Ndërlidhjet

Olli: Herët për shpallje të fitores në zgjedhje

  • RFE /RL

Qendër votimi në Tiranë, 28 qershor '09.

Qendër votimi në Tiranë, 28 qershor '09.

Duke komentuar pretendimet e partive se kanë fituar në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Leonard Olli, tha se nuk mund të pretendohet fitore, derisa të mos numërohen të gjitha fletëvotimet. Aktualisht, kanë mbetur të numërohen afro 50 kuti.


Në Shqipëri ka vazhduar numërimi i kutive të fundit të fletëvotimeve të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit.

Me më pak se 60 kuti që duhet të numërohen, koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha, thotë se ka dalë fitues në zgjedhje.

Megjithëqë, është e paqartë se a do të ketë ky koalicion numër të mjaftueshëm të deputetëve për ta formuar qeverinë, zëdhënësja e PD-së, Majlinda Bregu, tha se është arritur “fitore në zgjedhjet e së dielës”.

Sipas saj, Aleanca për Ndryshim, e udhëhequr nga PD-ja, i ka siguruar 71 mandate në Kuvendin me 140 deputetë.

Kryeministri Sali Berisha, njëherësh lider i PD-së, tha se partia e tij ka marrë “votën e besimit” dhe shtoi se integrimi i Shqipërisë në BE është “çështja kryesore në katër vjetët e ardhshëm”.

Por, Partia Socialiste i ka hedhur poshtë deklaratat e demokratëve për fitore. Lideri i PS-së, Edi Rama, tha se “procesi i numërimit të votave po përkeqësohet çdo orë”, duke shtuar se socialistët “janë të përkushtuar për ta mbrojtur dëshirën e votuesve, të shprehur më 28 qershor”.

Ditmir Bushati, nga Partia Socialiste, ka akuzuar demokratët se po zbatojnë “një plan të zi për ta rrëmbyer fitoren tonë”. Sipas tij, “këto zgjedhje, për fat të keq, nuk kanë qenë sipas standardit”.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Leonard Olli, tha se është shumë herët të pretendohet fitore.

“Nuk mund të pretendoni fitore, derisa të gjitha kutitë të numërohen, derisa të numërohen edhe votat e fundit”. Ai tha se procesi është bllokuar në më se 50 kuti të fletëvotimeve, për shkak të mospajtimeve të ndryshme.

Prej 4753 kutive të fletëvotimeve, deri tash janë numëruar 4694. Sipas këtyre numërimeve, rezultatet në shkallë shtetërore, në mandate në Kuvendin e Shqipërisë, janë këto: PD - 68, PS - 65, LSI - 4, PDBNJ - 1, PDI - 1 dhe PR - 1 mandat.

Partitë e tjera nuk kanë fituar asnjë mandat.

Rrjedhimisht, koalicioni Aleanca për Ndryshim, që udhëhiqet nga Partia Demokratike e Sali Berishës, ka siguruar 70 mandate; Bashkimi për Ndryshim, i udhëhequr nga Partia Socialiste e Edi Ramës, ka 66, dhe Aleanca Socialiste për Integrim – 4 mandate.

Aleanca Poli i Lirisë nuk ka asnjë mandat
XS
SM
MD
LG