Ndërlidhjet

Berisha dhe Meta bëjnë koalicion, reagon Rama


Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha

Aleanca për ndryshim e kryesuar nga PD dhe LSI, kanë bërë marrëveshje për koalicion për qeverinë re. Lideri i PS-së, Edi Rama, e cilëson këtë ujdi "pazarin më të turpshëm të viteve të fundit".


Partia Demokratike e Sali Berishës bashkë me aleatët e djathtë kanë fituar 71 mandate dhe janë fitues të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Leonard Olli.

Ai ka thënë se këto janë rezultate paraprake.

Deklarata e Ollit, e cila erdhi në kohën kur kanë mbetur të panumëruara votat në kutitë e votimeve në Fushë Kuqë dhe në Fier, u mbështet më vonë dhe nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani.

Ai konfirmoi lajmin paraprak, sipas të cilit Partia Demokratike ka fituar 71 mandate, Partia Socialiste me partitë e tjera të majta kanë fituar 65 mandate, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim 4 mandate.

Por, deklarata e Ollit duket se ka habitur opozitën shqiptare dhe ka nxitur kritika të shumta edhe tek anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e quajti politike deklaratën e Ollit.

Socialistët i kërkuan kreut të PD-së, Sali Berisha, të heqë dorë, siç thuhet, nga shantazhet nëpërmjet KQZ-së.

“Unë i them kryeministrit në detyrë, mos e merr qetësinë dhe durimin e forcës më të madhe politike në Shqipëri, siç është Partia Socialiste, për dobësi, sepse ne jemi vërtet këtu për të mbrojtur në radhë të parë imazhin e Shqipërisë në këtë proces zgjedhor”, tha sekretari i përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi.

Partia Demokratike, ndërkaq, tha se KQZ është një institucion i pavarur politik.

* * * * * * * * * *

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar Ilir Metën, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, të hyjnë në koalicion për të formuar qeverinë e re.

Në një konferencë për shtyp, Berisha ka arsyetuar këtë ftesë për LSI-në me këta faktorë: numri i votave që ka marrë LSI, programi i LSI-së që është i ngjashëm me ate të PD-së dhe persekutimi që i është bërë në proceset zgjedhore.

“LSI është subjekti me programet më afër PD-së”, ka thënë Sali Berisha.

Ai ka bërë të ditur se në qeverinë e tij do të gjendet edhe përfaqësuesi nga Partia Republikane. Sali Berisha gjithashtu ka justifikuar rezultatin që shpalli KQZ për mandatet e fituara.

“Askush nuk dha rezultate definitive. Rezultatet paraprake lejohen. KQZ shpalli rezultate paraprake që është një standard konstant i kërkuar dhe sanksionuar nga konventat ndërkombëtare për zgjedhjet”, tha Berisha.

Ftesës së Sali Berishës për koalicion, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim i është përgjigjur pozitivisht.

“Pasi jam konsultuar me aktorët e rëndësishëm vendës dhe ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë përshpejtimin e reformave dhe stabilitetin e vendit, me përgjegjësi historike dhe kombëtare pranoj ftesën e kryetarit të Qeverisë për të realizuar negociatat paraprake për programin e integrimit evropian”, ka thënë Ilir Meta në një takim me gazetarët.

Ai ka thënë se marrëveshja PD-LSI do t’i shërbejnë mirëqenies së vendit, ndërkaq ka shtuar se marrëveshja Meta-Rama është e pamundur, pasi prodhon vetëm krizë.

Disa orë më vonë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se marrëveshja për koalicionin ndërmjet PD-së dhe LSI-së bën "pazarin më të turpshëm të viteve të fundit". Rama ka thënë se do të qëndrojë në krye të PS-së deri në mbyllje të procesit zgjedhor.
XS
SM
MD
LG