Ndërlidhjet

logo-print

Toptan: Turqia do të lobojë për Kosovën


Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Koksal Toptan, duke iu adresuar ligjvënësve kosovarë, 6 korrik '09.

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Koksal Toptan, duke iu adresuar ligjvënësve kosovarë, 6 korrik '09.

Turqia beson në të ardhmen evropiane të Kosovës, tha, në Prishtinë, kryetari i Parlamentit të Turqisë, Koksal Toptan. Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Toptan është pritur nga liderët institucionalë, si dhe ka vizituar lokalitete të banuara me popullatë turke.


Turqia do të vazhdojë mbështetjen e saj për Kosovën, duke kultivuar lidhje vëllazërore me shtetin më të ri në Evropë, ka thënë sot në Prishtinë, kryetari i Parlamentit turk, Koksal Toptan.

Kryeparlamentari turk ka filluar dje vizitën e tij treditore në Kosovë. Sot ai është pritur nga udhëheqësit më të lartë të institucioneve, si dhe ka mbajtur një fjalim para Parlamentit të Kosovës, gjatë një seance solemne.

Toptan tha se njohja e Kosovës nga Turqia është proces i pakthyeshëm dhe se Ankaraja do të vazhdojë të lobojë edhe tek shtetet tjera që ta njohin shtetin më të ri.

“Ne besojmë se e ardhmja e Kosovës do të jetë e ndritshme dhe në këtë kontekst ne i mbështesim angazhimet e saj për inkuadrimin në strukturat evropiane dhe në Bashkimin Evropian”, tha Toptan.

Ai ka lavdëruar kujdesin që Kosova i kushton pakicës turke, ndërkaq ka premtuar vazhdimin e mbështetjes së Turqisë për Kosovën, si në planin ushtarak përmes pranisë së saj në kuadër të KFOR-it, ashtu edhe në planin ekonomik. Toptan i ka ftuar biznesmenët nga Turqia që të investojnë në Kosovë, si një vend me perspektivë evropiane.

“Dua t’u drejtohem biznesmenëve turq dhe t’u them ejani e investoni këtu në Kosovë, në një vend që shumë shpejt do të integrohet në Bashkimin Evropian dhe ku po ju pret populli vëlla i Kosovës”, tha Toptan.

Në anën tjetër, liderët kosovarë e kanë çmuar lart përkushtimin që Turqia ka treguar ndaj Kosovës. Ata thanë se e vlerësojnë lart edhe mbështetjen turke për anëtarësimin e Kosovës në FMN dhe në Bankën Botërore.

Një çështje tjetër që ishte në theks të deklaratave të liderëve kosovarë kishte të bënte edhe me një vendim të Komisionit Evropian, që kosovarëve, të cilët marrin pasaportat biometrike të Serbisë, të mos u lëshohen vizat.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se i përkasin shtetit të Kosovës dhe të aplikojnë vetëm për dokumentet e Kosovës, ndërkaq nga Bashkimi Evropian kërkoi liberalizim vizash për kosovarët.

“Ne e kemi thënë se do të jetë tepër i nevojshëm inicimi i procedurave për mbështetjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Kosova ka dokumentacionin e vet të pranuar ndërkombëtarisht. Ka pasaportat e veta”.

“Natyrisht që qytetarëve serbë askush nuk ua ka mohuar të drejtën në aspektin e dyshtetësisë, atë që ka qenë parim në projektin e Planit Ahtisari, por është shumë e rëndësishme që çdo qytetar i Kosovës ta dijë se është shtetas i Kosovës”,
tha Sejdiu.

Edhe Qeveria e Kosovës e ka cilësuar të drejtë vendimin e Komisionit Evropian. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka ftuar sidomos qytetarët serbë të Kosovës që të mos aplikojnë për dokumente të Serbisë, por për ato të Kosovës.

“Është një vendim i drejtë i Komisionit Evropian, e ka ndarë edhe në kuptimin politik, por edhe në atë juridik, që qytetarët e Kosovës të mos identifikohen me Serbinë. Natyrisht që ne presim që Komisioni Evropian, në raportin e progresit dhe në studimin e fizibilitetit, të parashohë qartë rrugën e liberalizimit të vizave edhe për Kosovën”, theksoi Kuçi.

Konsiderohet se deri më tani, rreth 1,500 kosovarë, të nacionaliteteve të ndryshme, kanë marrë pasaporta të Serbisë, ndërkaq kanë aplikuar mbi 7 mijë veta. Mirëpo, sipas Komisionit Evropian, asnjëri prej tyre, pavarësisht nacionalitetit, nuk do t’i gëzojë privilegjet e liberalizimit të vizave nëse adresën e banimit e ka jashtë Serbisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG