoi se ndaj policëve serbë të suspenduar, të cilët nuk do të paraqiten sot në vendet e tyre të punës, do të merret masa e përjashtimit.

“Në qoftë se të njëjtit do të lajmërohen në stacionin policor, atëherë kjo do të llogaritet se ata kanë ardhur para orës 16”.

“Mirëpo, në qoftë se zyrtarët policorë, që janë tani nën masën e suspendimit pa pagesë, do të vijnë për shembull ditën e nesërme, atëherë të njëjtit nuk do të pranohen më, pasi që ne kemi një situatë ku u kemi bërë ftesë të njëjtëve, muaj me radhë, dhe do të zbatohet afati kohor që është i cekur në vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme”
, deklaroi zëdhënësi Beka.

Ndryshe, largimi i policëve serbë nga Policia e Kosovës kishte ndodhur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ata patën kërkuar që zinxhiri i tyre komandues të jetë përmes UNMIK-ut.

Ministri Pajaziti thotë se policët serbë, të cilët janë kthyer, do të punojnë në bazë të ligjit, i cili vlen për gjithë Policinë e Kosovës.

Zenun Pajaziti
“Nuk bëhet fjalë këtu për diçka tjetër. Këtu bëhet fjalë për një kthim të policëve serbë të suspenduar deri më tash ose të vetësuspenduar në Policinë e Kosovës. Ju e dini që Policia e Kosovës ka kohë që funksionon në përputhje me një ligj, i cili është aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, një ligj i bazuar në Kushtetutën e re të vendit dhe bëhet fjalë për institucione të sigurisë të Republikës së Kosovës”,
u shpreh ministri Pajaziti.

Ai tha se nëse një numër i policëve serbë të suspenduar nuk do të kthehen në Policinë e Kosovës, atëherë do të fillojë proceduara e rekrutimit të policëve tjerë nga komuniteti përkatës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG