Ndërlidhjet

Prishtina kundërshton Tadiqin


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Institucionet e Kosovës kanë reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Boris Tadiq, sipas të cilit, nuk ka kushte që serbët të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Ata thonë se në Kosovë ekzistojnë rrethana normale për zgjedhje të lira e demokratike.


Deklaratat e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, drejtuar serbëve të Kosovës, se nuk ka kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme lokale, kundërshtohen nga institucionet e Kosovës dhe cilësohen si të ngjashme me deklaratat e kohës së Millosheviqit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e cilëson deklaratën e Tadiqit si vazhdimësi të politikës së vjetër serbe ndaj Kosovës dhe shembull të një politike që nuk përkon me përmirësimin e raporteve ndërfqinjësore me Kosovën.

Për dallim nga Tadiq, zëvendëskryeministri Kuçi u bën thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë aktivisht në procesin zgjedhor, të paraparë për datën 15 nëntor.

Hajredin Kuçi
“Është në vazhdën e politikës që e ka pasur edhe Millosheviqi më herët, e të cilën po e vazhdon edhe sot Qeveria aktuale e Beogradit. Po ashtu është në vazhdën e krijimit të iluzioneve dhe pengesës së minoritetit serb për t’u integruar në institucione dhe në jetën politike e shoqërore të Kosovës dhe natyrisht ndikon në raportet ndërshtetërore në rajon”.

“Jam i bindur se qytetarët serbë të Kosovës do t’i binden realitetit dhe pjesëmarrja e tyre në jetën politike e institucionale është më atraktive, më e pranueshme dhe më e mirë, sesa deklaratat që i përngjajnë stilit të Millosheviqit, që vijnë nga Beogradi”,
tha Kuçi.

Ndërkohë, zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se deklarimet e Tadiqit apo të zyrtarëve të Serbisë nuk qëndrojnë, pasi që në Kosovë janë krijuar të gjitha rrethanat për zgjedhje të lira, të drejta e demokratike.

Bazuar në takimet që presidenti Fatmir Sejdiu ka zhvilluar me partitë politike, përfshirë edhe ato të pakicës serbe, zëdhënësi Beqiri pret që subjektet politike dhe qytetarët serbë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme komunale në Kosovë.
Ne u bëjmë thirrje sërish qytetarëve serbë, subjekteve politike, që t’i bashkëngjiten procesit të përgjithshëm për forcimin e demokracisë në vend dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre që t’i delegojnë të besuarit e vet në qeverisjet lokale.

“Institucionet e vendit, në koordinim edhe me ato ndërkombëtare, të pranishme në Kosovë, zotohen që do të ekzistojnë të gjitha rrethanat e nevojshme për zgjedhje të drejta, korrekte dhe të lira në Kosovë”.

“Prandaj, ne u bëjmë thirrje sërish qytetarëve serbë, subjekteve politike, që t’i bashkëngjiten procesit të përgjithshëm për forcimin e demokracisë në vend dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre që t’i delegojnë të besuarit e vet në qeverisjet lokale”,
u shpreh Beqiri.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e rikujton presidentin serb se me zgjedhjet e ardhshme, serbët do të marrin më shumë përgjegjësi për të kultivuar dhe mbrojtur interesat e komunitetit.

Njëherësh, thekson Kuçi, zgjedhjet e ardhshme janë hapi i parë kah reformat në pushtetin lokal, në decentralizimin dhe krijimin e komunave të reja me shumicë serbe, si e parasheh edhe Plani i presidentit Ahtisari.

“Qytetarët serbë janë qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës. Kanë mundësi të barabarta dhe ata që marrin pjesë në institucione, trajtohen të tillë. Po ashtu, edhe me Pakon e Ahtisarit, premtimet që janë dhënë për komuna të reja dhe shumë çështje të tjera, janë në realizim e sipër”.

“Jam i bindur se qytetarët serbë ndihen mirë në Republikën e Kosovës dhe po ashtu jam i bindur se ka vullnet politik dhe mundësi politike e juridike që ata t’i realizojnë të drejtat e veta”,
vlerësoi Kuçi.

Ndryshe, presidenti serb, Boris Tadiq, konsideron se pjesëtarët e komunitetit serb nuk duhet të dalin në zgjedhjet lokale të Kosovës, të caktuara të mbahen më 15 nëntor.

Qeveria e Serbisë akoma nuk ka dalë me një qëndrim të qartë rreth kësaj çështjeje. Mirëpo, sekretari në Ministrinë e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar se edhe Qeveria e Serbisë do të dalë me qëndrim të njëjtë me atë të presidentit Tadiq.

Sidoqoftë, kohët e fundit, edhe një pjesë e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, kryesisht ata të pjesës qendrore, deklarohen kundër bojkotit dhe preferojnë pjesëmarrjen. Ndërkaq, thirrjeve për bojkotin e institucioneve të Kosovës, u përgjigjen pozitivisht kryesisht serbët e pjesës veriore.
XS
SM
MD
LG