Ndërlidhjet

Universiteti i Prishtinës ende pa rektor


Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit

Zyrtarë të Rektoratit thonë se emri i të parit të Universitetit të Prishtinës do të dihet brenda dy ditësh. Universiteti ka mbetur pa rektor, meqë Enver Hasani kaloi si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, sipas ekspertëve, mungesa e rektorit ka vonuar regjistrimin e studentëve të rinj. Sërish, Ministria e Arsimit dhe Rektorati kanë kundërthënie në lidhje me numrin e studentëve, që duhet të pranohen në këtë vit akademik.


Përfaqësuesit e Universitetit të Prishtinës kanë bërë të ditur se rektori i ri i UP-së do të zgjidhet brenda dy ditësh. Sipas ushtruesit të detyrës së rektorit, Marjan Demaj, punët rreth kësaj çështjeje janë në rrugë të mbarë.

“Pasi të zgjidhet kryetari i bordit, atëherë është në kompetencë të kryetarit që të caktojë mbledhjen e radhës, ku do të zgjidhet rektori në mesin e pesë kandidatëve, të cilët janë selektuar nga senati i ri i Universitetit të Prishtinës. Pres që nesër ose pasnesër të zgjidhet rektori”, theksoi zoti Demaj.

Ndërkaq, ekspertët e arsimit së fundi kanë vlerësuar se mosemërimi i rektorit të ri të UP-së po vonon dhe publikimin e konkursit për pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2009/2010.

Por, zoti Demaj e mohon një gjë të tillë. Sa i përket kësaj çështjeje, ai siguron se nuk do të ketë kurrfarë pengesash dhe se konkursi do të publikohet me kohë.

Nga ana tjetër, Senati i Universitetit të Prishtinës i ka dërguar Ministrisë së Arsimit propozimin për numrin e studentëve të rinj, që parashihet të pranohen në UP.

Ushtruesi i detyrës së rektorit, zoti Demaj, thotë se ky numër i propozuar paraqet shqetësim për drejtuesit e UP-së, pasi që, sipas tij, ai është më i vogël se numri i studentëve të pranuar vitin e kaluar akademik.

“Të vetmen pengesë e kemi sepse numri definitiv i studentëve të rinj që pranohen në Universitetin e Prishtinës, caktohet nga ministria. Ndërsa, ne, si universitet, në mbledhjen e fundit të senatit, e kemi dërguar numrin e studentëve nga ana jonë, i cili është 7, 935. Tash presim që ministria ta caktojë numrin definitiv dhe në bazë të asaj, ne ta shpallim konkursin dhe ta caktojmë afatin e provimit pranues”, tha Demaj.

Ministria e Arsimit pritet të publikojë numrin e studentëve të rinj që do të pranohen në UP, por kjo do të ndodhë vetëm pas konsultimeve brenda MASHT-it, thotë ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj.

“Kosova është një vend i vogël, mirëpo pjesëmarrja e të rinjve në arsimin e lartë është e ulët. Kështu që ne po bëjmë përpjekje maksimale që ta rrisim këtë pjesëmarrje. Edhe vitin e kaluar senati ka propozuar një numër, ndërsa ne si ministri kemi vendosur që ta kemi një numër tjetër. Është përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit në çdo vend të botës; qeveria e cakton kuotën”,
u shpreh ministri Hoxhaj.

Drejtuesit aktualë të UP-së kanë thënë se kapacitetet e Universitetit të Prishtinës nuk kanë mundësi të pranojnë një numër të studentëve sikur vitin e kaluar, që ishte diku më shumë se 10, 000.

“Ne kemi kapacitete infrastrukturore të stafit akademik, administratës etj. për këtë numër, por është në kompetenca të ministrisë që ta caktojë numrin definitiv për pranim të studentëve të rinj për këtë vit shkollor”, tha Demaj.

Në mungesë të kuadrove të kualifikuar, ose të atyre që janë të kualifikuar dhe nuk kanë thirrje shkencore në lëmitë përkatëse, thuhet se disa drejtime në Fakultetin e Mjekësisë, në atë Filozofik dhe Filologjik do të mbyllen.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG