Ndërlidhjet

logo-print

“EULEX-i paralajmëron aksione për lirimin e rrugëve në veri”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, beson se nuk do të ketë më probleme kur të udhëtojë jashtë vendit, për shkak të aktakuzës serbe, e deponuar në Interpol. Ai është kthyer të martën në Prishtinë, pasi që Gjykata e Kestendilit e Bullgarisë e ka liruar nga çdo akuzë e paraqitur në këtë gjykatë. Prokurori publik në Kestendil nuk ka paraqitur ankesë në afatin e paraparë prej 72 orësh nga marrja e vendimit të gjykatës për lirimin e Çekut, gjë që e bën vendimin e kësaj gjykate të plotfuqishëm... “Kam një vendim prej gjyqit të një vendi të Bashkimit Evropian, i cili i hedh poshtë akuzat e Serbisë dhe më shpall të lirë nga ato akuza. Nëse ka diçka pozitive në këtë rast, është se unë kësaj radhe nuk jam liruar si rezultat i vullnetit të mirë të Qeverisë bullgare, por si rezultat i një procesi gjyqësor”, ka thënë Çeku të martën për "Express"...

ZËRI
Ndërkohë që kishin mbetur edhe 200 kuti të votimit pa u numëruar, rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri brenda minutave ndryshonin vazhdimisht, duke shkuar kështu drejt një finishi dramatik. Deri në orët e vona të mesnatës (rreth 23:30) koalicioni i djathtë, i drejtuar nga kryeministri Berisha, kryesonte me 71 mandate, duke i mundësuar atij marrjen e pushtetit edhe për katër vjetët e ardhshëm... Sipas këtyre rezultateve, të publikuara nga ECA, në bazë të koalicioneve në rang kombëtar, prin Aleanca për Ndryshim, e kryesuar nga Partia Demokratike me 71 mandate, e pasuar nga Bashkimi për Ndryshim, i kryesuar nga Partia Socialiste me 65 mandate dhe koalicioni Aleanca Socialiste për Integrim, e kryesuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, me 4 mandate...

BOTA SOT
Kryeministri i Shqipërisë, dr. Sali Berisha, deklaroi se nga vlerësimet që iu bënë zgjedhjeve, fitoi Shqipëria dhe qytetarët e saj. Ai thotë se është e rëndësishme që zgjedhjet në Shqipëri janë vlerësuar me notë pozitive nga udhëheqës të lartë të OSBE-së, BE-së dhe vëzhguesve ndërkombëtarë. “Unë mendoj se këto janë zgjedhjet më të ndershme dhe fer të aplikuara ndonjëherë në Shqipëri dhe në vetë Evropën”, theksoi kreu i Qeverisë shqiptare dhe kryetar i PD-së, dr. Sali Berisha. Gjithashtu, kryesia e BE-së përshëndeti qytetarët shqiptarë dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Po ashtu edhe Komisioni i Helsinkit i Kongresit të Kombeve të Bashkuara vlerësuan zgjedhjet. Ai thotë se në këto zgjedhje nuk ka të humbur. “Ka fituar Shqipëria në mënyrën më të merituar dhe të shumëpritur”, thekson Berisha. Këto zgjedhje treguan se populli shqiptar ka gjithë potencialin për të ndërtuar një shoqëri demokratike si ato në vende të tjera evropiane...

EPOKA E RE
Ka arritur në 307 numri i pjesëtarëve serbë të suspenduar të Policisë së Kosovës (PK), që janë kthyer në vendet e tyre të punës deri në orën 16:00 të së martës , kur edhe ka skaduar afati për kthim i dhënë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ndihmësdrejtori i Përgjithshëm i PK-së për Administratë dhe Personel, Riza Shillova, ka thënë se vetëm 18 pjesëtarë që suspenduar serbë nuk janë kthyer në vendet e tyre të punës. “Të suspenduar kanë qenë 325 zyrtarë policorë, nga të cilët deri në orën 16:00 të së martës janë kthyer 307”, ka deklaruar Shillova... Shillova ka bërë të ditur se numri më i madhe i atyre që nuk janë kthyer në punë janë pjesëtarët serbë që kanë punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së...

LAJM
Derisa ekonomia e Kosovës po përballet me pasojat e krizës financiare globale, ndërsa të gjitha vendet evropiane kanë reduktuar shpenzimet publike, Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës që të rriten pagat e deputetëve. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është mjaft i shqetësuar pas marrjes së një informacioni nga mediat, ku Komisioni për Buxhet dhe Financa i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës një rritje të re për pagat e deputetëve... “Ky propozim për ngritje të pagave të deputetëve është një veprim i ngutshëm, kur dihet që një numër i madh i të punësuarve ballafaqohen me probleme të ndryshme për shkak të pagave të ulëta. Andaj, me këto kursime është dashur të zgjidhen të paktën disa nga kërkesat e punëtorëve, e jo deputetët menjëherë të kërkojnë ngritje pagash dhe privilegje që edhe ashtu i kanë të shumta”, thuhet në reagimin e BSPK-së...

KOHA DITORE
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, nuk do të presë edhe shumë gjatë largimin e serbëve që po i bllokojnë rrugët në veri të vendit. Zëdhënësi i këtij misioni, Kristof Lamfalusi, ka thënë për “Kohën Ditore” se EULEX-i nuk mund të presë përgjithmonë dhe për lirimin e rrugëve nuk përjashtohen as intervenimet. “Të gjitha opsionet janë në tavolinë. Ne do të preferonim një zgjidhje paqësore, por ne nuk do të mund të presim përgjithmonë”, ka thënë Lamfalusi. Serbët lokalë në veri të vendit ka disa ditë që po bëjnë bllokada të pjesshme të rrugëve që shpien për në kufi me Serbinë, përkatësisht portat kufitare 1 dhe 31...

INFOPRESS
Kur i jepet fund numërimit të votave, vjen radha edhe për kalkulimet e mundshme në ndërtimin e qeverisë. Çfarë do të jetë Qeveria e Republikës së Shqipërisë? Një “Qeveri e djathtë” apo një bashkëqeverisje e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste? Analistët politikë në Kosovë janë të ndarë sa i përket kësaj çështjeje. Sidoqoftë, dominon opinioni që një qeveri e ndërtuar prej një krahu politik në bazë të një diference shumë të vogël votash, siç është rasti i Shqipërisë, nuk mund të jetë stabile. Analistët politikë përplasin idetë e tyre për çështjet e votave, ndërkaq të gjithë mendojnë se Shqipëria ka kaluar suksesshëm një test të vështirë evropian...

KOSOVA SOT
Kur e panë se Qeveria dhe EULEX-i e kanë seriozisht ultimatumin për t’u kthyer në vendet e punës, policët me kombësi serbe në radhët e Policisë së Republikës së Kosovës nisën t’i japin fund bojkotit. Kokulur, u kthyen në detyrë, ndërsa Policia e shtetit i kishte pritur si askush në botë. Në asnjë vend normal nuk ndodh që t’u paguhet bile edhe rroga rregullisht bojkotuesve të Policisë. Por, në vendin tonë çka nuk ndodh. Kjo histori nuk ka të bëjë aspak me të drejtat e komuniteteve, por është një episod i toleruar pa kurrfarë arsyeje nga autoritetet kosovare. Çdo shtetas kosovarë duhet t’i nënshtrohet ligjit dhe rregullave. Kosova ka nevojë për një disiplinim të rreptë, ndërsa modelet e bojkotit, që i prodhuan serbët e instrumentalizuar nga Beogradi, duhet të marrinë fund njëherë e mirë...
XS
SM
MD
LG