Ndërlidhjet

Sinjaleve të presidentit serb, Boris Tadiq, për mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale të nëntorit, politikanët serbë të Kosovës i përgjigjen në forma të ndryshme. Ndërsa liderët e veriut mbështesin fuqishëm Tadiqin, politikanët në pjesën qendrore thonë se serbët kanë dobi nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale.


Jo të gjithë serbët e Kosovës kanë mbështetur deklaratën e presidentit serb, Boris Tadiq, se nuk ka kushte për pjesëmarrje të serbëve në zgjedhjet e 15 nëntorit në Kosovë.

Serbët, edhe para kësaj deklarate, kanë qenë të ndarë në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në zgjedhjet lokale.

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, mendon se edhe Qeveria serbe së shpejti do të dalë me qëndrim të njëjtë me të Tadiqit. Politikani nga Mitrovica përmend disa arsye pse serbët duhet t’i bojkotojnë zgjedhjet.

Oliver Ivanoviq
“E para: këto zgjedhje i organizon Qeveria e Kosovës, d.m.th. Qeveria e Kosovës së pavarur; e dyta: zgjedhjet organizohen sipas Planit të Ahtisarit, të cilin ne e kemi hedhur poshtë; arsyeja e tretë është se ne kemi pasur zgjedhjet më 11 maj të vitit të kaluar dhe nuk mund të mbështesim pjesëmarrjen e serbëve në çfarëdo lloj zgjedhjesh tjera”,
u shpreh Ivanoviq.

Por, ndryshe mendon nënkryetarja e Këshillit Kombëtar Serb për Kosovën qendrore, Rada Trajkoviq. Ajo thotë se pjesëmarrja është në dobi të serbëve të Kosovës. Për më tepër, Trajkoviq shpreson se Beogradi nuk do të ndërmarrë masa represive ndaj serbëve, të cilët, megjithatë, nuk do t’i binden ftesës së Tadiqit.

Rada Trajkoviq
“Mbetja e serbëve në Kosovë mund të realizohet vetëm nëse marrim pjesë në zgjedhje, në përfitimin e hapësirave territoriale. Pastaj, mendoj se me formimin e komunave të reja, posaçërisht në enklava, do të kishim forcë dhe fuqi që bashkë me njerëzit që janë zgjedhur në zgjedhjet serbe, ngadalë të punojmë për të fituar legjitimitet. Në anën tjetër, edhe institucionet do të kishin kapacitet të plotë dhe mundësi qeverisjeje”,
nënvizoi Trajkoviq.

Sikur edhe për shumë procese tjera që zhvillohen në Kosovë, edhe për zgjedhjet, qëndrimet e serbëve që jetojnë në veri dhe të atyre në jug të lumit Ibër, ndryshojnë.

Një përfaqësues i pushtetit paralel serb në Mitrovicë, Radenko Nedelkoviq, mbështet qëndrimin e Tadiqit për mospjesëmarrje në zgjedhjet e nëntorit.
Arsyeja e parë - ne i kemi mbajtur zgjedhjet vitin e kaluar dhe, e dyta, nuk pranojmë shtetin e pavarur të Kosovës.

“Arsyeja e parë - ne i kemi mbajtur zgjedhjet vitin e kaluar dhe, e dyta, nuk pranojmë shtetin e pavarur të Kosovës. Ndërsa, këto zgjedhje i organizon qeveria e këtij shteti të pavarur”, tha Nedelkoviq.

Në anën tjetër, kreu i Lëvizjes së Ripërtërirjes Serbe, me seli në Graçanicë, Rangjell Nojkiq, thotë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje është e dobishme në shumë sfera.
Kjo që e thotë Tadiqi, nuk nënkupton se serbët nuk duhet të dalin në zgjedhje... Me mospjesëmarrje, mendoj se mund të arrihen dy efekte shumë të këqija...

“Kjo që e thotë Tadiqi, që nuk ka kushte për pjesëmarrje në zgjedhje, nuk nënkupton se serbët nuk duhet të dalin në zgjedhje. E kuptoj se është politikë shtetërore dhe unë e kuptoj këtë politikë. Por, po ashtu konsideroj se duhet të kuptohen edhe arsyet tjera, të cilat janë të rëndësishme, që serbët të dalin në këto zgjedhje”, u shpreh Nojkiq, duke përmendur ndër arsyet procesin e decentralizimit dhe pjesëmarrjen e serbëve në proceset vendimmarrëse.

“Me mospjesëmarrje, mendoj se mund të arrihen dy efekte shumë të këqija – një, që nuk do të kemi përfaqësues që do t’i mbronte interesat e serbëve dhe, në anën tjetër, mund të kemi përfaqësues serb, që do përfaqësojë vetëm interesat personale. Në të dyja rastet, serbëve u bëhet dëm i madh”, theksoi Nojkiq.

Ndryshe, institucionet e Kosovës kanë reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Boris Tadiq, duke thënë se në Kosovë ekzistojnë rrethana normale për zgjedhje të lira e demokratike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG