Ndërlidhjet

Berisha, Rama: Akuza të ndërsjella


Sali Berisha dhe Edi Rama
Sali Berisha dhe Edi Rama

Liderët e dy partive më të mëdha politike në Shqipëri kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella lidhur me procesin paszgjedhor. Kryeministri Sali Berisha nga PD-ja dhe Edi Rama, lider i PS-së, kanë fajësuar njëri-tjetrin për pengim të procesit të numërimit të votave dhe të shpalljes së rezultateve përfundimtare.


Kryeministri Sali Berisha, sot në mesditë, ka dalë në selinë e Partisë Demokratike, në një konferencë për shtyp, ku akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se po përpiqet të ngre revolta popullore për të mësuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Kryeministri Berisha e bëri Ramën përgjegjës për tensionin e krijuar mbrëmjen e së mërkurës, në komisionin zonal zgjedhor në qytetin e Fierit dhe atë të Rrogozhinës.

“Falanga të krimit në Partinë Socialiste, të udhëhequra nga Edi Rama, po bëjnë çdo përpjekje për të bllokuar këtë proces. Gjatë ditës, Edi Rama, me emisarët e tij, më komunikoi mua se ai kishte vendosur të më mos njihte rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe se kishte vendosur të nxirrte popullin në protesta".

"Përgjigjja ime ishte se ky është një vend i lirë dhe se qytetarët mund lirisht të protestojnë. Është një standard i demokracisë shqiptare, i cili është standard i konsoliduar. Por, natyrisht, rezultat zgjedhjesh me protesta nuk do të mund të ndryshohet”,
tha Berisha.

Në reagimin e menjëhershëm, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi kryeministrin Berisha si shkaktarin e prishjes së zgjedhjeve. Rama deklaroi se do të jetë Komisioni Qendror Zgjedhor institucioni që do të përcaktojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

“I gjendur pa mandatin e dytë në dorë dhe nën presionin qytetar të ditës së djeshme, ai nuk arrin dot të ruajë gjakftohtësinë. Ne jemi këtu, sepse duam të ndryshojmë Shqipërinë".

"Shqipëria mund të ndryshojë e të vazhdojë të ndryshojë, duke ndryshuar cilësinë e procesit të vendimmarrjes së popullit sovran dhe duke mos lejuar që gjithfarë lloj pushtetarësh e guximtarësh që i ndjekin nga pas, të nëpërkëmbin vendimin e popullit sovran, duke bërë atë që kanë bërë deri tani”,
tha Rama.
XS
SM
MD
LG