Ndërlidhjet

logo-print

Publikohet akuza ndaj punëtorit të ambasadës britanike në Iran


Avokati i një punëtori të arrestuar të ambasadës britanike në Tehran tha se klienti i tij është rënduar me akuzën për “veprim kundër sigurisë kombëtare”.

Avokati, Abdolsamad Korramshi, tha se klienti i tij po mbahet në burgun Evin dhe, sipas të gjitha gjasave, do të dalë së shpejti para gjykatës.

Të shtunën, avokati bëri të ditur se klienti i tij është shefi i analistëve politikë të ambasadës, Hosein Rasam, por tha se, deri më tani, nuk ka pasur mundësi t’a takoj atë. Ai poashtu ka mohuar t’a ketë parë tekstin e padisë.

Irani ka arrestuar, gjatë muajit qershor, nëntë anëtarë të stafit lokal të ambasadës britanike në Teheran, duke thënë se ata ishin të përfshirë në trazirat paszgjedhore në këtë vend.

Agjencitë iraniane të lajmeve njoftuan se, deri më tani, janë liruar 8 nga 9 të arrestuarit.

Ndërkohë, sekretari i Jashtëm i Britanisë, Dejvid Miliband, tha se “do të kërkoj urgjentisht qartësi” në lidhje me deklaratën e një kleriku iranian, sipas të cilës, stafi lokal i ambasadës britanike në Teheran do të përballet me gjykim për shkak të akuzave për inkurajim të trazirave paszgjedhore në Iran.

Miliband tha se beson se asnjë nga punëtorët e ambasadës nuk ka qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme.
XS
SM
MD
LG