Ndërlidhjet

Të mbijetuarit e luftës në Gjeorgji


Pamje në qytetin e Gorit, pas konfliktit të armatosur mes Rusisë dhe Gjeorgjisë në gusht të 2008-ës.
Pamje në qytetin e Gorit, pas konfliktit të armatosur mes Rusisë dhe Gjeorgjisë në gusht të 2008-ës.
Shota Jokhadze ka mundur vetëm të shikonte, pa pasur fuqi të ndërmarrë diçka, kur milicia e Osetisë Jugore, e mbështetur nga rusët, plaçkiti dhe shkatërroi shtëpinë e tij, 10 muaj më parë.

Duke pushuar nën një lis, përtej rrënojave ku dikur ishte shtëpia e tij, 82-vjeçari Shota, me sy të errët e të lodhur, tregon se si forcat ruse, të pasuara dhe nga ato osetiane, sulmuan vendin e tij, në muajin gusht të vitit të kaluar.

“Ata kanë ardhur dhe kanë djegur shtëpitë tona. Çka mund të them tjetër? Ushtria ruse qëndronte atje. Sapo u larguan ata, kanë ardhur osetianët me uniforma ushtarake. Ata plaçkitën dhe dogjën shtëpitë tona”.

Përderisa Rusia po bën stërvitjet ushtarake në Gjeorgji, nga 29 qershori deri më 6 korrik, në anën tjetër po ngrihen shqetësimet nëse Moska po përgatit një konflikt të ri me Gjeorgjinë.

Stërvitjet, më të mëdhatë që nga shpërbërja sovjetike, do të përfshijnë 8,500 trupa, 200 tanke, 450 automjete të blinduara dhe 250 copë artileri. Rusia ka drejtuar stërvitje të ngjashme pikërisht para konfliktit me Gjeorgjinë, gushtin e kaluar.

Edhe nëse nuk do të ketë ndonjë luftë tjetër, banorët e fshatrave të Gorit ende vuajnë efektet e konfliktit të fundit, përderisa përpiqen të rindërtojnë shtëpitë dhe të rifillojnë jetën e tyre.

Më se dy të tretat e 180 shtëpive të fshatit Ergneti thuhet të jenë djegur nga forcat osetiane dhe më së gjysma e 600 banorëve të paraluftës ose kanë ikur, ose janë vrarë gjatë përleshjeve. Gjithandej rajonit, janë të shumtë ata që janë vrarë dhe qindra të tjerë që kanë humbur shtëpitë.

Banorët tregojnë se si njerëz nga Osetia Jugore gjuajnë dhe me armë gjatë natës, vetëm për t’i trembur fshatarët.

“Të gjithë të rinjtë kanë ikur”, thotë Shota Jokhadze. “Nganjëherë ata vijnë gjatë ditës për t’u kujdesur për kopshtet e tyre, por ata largohen para natës. Çfarë mund të bëjnë? T’i lejojnë osetianët që t’i vrasin? Osetianët nuk do të na lënë të qetë. Është vetëm një pikë mbrojtjeje gjeorgjiane, por si mund ta mbrosh fshatin vetëm nga një vend?”

Por, nuk është vetëm pasiguria fizike që mundon banorët e fshatit Ergneti. Pa ndonjë punë dhe me një ekonomi të shkatërruar, ata duhet të jetojnë nga toka dhe të mbështetur në ndihmat humanitare.

Atyre që kishin humbur shtëpitë, Qeveria gjeorgjiane u kishte ndarë një shumë prej 15 mijë laris (rreth 9 mijë dollarë) dhe i furnizon rregullisht me artikujt kryesorë ushqimorë.

Ndihmat ndërkombëtare nga Bashkimi Evropian kanë mundësuar ndërtimin e anekseve njëdhomëshe për akomodimin e banorëve deri në përfundimin e rindërtimit të shtëpive të tyre.

“Ata na kanë dhënë para, 15 mijë laris. Na kanë furnizuar dhe kanë thënë se do të na sjellin një lopë, një derr ose disa pula, për të pasur diçka. Çdo muaj, ata na sjellin gjalpë dhe pasta”, thotë 46-vjeçari Robinzon Kasradze.

Përveç shkatërrimit të qindra shtëpive në rajon, lufta i ka privuar banorët e Gorit edhe nga të vjelat bujqësore.

Para luftës me Rusinë, mollët e rajonit të Gorit, për të cilat banorët thonë se kanë qenë të njohura gjithandej Bashkimit Sovjetik për nga cilësia e tyre, kanë qenë një nga burimet kryesore të të ardhurave për këto fshatra.

Picking Up The Pieces In Gori
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:47 0:00
XS
SM
MD
LG