Ndërlidhjet

Sfidat përballë lirisë së shprehjes


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare

Të gjitha qeveritë në Kosovë e kanë shkelur të drejtën e lirisë së shprehjes në media. Por, qeveria aktuale ka bërë një regres të shtuar, kohëve të fundit. Kështu është thënë sot, në një debat të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Të pranishmit në debat kanë konstatuar se në Kosovë po cenohet e drejta për t'u shprehur lirshëm.

Redaktori në të përditshmen “Koha Ditore”, Halil Matoshi, tha se qeveria aktuale po bën një kthim prapa, kur behet fjalë për lirinë e shprehjes në media.

“Sa i përket lirisë së shprehjes në Kosovë, e them me përgjegjësi të plotë se qeveria aktuale është në regres fatal. Kjo, për bindjen time, e ka cenuar rëndë demokracinë në vendin tonë”.

“Në Kosovë ekziston vetëm një pushtet, i cili është mbi pushtet dhe ai është ekzekutivi i vendit, i cili ia cakton agjendën Kuvendit të Kosovës, i cili ia cakton agjendën gjyqësorit dhe i cili ua cakton agjendat mediave ose shtypit të lirë. Në këtë nuk mund të kemi më asnjë dyshim”,
tha Matoshi.

Edhe Migjen Kelmendi, pronar i një televizioni lokal, të cilit i është ndaluar transmetimi i sinjalit televiziv në njërin nga rrjetet kryesore kabllore në vend, thotë se fjala e lirë në Kosovë është e rrezikuar.

“Mbështes me argumente, sepse po mendoj se kurrë më e rrezikuar fjala e lirë në këtë vend nuk ka qenë, se në këto 120 ditët e fundit, kur edhe u teratis një ekran. Ju e dini që në kemi një përvojë të keqe të teratisjes së ekraneve”.

“Kur u teratis ekrani i RTP-së në kohën e Millosheviqit, filloi tortura e një aparteidi apo semi-aparteidi, quajeni si të doni. Ishte një shenjë e keqe e instalimit të një politike, që solli deri te konfrontimet luftarake”,
u shpreh Kelmendi.

Ndryshe, të gjitha këto deklarata, por edhe ato që së fundi janë shprehur në disa media, se Qeveria e Kosovës po tenton t’i vë nën kontroll mediat, për zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi nuk qëndrojnë.

“Diskursi i përhapur te ne, e sidomos së voni do të thosha, në debat për lirinë e shprehjes së mendimit të lirë, apo edhe për media të lira në Kosovë, për gjoja një lloj kontrolli që mund të jetë nga ana e qeverisë, mendojmë se është i paqëndrueshëm”.

“Asnjë veprim i Qeverisë së Kosovës nuk është i orientuar dhe nuk ka pasur për qellim që të vë mbi kontroll mediat, e as të kufizojë lirinë e shprehjes”,
deklaroi Kuçi.

Por, sipas Halil Matoshit, kërcënimet direkte dhe indirekte ndaj gazetarëve nuk kanë të ndalur.

“Dhunimi ose frikësimi me metoda direkte dhe të tërthorta të gazetarëve në Kosovë, nuk pushojnë. Më duket se kjo qeveri nuk ka të ndalur. Po shkon nga gabimi në gabim”.

“Unë e kam lutur publikisht kryeministrin e Kosovës që të dalë dhe të kërkojë falje jo vetëm pas skandalit të ekipit të BIRN-it dhe emisionit ‘Jeta në Kosovë’, por t’u kërkojë falje të gjithë gazetarëve të Kosovës dhe të garantojë, ose së paku të na kurajojë se qeveria e vendit do të jetë garante e lirive tona qytetare”,
tha Matoshi.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, premton se qeveria do t'i ruajë raportet korrekte me mediat. Ai tha se liria e mediave dhe e shprehjes mund të kufizohet vetëm me ligj.

“Qeveria është shprehur disa herë se do të vazhdojë të jetë e vendosur, të jetë e distancuar nga rastet e kërcënimit të lirisë së shprehjes, por njëkohësisht kërkon një ndërgjegjësim më të madh edhe për rolin dhe peshën e fjalës publike në Kosovë”.

“Në mendojmë gjithmonë se liria e shprehjes së mendimit të lirë dhe liria e mediave kufizohet vetëm me ligj. Nuk mund ta kufizojë askush tjetër dhe mund të kufizohet vetëm në shkallën kur ajo kufizohet me shpifje dhe fyerje”,
tha Kuçi.

Për përmirësimin e lirisë se shprehjes në Kosovë duhet të angazhohen të gjithë faktorët relevantë të vendit, deklaroi Endi Mekgafi, zëdhënës i Zyrës Civile Ndërkombëtare.

"Mendoj se bashkësia ndërkombëtare ka një rol të kufizuar në çuarjen përpara të këtij diskutimi. Ne mund të sjellim përvojat dhe pikëpamjet tona, por akterët kryesorë janë vendorët, të cilët do të duhej të gjejnë një zgjidhje për lirinë e shprehjes”, theksoi ai.

Sido që të jetë, AGPK-ja ka bërë të ditur se vetëm brenda këtij viti ka marrë 11 ankesa nga më të ndryshmet, që kanë të bëjnë me dhunën ndaj gazetarëve, kërcënimet me vdekje, si dhe censura në lajme.
XS
SM
MD
LG