Ndërlidhjet

logo-print

“Zgjerimi i BE-së me Ballkanin, s’është në rend dite”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Institucionet e Republikës së Kosovës shprehin bindjen e tyre se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vendosë në favor të Kosovës për legjitimitetin pavarësisë së saj, duke u mbështetur në njohjen e shteteve të rëndësishme të Evropës, si dhe në të drejtat e vetë shtetit për të qenë shtet i pavarur dhe sovran, mirëpo analistët besojnë në të kundërtën se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do të jetë shumë e qartë nëse do të vendosë në favor të Kosovës apo të Serbisë, sepse vendimi i saj do të jetë i paqartë dhe do të lexohet në shumë mënyra. Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, gjatë qëndrimit të tij në Uashington, ndër të tjera, shprehu bindjen e tij të plotë se vendet e Ballkanit do të dëshmojnë në favor të Kosovës dhe se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vendosë në favor të saj...

EPOKA E RE
As në ditën e katërt pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Shqipëri, nuk është bërë i ditur fituesi i këtyre zgjedhjeve – tabori i demokratëve i prirë nga kryeministri aktual, Sali Berisha, apo tabori i kryesocialistit Edi Rama. Fituesi i kësaj gare të fortë dhe dramatike, herë-herë edhe me tensione dhe përplasje ndërmjet këtyre dy taborëve, pritet që më në fund të shpallet sot (e premte), pasi të numërohen të gjitha kutitë e votimit. Pa numëruar kanë mbetur vetëm edhe kutitë e votimit të Libofshit, të Fierit dhe të Fushë Kuqes në zonën e Lezhës. Sipas rezultateve të deritashme, të publikuara nga organizatat KRIIK dhe ECA, numri i mandateve për deputetë i dy rivalëve, atyre demokratë dhe socialistë, ende mbetet i barabartë, 70 me 70...

LAJM
Para disa muajve, Kosova ishte vërshuar nga deklaratat pompoze për njohje të reja, që proklamoheshin nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe nga disa liderë të partive politike. Por, kaluan një muaj e gjysmë që nga njohja e fundit dhe Kosova nuk u njoh nga asnjë vend. Njohjet sidomos pritej të vinin pas anëtarësimit të Kosovës në dy organizatat financiare ndërkombëtare, FMN e Bankë Botërore, ku Kosova u anëtarësua me shumicë votash muajin e kaluar, ndërsa të hënën e nënshkroi edhe marrëveshjen për anëtarësim me të gjitha protokollet. Ngecjet në njohje, sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, janë pasojë e mungesës së kapaciteteve të politikës së jashtme kosovare. “Sidoqoftë, procesi i njohjeve do të vazhdojë, miqtë e Kosovës po punojnë për këtë, por ajo që na shqetëson është mungesa e rolit tonë në këtë proces, do të thotë e kapacitetit tonë si politikë e jashtme për të marrë njohje”, tha Haradinaj të enjten...

KOHA DITORE
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vlerësuar sistemin e brishtë gjyqësor në Kosovë si pengesë në luftimin e korrupsionit. Sipas tij, në gjyqësor duhen reforma të thella, në mënyrë që sundimi i ligjit të vihen në vend dhe të luftohet dukuria e korrupsionit. Kreu i ekzekutivit kosovar i ka bërë këto komente në një konferencë për media, të enjten, ku është lavdëruar për anëtarësimin e Kosovës në FMN dhe në Bankën Botërore. Thaçi ka vlerësuar pozitivisht edh raportin e fundit për Kosovën të organizatës “Freedon House”... Duke komentuar gjetjet e raportit, ku vlerësohet se ka mungesë të vullnetit institucional për luftimin e korrupsionit, kryeministri ka thënë se fajet për këtë i ka gjyqësori kosovar...

INFOPRESS
Administrata publike në Kosovë duhet të jetë më funksionale dhe më efikase, dhe si e tillë, duhet t’i nënshtrohet procesit të rishikimit funksional, u tha në mbledhjen e radhës të komisionit ndërministror për reformën funksionale të administratës publike. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi premtoi proces të mirëfilltë të rishikimit funksional të administratës publike me standarde evropiane dhe përfundim të këtij procesi brenda vitit. Ai vlerësoi se qeveria do të bëjë punën më të mirë të mundshme që brenda këtij viti të ketë një rishikim funksional të administratës publike. “Besoj se me hyrjen në fuqi të Ligjit për qeverinë dhe me rregulloren e qeverisë, do të kemi një organizim më të detajuar, efikas dhe ndoshta më të përqendruar të Qeverisë së Kosovës...”, ka theksuar Kuçi...

KOSOVA SOT
Panorama politike e koalicioneve të mundshme për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen gjatë këtij viti ende nuk është e qartë, ndonëse asnjë nga forcat politike nuk ka përjashtuar mundësinë e partneriteteve politike. Teksa flitet për forcat politike në procesin e zgjedhjeve, analistë politikë theksojnë se koalicionet janë të pashmangshme, në mungesë të kuadrove të afta dhe se ato janë më të shprehura pas publikimit të rezultateve të para, kryesisht në krizën e balotazhit. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, shfaqi besimin se këto zgjedhje do të zhvillohen sipas standardeve perëndimore... Por, këto zgjedhje do të jenë me plot ekuacione dhe pikëpyetje zgjedhore. Forcat opozitare: AKR-ja, AAK-ja dhe LDD-ja kanë hedhur dyshime mbi mundësinë e ndonjë partneriteti me partitë kryesore, PDK dhe LDK, për shkak të partneritetit të koalicionit qeverisës...

EXPRESS
Përgatitjet për krijimin e komunave të reja që dalin nga obligimet e statusit dhe që është dashur të kulmojnë në ditën e zgjedhjeve të reja, përkatësisht më 15 nëntor, do të vazhdojnë përkundër thirrjes së presidentit të Serbisë, që serbët kosovarë t’i bojkotojnë votimet e reja lokale. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që drejton këtë proces, ka shprehur vendosmëri për t’ua ofruar qytetarëve serbë mundësinë për t’i marrë ato të drejta që i takojnë sipas obligimeve kushtetuese. Autoritetet në Beograd thonë se dalja e serbëve më 15 nëntor do të ishte njohje indirekte e pavarësisë së Kosovës... Në një prononcim për “Express”, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Shpend Tërdevaj, thotë se krijimit të komunave të reja i nevojitet dalja e serbëve në zgjedhje...

ZËRI
Konsolidim para zgjerimit. Kjo duket të jetë fjalia kryesore dhe qëndrimi kyç i qarqeve më të larta vendimmarrëse në Bashkimin Evropian dhe i disa shteteve të fuqishme në BE, përballë temës së shtimit eventual të shteteve anëtare të BE-së me shtetet e mbetura të Ballkanit perëndimor, duke nisur në perëndim me Kroacinë dhe duke përfunduar në jug me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Bazuar në burimet diplomatike perëndimore në Bruksel, ngjarjet e 3-4 vjetëve të fundit brenda BE-së, pastaj kriza globale financiare që la pasoja të mëdha kudo në Evropë, ka ndikuar që në Bruksel të mbizotërojë një kujdes i madh për procesin e zgjerimit të BE-së dhe që përqendrimi kryesor i Brukselit të jetë konsolidimi i BE-së, e jo zgjerimi i tij. Këtu, mbase, një përvojë e hidhur lidhet me rastin e Kosovës, sepse dihet që uniteti aq shumë i kërkuar dhe i synuar i BE-së nuk u arrit në procesin e njohjes së Kosovës...
XS
SM
MD
LG