Ndërlidhjet

AI: Kërkohet aksion kundër Iranit

  • Nik Krastev

Përleshjet ndërmjet protestuesve dhe policisë në Teheran. Qershor, 2009.

Përleshjet ndërmjet protestuesve dhe policisë në Teheran. Qershor, 2009.

Qindra veprimtarë për të drejtat e njeriut, intelektualë, liderë të shoqërisë civile, aktivistë opozitarë politikë, studentë dhe gazetarë janë arrestuar në mënyrë arbitrare në Iran, prej 12 qershorit, kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale, ka konkluduar Amnesti Interneshënell, dega në Shtetet e Bashkuara. Një numër substancial i qytetarëve iranianë janë vrarë dhe plagosur. Ky grup me seli në Nju Jork ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe veçanërisht nga Kombet e Bashkuara, që të përpiqen ta bindin Iranin për ta ndalë këtë shtypje.


Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim lidhur me veprimet e autoriteteve në Iran ndaj të burgosurve, të cilët u arrestuan pasi kontestuan zgjedhjet presidenciale të 12 qershorit, që nxorën fitues presidentin aktual, Mahmud Ahmedinexhad.

Me këtë rast, Elise Auerbah, nga Amnesti Interneshënell (Amnesty International), ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me thirrjet, të cilat bëhen nga disa klerikë të vjetër në Iran, që protestuesit e arrestuar ditë më parë, të dënohen me vdekje, ashtu siç e parasheh Kodi Islamik në Iran.

“Amnesti Interneshënell shpreh shqetësim për mundësinë që shumë nga të burgosurit u torturuan. Qindra studentë, profesorë, gazetarë dhe reformatorë mund të jenë arrestuar. Deri tash janë liruar vetëm 29 prej tyre”, tha Elise Auerbah.

Sara Uitson, nga organizata Hjuman Rajts Uaç (Humnan Rights Watch), deklaroi se qeveritë e vendeve perëndimore që shprehin shqetësim për liritë e njeriut në Iran, duhet të përdorin ndikimin e tyre mbi Teheranin, në mënyrë qe të ndalet fushata e kërcënimeve dhe përdorimi i dhunës.

“Diplomatë nga qendrat që kanë marrëdhënie me Teheranin, duhet të ngrenë zërin si privatisht, por edhe publikisht, në lidhje me sjelljet e Qeverisë së Iranit. Ata duhet, gjithashtu, shumë qartë të refuzojnë rritjen e këtyre veprimeve, në mënyrë që Irani t’i respektojë konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të mos i arsyetojë këto veprime si punë të brendshme të shtetit”, tha Uitson.

Ndërkohë, gazetarja amerikane, Roksana Saberi, e cila ishte e arrestuar nga autoritetet në Iran, thotë se periudha 3-mujore sa ajo ka qëndruar e burgosur, i ka dhënë mundësi të shohë se çka do të thotë të jesh i burgosur politik në Iran.

“Tortura psikike... Për fat të mirë, unë nuk jam ballafaquar me torturë psikike, mirëpo e di se këto veprime kanë ndodhur dhe me siguri shumica e protestuesve të arrestuar janë duke i vuajtur pasojat e saj. Mendoj se situata e këtyre personave në këto momente është më e rëndë, krahasuar me kohën kur unë isha e burgosur”, u shpreh Saberi, e cila shtoi se njerëzit në Iran duken të frikësuar që të shprehin mendimet e tyre, të kyçen në aktivitete apo organizata, të cilat promovojnë liritë dhe të drejtat e njeriut.
Hjuman Rajts Uaç vë në dukje se derisa arrestimi i njerëzve, si rasti i Saberit, tërheq vëmendjen ndërkombëtare dhe protesta, shumica e individëve të kapur në Iran nuk e kanë fatin e njëjtë, përkatësisht të vëmendjes dhe kujdesit të duhur ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG