Ndërlidhjet

“Shqipëri e kontradiktës”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Udhëheqësit e institucioneve dhe përfaqësuesit e partive politike i kanë kundërshtuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, drejtuar serbëve të Kosovës, se nuk ka kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme lokale. Këto deklarata janë cilësuar të pabaza, destruktive dhe të ngjashme me politikat e vjetra serbe ndaj Kosovës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sedjiu, tha se presidenti serb, Tadiq, në disa raste ka bërë veprime të dëmshme jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe me komunitetin serb. Përkundër vlerësimeve të Tadiqit, Sejdiu i ftoi edhe një herë serbët të marrin pjesë në zgjedhje dhe kështu të marrin mbi vete edhe përgjegjësitë për mbrojtjen dhe kultivimin e interesave të komunitetit...

BOTA SOT
Faza e numërimit të votave nga zgjedhjet e 28 qershorit, edhe pse në fazën finale, ende nuk ka përkufizuar versionin përfundimtar të tyre. Që nga dita e parë e votimit, koalicioni i PD-së, i udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha, vazhdon të mbajë avantazhin në të gjitha sondazhet. PD-ja tashmë ka shpallur edhe fitoren e kësaj partie, e cila do të udhëheqë Shqipërinë edhe për një mandat të ri deri më 2013. Zëdhënësja e PD-së në fushatën zgjedhore, Majlinda Bregu, theksoi se rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se Aleanca për Ndryshim, që udhëhiqet nga PD-ja e kryeministrit aktual të Shqipërisë, Sali Berishës, ka fituar 71 mandate dhe se, së këndejmi, ka shumicën parlamentare dhe të drejtën e krijimit të qeverisë së re...

EPOKA E RE
Maratona e numërimit të zgjedhjeve në Shqipëri nuk mori fund as në ditën e tretë, deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes dhe deri në ato momente nuk dihej fituesi i zgjedhjeve të së dielës... Sipas rezultateve të deritashme, Partia Demokratike me aleatët ka 70 deputetë të fituar, Partia Socialiste me aleatët 66 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me aleatët 4 deputetë. Si subjekte, Partia Demokratike ka 68 deputetë, Partia Socialiste 65, Lëvizja Socialiste për Integrim 4, Partia Republikane 1 dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim gjithashtu 1... Lëvizja Socialiste për Integrim ka dhënë shenjat e para se një koalicion mes saj dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë mund të llogaritet...

LAJM
Ndalesa në Bullgari e kryetarit të PSD-së, përveç pengesave, i ka shërbyer edhe për një të mirë, për t’u njohur për herë të parë me akuzat që Serbia i ka deponuar në Interpol kundër tij. Ish-kryeministri i Kosovës, në intervistë për “Lajm”, tha se ato janë qesharake dhe komplet të shpifura. Akuzat e ngritura kundër tij nga shteti serb e mbajnë firmën e Danica Marinkoviq, një gjykatëse, siç e quan Çeku, famëkeqe, të cilën qytetarët e Kosovës e njohin për veprimet e saj antishqiptare dhe antinjerëzore. Ndërhyrja e presidentit dhe ministrit të Jashtëm serb tek autoritetet bullgare për ekstradimin e tij në Beograd, sipas Çekut, tregon se ky rast nuk ka të bëjë me drejtësinë, por me akuza të pabaza politike të Serbisë...

KOHA DITORE
UNMIK-u edhe zyrtarisht është shndërruar në mision që për fokus ka trajtimin e komuniteteve në Kosovë. Fundi i procesit të rikonfigurimit ka bërë që misioni i OKB-së në Kosovë të organizojë strukturën e vet dhe stafin e limituar që i ka mbetur në Kosovë, e ka angazhuar në një zyrë që do të merret ekskluzivisht me komunitetet... “Misioni i OKB-së është transformuar në mision politik dhe çështjet e komuniteteve janë një pjesë e rëndësishme e rolit të misionit. Duke iu përmbajtur këtij fokusi,misioni ka organizuar kapacitetet e veta në një zyrë për krijimin e lehtësirave dhe mbështetjes për komunitetet”, ka thënë për “Kohën Ditore” zëdhënësi i këtij misioni, Rasell Giki...

INFOPRESS
Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, ka shënuar edhe një tjetër sukses. Kësaj radhe është vlerësuar me nota tejet pozitive nga Freedom House, që e cilëson Kosovën një përjashtim të rrallë pozitiv në analizën e vendeve në tranzicion për vitin 2008. Sipas raportit, shteti i ri ka shënuar përmirësim si në qeverisjen qendrore, ashtu edhe në atë lokale. Në përmbledhjen e zhvillimeve kryesore për vitin 2008, vitin e pavarësisë së Kosovës, raporti ka vënë në dukje se qeveria e re e koalicionit, e drejtuar nga Hashim Thaçi, arriti ta ruante stabilitetin dhe të parandalojë dhunën në vend, me ndihmën e Zyrës Ndërkombëtare Civile, si dhe ambasadave të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian...

KOSOVA SOT
Kosova është e gatshme për anëtarësim në Interpol, por nuk do të aplikojë derisa të jetë e sigurt se kërkesa e saj nuk do të refuzohet. Mungesën e Kosovës në Interpol, Serbia po e shfrytëzon për lojërat e veta me shtetasit kosovarë, duke ngritur fletarrestime të pabaza në Interpol, sikurse në rastin me ish-kryeministrin Agim Çeku, i cili u arrestua nga autoritetet bullgare... Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se janë të gatshëm të aplikojnë për anëtarësim në Interpol, por për momentin nuk do ta bëjnë një gjë të tillë, gjë të cilën e arsyetojnë me procesin e ndërlikuar për anëtarësim në këtë organizatë, ku duhet të sigurojë dy të tretat e votave të asamblesë së përgjithshme të Interpolit...

EXPRESS
Rroga bruto e një deputeti është 1 mijë e 150 euro. Por, kjo shumë është vetëm për detyrën si deputet. Anëtarët e legjislativit kanë edhe benificione të veçanta. Deputetët paguhen nga taksat e qytetarëve, por transparenca për rrogat që ata marrin, nga ana e zyrtarëve përkatës, është zero. Të dhënat që ka siguruar “Express” janë nga burime të tij brenda Kuvendit, që për shkak të ndonjë “keqkuptimi”, nuk kanë pranuar t’iu publikohet identiteti. Kështu të gjithë 120 deputetët e legjislativit të vendit, janë së paku kryetar apo anëtar në ndonjë nga 13 komisionet parlamentare. Madje, ka prej tyre që janë anëtarë në disa komisione të ndryshme, janë kryetarë të ndonjë komisioni apo edhe anëtarë të Kryesisë së Kuvendit. Sigurisht, të gjitha këto detyra shtesë, përveç asaj si deputet brenda mureve të Kuvendit, në fund të muajit, përkthehen në para...
XS
SM
MD
LG