Ndërlidhjet

Obama, Medvedev: Të zvogëlohet armatimi


Gjatë takimit në Kremlin, 6 korrik 2009.
Gjatë takimit në Kremlin, 6 korrik 2009.

Në samitin ndërmjet presidentit amerikan, Barak Obama, dhe atij rus, Dmitri Medvedev, është diskutuar për çështjen e reduktimit të armatimit bërthamor. Në këtë aspekt, është thënë se është nënshkruar një deklaratë e përbashkët për arritjen e marrëveshjes për këtë çështje.

* * * * *

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se ai dhe presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, kanë nënshkruar një deklaratë, duke premtuar të arrijnë një marrëveshje të re për reduktimin e armëve bërthamore, me të cilën do të zëvendësohej marrëveshja START e vitit 1991.

“Ne kemi nënshkruar një deklaratë të përbashkët për marrëveshje të re START, që do ta reduktojë arsenalin tonë të raketave dhe të sistemeve lansuese, për një të tretën e kufizimeve aktuale. Kjo marrëveshje me obligime juridike do të kompletohet këtë vit”, tha presidenti amerikan, Barak Obama, në konferencën e përbashkët për shtyp me zotin Medvedev në Moskë.

Presidenti rus tha se ende ka dallime për sistemin mbrojtës. Megjithatë, ai u shpreh se sheh progres të qartë në bisedimet me Shtetet e Bashkuara, lidhur me sistemin mbrojtës raketor, derisa administrata e re e Shteteve të Bashkuara e presidentit Barak Obama është e përgatitur për t’i dëgjuar shqetësimet ruse.

Presidenti Obama tha se beson se mospajtimi lidhur me këtë sistem do të zgjidhet me kohë.
XS
SM
MD
LG