Ndërlidhjet

MPB: Policët serbë u kthyen pa kushte


Stacioni policor në Prishtinë
Stacioni policor në Prishtinë

Prishtina ka hedhur poshtë pretendimet e Beogradit zyrtar se kthimi i policëve serbë është bërë në harmoni me planin 6-pikësh. Qeveria e EULEX-i thonë njëzëri se kthimi është bërë vullnetarisht dhe se ekziston vetëm një zinxhir komandues në Policinë e Kosovës.


Kthimi i 318 pjesëtarëve serbë në Policinë e Kosovës po përcillet me kundërthënie.

Qeveria e Serbisë thotë se kthimi është bërë në pajtueshmëri me planin gjashtëpikësh të Ban Ki Munit, i cili parasheh dy zinxhirë komandues për policinë, përkatësisht komandë të posaçme për policët serbë.

Por, këto pretendime hidhen poshtë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe misioni evropian për sundimin e ligjit - EULEX. Këshilltari në MPB, Fisnik Rexhepi, siguron se kthimi i policëve serbë nuk ka qenë i kushtëzuar.
Kthimi i policëve në vendet e tyre të punës është bërë në baza vullnetare dhe është rezultat i vullnetit të tyre për t’u kthyer në vendet e tyre të punës...

“Mund t’ju siguroj se kthimi i policëve në vendet e tyre të punës është bërë në baza vullnetare dhe është rezultat i vullnetit të tyre për t’u kthyer në vendet e tyre të punës dhe si rezultat i inkurajimit të vazhdueshëm, që kanë pasur nga institucionet e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”, theksoi Rexhepi.

Beogradi ka deklaruar se kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës paraqet kthim në gjendjen para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, një gjë e tillë mohohet edhe nga zyrtarë të EULEX-it, për të cilët është thënë se kanë negociuar me Beogradin disa aranzhime specifike se si do të punojnë policët e kthyer.

Zëdhënësja e komponentit të policisë në EULEX, Karin Limdal, sqaron situatën:

“S’ka pasur kurrfarë negociatash. Natyrisht se kjo çështje është përmendur nga Iv de Kermabon, i cili ka thënë se është shumë e rëndësishme që policët të kthehen në punë, në mënyrë që Policia e Kosovës të jetë forcë multietnike dhe të punojë në interes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Por, nuk ka pasur negociata. EULEX-i nuk ka mandat që të negociojë”, u shpreh Limdal.

Treqindetetëmbëdhjetë policët serbë janë kthyer më 30 qershor në vendet e tyre të punës, të cilat, të nxitur nga Beogradi zyrtar, i patën braktisur pas shpalljes së pavarësisë.

Shkas i braktisjes pati qenë mosbindja ndaj urdhrave të komandës qendrore të Policisë së Kosovës. Fisnik Rexhepi thotë se policët e kthyer do t’i binden vetëm një zinxhiri komandues.

“Në Policinë e Kosovës ka vetëm një zinxhir komandues; ky po funksionon në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Policët, që janë kthyer në vendet e tyre të punës, kanë filluar punën në stacionet policore, në lokalitetet prej nga vijnë ata. Nuk ka asnjë problem”.

“Gjithçka po shkon sipas planifikimeve tona dhe ata kanë filluar praktikisht t’i zbatojnë detyrat, me të cilat ngarkohen nga eprorët e tyre, në përputhje me ligjet në fuqi të institucioneve të Kosovës”,
tha Rexhepi.
Për ne është e qartë se këta policë që u kthyen, të gjithë punojnë nën komandën e Policisë së Kosovës.

Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga Karin Limdal.

“Me sa është i njoftuar EULEX-i, nuk ka pasur kushtëzime. Për ne është e qartë se këta policë që u kthyen, të gjithë punojnë nën komandën e Policisë së Kosovës“, deklaroi Limdal.

Por, pjesa veriore e Kosovës mbetet ende problem më vete. Policët serbë që veprojnë në atë pjesë, të banuar me shumicë serbe, nuk i raportojnë direkt drejtorisë qendrore apo rajonale të policisë. Këtë e bëjnë përmes EULEX-it.

“Ekziston vetëm një zinxhir komandues. Por, siç e dini, ka aranzhime specifike në veri sa i përket vijës së raportimit. Policët serbë që punojnë atje, i raportojnë Policisë së Kosovës përmes EULEX-it, përmes kreut të komponentit të policisë në EULEX”, nënvizoi Limdal.

Mbi 300 policët serbë kanë marrë paga për më shumë se një vit, pa u paraqitur fare në punë. Në muajin prill, Ministria e Punëve të Brendshme mori vendim që atyre t’u ndalohej paga, duke u dhënë 45 ditë afat deri në kthimin në vendet e punës apo shkëputjen e kontratës.

Në ditën e fundit, 318 policë vendosën t’i kthehen policisë, ndërsa vetëm 7 jo. MPB thotë se kushtëzimi me humbjen e vendeve të punës ka qenë i duhur, por një vendim i tillë nuk ka mundur të merret më herët.
XS
SM
MD
LG