Ndërlidhjet

Analistët: PD-LSI koalicion i stabilitetit


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Analistët në Kosovë vlerësojnë se koalicioni ndërmjet PD-së dhe LSI-së do të ofrojë qeverisje stabile, nga e cila nuk do të përfitojë vetëm Shqipëria, por edhe Kosova. Ata konsiderojnë se bashkimi i LSI-së me PD-në, ka shmangur krizën eventuale në vend.


Ujdia e arritur, ditë më parë, mes Partisë Demokratike të Sali Berishës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, që në katër vjetët e ardhshëm ta qeverisin së bashku vendin, nga analistët kosovarë shihet si zgjidhje pragmatike, që i sjell stabilitet Shqipërisë.

Po ashtu, analistët kosovarë mendojnë se hapi i Ilir Metës ka shmangur një krizë eventuale, për shkak të rezultatit të ngushtë të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Analisti Ramush Tahiri konsideron se marrëveshja e arritur tregon pjekurinë e shoqërisë shqiptare.
Sido që të jetë çështja, është mirë që u tejkalua kriza, sepse Shqipëria nuk mund të hynte në zgjedhje të reja, e as në qeveri teknike. Pranimi i rezultateve e krijimi i qeverisë është ndihmesë për Shqipërinë.

“Kjo është gjetje e mirë, sepse është rezultat i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri; doli fituese PD dhe PD ka mundur t’i fitojë numrat me LSI-në ose me PS-në. Duket se janë përcaktuar për LSI-në, sepse kanë orientim pak më liberal dhe me qëllim që të lihet një opozitë e fortë, e cila do të ishte një kritikuese e fortë e qeverisë”.

“Sido që të jetë çështja, është mirë që u tejkalua kriza, sepse Shqipëria nuk mund të hynte në zgjedhje të reja, e as në qeveri teknike. Pranimi i rezultateve e krijimi i qeverisë është ndihmesë për Shqipërinë”,
tha Tahiri.

Edhe pse Komisioni Qendror Zgjedhor nuk i ka certifikuar ende rezultatet përfundimtare, mediat në Tiranë kanë nisur të spekulojnë madje edhe për ndarjen e posteve mes koalicionit Aleanca për Ndryshim dhe LSI-së.

Analisti tjetër politik, njëherësh drejtor i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, e sheh pranimin e ofertës së PD-së nga ana e kreut të LSI-së, Ilir Meta, si një veprim të matur.

“Këtu do të ofrohet stabilitet i mjaftueshëm për qeverisje, por forma e qeverisjes së deritanishme do të ndryshojë, sepse kjo është eksperiencë unike për Shqipërinë, pasi që deri tash ka qenë në fuqi ose e majta, ose e djathta”, u shpreh Peci.

Në anën tjetër, të dy analistët pajtohen se karshi Kosovës, politika e Tiranës ka ndjekur pothuajse një kurs të njëjtë. Megjithatë, Ramush Tahiri mendon se mandati i dytë i Berishës do t’i mundësojë atij që të përfundojë projektet e nisura, përkatësisht rrugët, që, siç thotë ai, lidhin kombin shqiptar.

“Ky koalicion është i mirë, se është vazhdimësi e politikës 4 vjeçare dhe e investimeve ekonomike dhe rrugëve që lidhin kombin shqiptar. Gjithashtu është interes për Kosovën që Shqipëria ta kalojë këtë fazë pa ndonjë krizë dhe që të jetë shtet stabil, i cili u hyn proceseve të integrimeve evropiane dhe në këtë bazë i ndihmon Kosovës”.

“Stabiliteti në Shqipëri dhe angazhimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare i ndihmon çështjes së Kosovës”,
deklaroi Tahiri.

Ndërsa, Lulzim Peci mendon se edhe po të vinte në pushet Partia Socialiste, qasja karshi Kosovës nuk do të pësonte ndryshime.

“Shqipëria, sa i përket Kosovës, ka pasur një politikë stabile dhe nuk do të kishte refleksione kushedi çfarë, ose po të ishte njëra palë, ose pala tjetër“, tha Peci.

Debati i vazhdueshëm në Shqipëri në lidhje me atë nëse Meta bëri mirë ose jo që iu bashkua të djathtës, duke krijuar kështu një përvojë unike në periudhën 18-vjeçare të tranzicionit, ku e djathta qeveris bashkë me të majtën, në Prishtinë nuk perceptohet si diçka e jashtëzakonshme.

Ky fakt, ndërkohë, ka bërë që Edi Rama i Partisë Socialiste të reagojë ashpër, duke e quajtur marrëveshjen Berisha - Meta si “pazarin më të turpshëm të viteve të fundit".

Por, Ramush Tahiri thotë se shembuj të tillë ka pasur gjithandej, përfshirë edhe koalicionin PDK-LDK në Kosovë. Ai mendon se në raste të tilla, vënia e shtetit para ideologjisë partiake është parësore.

“Lufta nuk zhvillohet gjithmonë i majtë e i djathtë, por përpjekjet bëhen për ndërtimin e shtetit dhe votat janë ato që janë. Ne kemi shembullin në Austri e Gjermani. Kjo tregon pjekurinë e shoqërisë në Shqipëri dhe pjekurinë e forcave politike. Është mirë që pas 18 vjetësh u thye ky balast, të themi i majtë dhe i djathtë”, tha Tahiri.
Në rast se Meta nuk do të kalonte tani me zotin Berisha, në Shqipëri do të kishte një koalicion shumë fragjil, i cili do të kishte mundësi të dështonte shumë shpejt...

Në anën tjetër, për Lulzim Pecin, çdo skenar tjetër, që do të përjashtonte koalicionin PD-LSI, do të prodhonte një qeverisje jostabile.

“Në rast se Meta nuk do të kalonte tani me zotin Berisha, në Shqipëri do të kishte një koalicion shumë fragjil, i cili do të kishte mundësi të dështonte shumë shpejt dhe nuk do të ofronte kurrfarë stabiliteti të qeverisjes“,
theksoi Peci.

Analistët kosovarë lavdërojnë popullin shqiptar për maturinë e treguar në ditën e zgjedhjeve. Por, ata thonë se procesi i numërimit të votave, i përcjellë me incidente të herëpashershme, tregoi se standardet nuk mund të arrihen nëse edhe në proceset e rëndësishme, siç janë zgjedhjet, ndërhyn politika.
XS
SM
MD
LG