Ndërlidhjet

Liderët presin njohje të reja


Udhëheqësit kosovarë e vlerësojnë pozitivisht raportin e fundit të Fridom Haus në lidhje me përparimet në Kosovë. Presidenti Fatmir Sejdiu deklaroi se zhvillimet në Kosovë dhe rreth saj, dëshmojnë se së shpejti do të ketë edhe njohje të reja.


Liderët kosovarë thonë se bota po i kupton të arriturat dhe përparimet në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë e këndej.

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi besojnë se zhvillimet dhe trendet politike e çojnë Kosovën kah njohjet e reja dhe integrimi i saj në organizma ndërkombëtarë. Ndërsa, opozita vazhdon ta kritikojë qeverisjen aktuale.

Sidoqoftë, presidenti Fatmir Sejdiu tha sot, pas një takimi me deputetët e Kuvendit të Kosovës të periudhës së vitit 1990, të cilët patën nxjerrë Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut për Pavarësinë e Kosovës, se bota po e pranon gjithnjë e më shumë realitetin e ri dhe paralajmëroi njohje të reja të shtetit të Kosovës.
Mendoj se është bërë një punë e mirë dhe kujtoj me bindje të plotë se do të ketë edhe njohje të tjera. Ato do të pasojnë...

“Mendoj se është bërë një punë e mirë dhe kujtoj me bindje të plotë se do të ketë edhe njohje të tjera. Ato do të pasojnë. Unë e di se edhe vende nga ish-Federata e shpërbërë kanë pritur deri në gjashtë muaj për njohjen e parë. Kosova ka njohje jashtëzakonisht të fuqishme. Janë 60 vende deri tash, që na kanë njohur. Shumë prej këtyre vendeve janë vende të influencës më të madhe politike dhe ekonomike në botë”, tha Sejdiu.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi vlerëson se Kosova ka të arritura të shumta. Ai ka kërkuar reforma dhe më shumë angazhime në sistemin e drejtësisë.
Thaçi tha se pajtohej me raportin e fundit të Fridom Haus (Freedom House) dhe pjesën ku flitet për Kosovën, ku lavdërohet ruajtja e stabilitetit, ndërsa shpreh shqetësime se nuk ka lëvizje në kuadër të luftimit të korrupsionit.

Andaj, Thaçi tha se ai i inkurajonte organet e gjyqësisë dhe prokurorisë që t’i vazhdojnë reformat dhe luftimin e dukurisë së korrupsionit.
Raporti i Fridom Haus vlerëson zhvillimet e vitit 2008 dhe ai paraqet raportin më të suksesshëm deri më tash...

“Raporti i Fridom Haus vlerëson zhvillimet e vitit 2008 dhe ai paraqet raportin më të suksesshëm deri më tash - i nxjerrë për Kosovën. Ne zotohemi edhe një herë se përkushtimet tona do të jenë të pakursyera dhe motoja zero tolerancë ndaj korrupsionit do të vazhdojë. Por, që të kemi sukses të plotë në luftën kundër korrupsionit, kërkohen reforma të thella në drejtësi dhe vetë drejtësia të fitojë në Kosovë”, theksoi Thaçi.

Ndërkohë, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se nga prizmi i opozitës, ai e sheh përdorimin e një gjuhe të kujdesshme të ndërkombëtarëve në raport me zhvillimet në Kosovë, por çdo herë, sipas tij, në të gjitha raportet dhe vlerësimet ndërkombëtare shprehen edhe shqetësime, sidomos për çështjet e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative.
Të gjitha raportet e derisotme përmbajnë edhe shqetësime për gjendjen në Kosovë, për gjendjen e rëndë të korrupsionit...

“Të gjitha raportet e derisotme, jo vetëm të këtij karakteri, por edhe të karaktereve tjera të vlerësimit të gjendjes, përmbajnë edhe shqetësime për gjendjen në Kosovë, për gjendjen e rëndë të korrupsionit, për uzurpimin ose cenimin e lirive nga akterë të ndryshëm në shoqëri, e deri te defektet tjera që janë shfaqur, si liria e mediave, siç e dini kohët e fundit”, tha Haradinaj.

Ndryshe, liderët e institucioneve kanë deklaruar sot se zhvillimet, si pranimi i Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe raporti i fundit i Fridom Huas, ku lavdërohet tranzicioni në Kosovë, janë tregues se edhe Kosova po e ndërton subjektivitetin e vet si shtet.
XS
SM
MD
LG