Ndërlidhjet


Përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal thonë se kohëve të fundit është rritur bashkëpunimi me komunitetin serb sa i përket zbatimit të decentralizimit.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se bashkëpunimi më i madh në këtë drejtim është ai me shoqërinë civile, por edhe me përfaqësuesit e tjerë të serbëve.

Sadri Ferati
“E vërteta është se në muajt e fundit kemi filluar një kontakt më intensiv me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe ata të komunitetit serb, për t’i informuar dhe për të biseduar për mundësitë dhe se cili do të jetë bashkëpunimi ynë deri në ditën e zgjedhjeve, kur ata me votën e tyre do të mund të përcaktojnë vullnetin e tyre politik”,
tha ministri Ferati.

Ai tha se është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët serbë dhe kjo, sipas tij, tregon që punët po shkojnë në drejtimin e duhur rreth bartjes së kompetencave.

“Ne jemi edhe në bartje të kompetencave, ku po ashtu ata kanë shprehur një interesim që të bashkëpunojmë. Pastaj, me vetë hapjen e procesit për ekipet përgatitore për komunat e reja, është një numër afër 300, mbi 280, që kanë konkurruar dhe ky ka qenë një moment që kemi konstatuar se ky numër është më i madh sesa që e kemi pritur para disa muajve”.

“Po ashtu, edhe në disa konferenca që kemi mbajtur brenda në Kosovë dhe jashtë Kosovës dhe në takime nëpër disa lokalitete me shumicë të komunitetit serb, kemi pasur një prezencë të kënaqshme”,
deklaroi Ferati, duke pohuar se një bashkëpunim i mirë është duke vazhduar edhe me organizatat joqeveritare.

“Kemi shfrytëzuar njerëzit e vullnetit të mirë, pavarësisht se në cilat pozicione qëndrojnë ata. Realiteti prin, shoqëria civile, organizatat joqeveritare, bizneset dhe së fundi edhe mediat”, u shpreh ministri Ferati.

Se fundi, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës janë shprehur të gatshëm të bisedojnë me institucionet e Kosovës rreth decentralizimit, mirëpo ata kanë kërkuar ndryshimin e Pakos së Ahtisarit.

Dragan Veliq, nga Këshillit Nacional Serb, thotë:

Dragan Veliq
"Sa i përket decentralizimit, qëndrimi i serbëve është shumë i qartë. Unë mund të konfirmoj atë që ka thënë Këshilli Kombëtar Serb; ai është qëndrimi ynë dhe shpresoj të jetë qëndrim i shumicës së serbëve. Ai ka të bëjë pikërisht me modifikimin e Planit të Ahtisarit”,
u shpreh Veliq, duke theksuar se për kërkesat e tyre është e njoftuar edhe Zyra Civile Ndërkombëtare.

“Në disa takime ne e kemi paraqitur qëndrimin tonë. Kështu që qëndrimi ynë është i qartë për të gjithë akterët në këtë proces. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë, në mënyrë që të vijmë deri te ndonjë zgjidhje që është e pranueshme për komunitetin serb”, tha Veliq.

Sipas Planit të Ahtisarit, decentralizimi sjell formimin e komunave të Graçanicës, Ranillugut, Parteshit, Kllokotit, komunës së Mitrovicës veriore, si dhe zgjerimin e asaj të Novobërdës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG