Ndërlidhjet

logo-print
Për shkak të krizës globale financiare është ngrirë përkohësisht punësimi sezonal, i cili kishte filluar në disa nga vendet e Bashkimit Evropian. Kështu thotë Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ai thotë se përkundër përpjekjeve të autoriteteve kosovare për hapjen e vendeve të reja të punës, që si alternativë e mundshme në këtë drejtim ishte dhe punësimi sezonal, kriza globale ka ndikuar negativisht në këtë proces. Dedaj thotë se kriza ka përfshirë vendet ku Kosova ka synuar të dërgojë punëtorë.

“Kriza globale, e cila është duke ndodhur në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe në të gjitha vendet e botës, ku kishim pasur mundësi të bëjmë një punësim solid stinor, e ka ngrirë për momentin këtë proces. Të gjitha shtetet dhe të gjitha vendet janë duke pritur se çfarë po ndodh”, tha Dedaj.

Megjithatë, ai thotë se punësimi sezonal është një proces shumë i vështirë, i cili kërkon përmbushjen e shumë kritereve. Disa shtete të Evropës, thotë Dedaj, kanë shprehur interesimin për pranimin e punëtorëve sezonalë, por, siç thotë ai, kusht kanë vënë largimin e refugjatëve kosovarë nga ato vende.

“Norvegjia ka kërkuar që në radhë të parë t’i kthejë të gjithë kosovarët, të cilët nuk e kanë statusin e zgjidhur, që kanë kërkuar azil në Norvegji. Së pari t’i kthejë ata, pastaj të ndërtojmë marrëveshje e të dërgojmë punëtorë të rinj”.

“Edhe kthimi i refugjatëve do të shkaktonte një problem, një turbulencë në tregun e punës në Kosovë. Të gjitha këto janë probleme që duhet të studiohen seriozisht, sepse nëse i kthejmë 10 mijë kosovarë dhe i dërgojmë një mijë të tjerë, ne gjithmonë e kemi bërë një problem prej 9 mijë të tjerëve”,
u shpreh Dedaj.

Por, udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës pohojnë mungesën e gatishmërisë së Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për zgjidhjen e problemit të punësimit sezonal.

Haxhi Arifaj, kryetar i BSPK-së, thotë se kriza globale nuk mund të ndikojë në punësimin e punëtorëve kosovarë për një periudhë afatshkurtër në vendet perëndimore.

“Ata që dy vjet janë duke alarmuar opinionin se do të punësojnë dhe janë duke vizituar shtetet evropiane për punësim sezonal. Por, ky është vetëm një premtim dhe kurrë nuk po realizohet asgjë dhe e vërteta është se nuk do të realizohet kurrë”, deklaroi Arifaj.

Por, zëvendësministri Gjergj Dedaj thotë se përkundër ngrirjes së këtij procesi, autoritetet kosovare vazhdimisht janë duke punuar në këtë drejtim. Ai tha se në Konferencën Ndërkombëtare të Punës, që është mbajtur në Gjenevë, në fund të muajit të kaluar, ka kërkuar nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që të mundësohet punësimi sezonal i kosovarëve në këto vende.

Sipas tij, interesimi i vendeve për të debatuar për këtë çështje ekziston, por duhet të krijohen disa marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe vendeve përkatëse.

“Ne jemi në fazën e përpilimit të marrëveshjes, sepse në kohën e ish-Jugosllavisë kanë qenë disa marrëveshje të vendosura që nga viti 1968, me vendet e Bashkimit Evropian, ta zëmë me Gjermaninë. Ato marrëveshje sot e kësaj dite janë në fuqi”.

“Dhe, neve na duhet të krijojmë dhe të ndërtojmë marrëveshje të reja në mes të Republikës së Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian”,
theksoi Dedaj.

Ai shpreson se në një të ardhme do të rregullohet edhe çështja e punësimit sezonal dhe kjo mundësi, sipas tij, do të garantohet në bazë të ndërtimit të marrëveshjeve në nivel të institucioneve kosovare me qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ndryshe, sipas raportit të fundit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale mbi punësimin në vitin 2008, rreth 35 mijë persona janë të regjistruar si të papunë në zyrat e punësimit në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG